Foto: VCG

Foto: VCG

Druvarit Çeng, ndërkohë që po priste dru në pyll, i del përpara një dre i frikësuar. E godit drerin me sëpatë dhe e vret. Me qëllim që të mos e gjente ndonjë njeri tjetër, druvari hap një gropë, e fut drerin në të dhe e mbulon me gjethe dhe degë. Por, më vonë, ai harron vendin ku e kishte fshehur, madje i duket se gjithçka kishte ndodhur në një ëndërr. Kështu, kur kthehet në fshat, u tregon të tjerëve, për ëndrrën që kishte parë. Njeri prej atyre që e dëgjuan rrëfimin e tij, nuk e beson se ishte ëndërr shkon në pyll. Kërkon te vendi, ku kishte thënë druvari, dhe e gjen drerin e fshehur. Fshatari e merr drerin, e shpie në shtëpi dhe i thotë të shoqes:

- Një druvar ëndërronte se ai kishte vrarë një dre dhe kishte harruar se ku e kishte fshehur dhe këtë dre të fshehur e gjeta unë. Çudi, ky druvari ëndërruaka gjëra të vërteta!

- Me siguri, ti duhet të kesh parë ëndërr se paske takuar një druvar që kishte vrarë një dre. Vërtet beson se paska një druvar të tillë? Por meqenëse këtu, përpara meje, është një dre i vërtetë, ëndrra jote duhet të jetë një realitet, - i thotë e shoqja.

- Siç të thashë, këtë dre e gjeta nga një ëndërr, - përgjigjet burri. - Pse e vret mendjen për të ditur se cili nga ne të dy paska parë ëndërr?

Pasi kthehet në shtëpi, druvari mendon ende për drerin, mendon se, vërtet, kishte parë ëndërr. Natën, në gjumë, shikon në ëndërr vendin ku kishte fshehur drerin, gjithashtu, shikon në ëndërr se kush e kishte gjetur. Të nesërmen në mëngjes shkon në shtëpinë e tjetrit dhe gjen drerin e tij. Të dy debatojnë me njëri-tjetrin për këtë çështje dhe, pasi nuk e zgjidhën dot, shkojnë para një gjykatësit.

Gjykatësi i thotë druvarit:

- Është e vërtetë që ti ke vrarë një dre dhe pastaj mendove se ishte një ëndërr. Pastaj, pe përsëri ëndërr dhe besove se ëndrra paska qenë e vërtetë. Ndërkohë, ky tjetri e gjen drerin dhe tani e kundërshton këtë fakt, por gruaja e tij mendon se ky paska ëndërruar se kishte gjetur një dre, të cilin e kishte vrarë një tjetër njeri.

Atëherë, del se askush nuk e paska vrarë drerin. Por, meqenëse dreri ja ku është, e mira është që drerin ta ndani me njëri-tjetrin.

Çështja arriti deri te veshët e mbretit të Çeng. Dhe mbreti i Çeng tha:

- A thua ky gjyqtar nuk do të ketë parë ëndërr se ka ndarë një dre?