Akrobacia është një prej aktiviteteve, arteve apo performancave që nuk është shumë i zhvilluar në vendin tonë. Shqiptarja e parë që theu akullin dhe sfidoi lartësitë është Fiona Rushiti, 23-vjeçarja nga Shqipëria. E reja nuk njeh kufij dhe preferon që artin e saj ta zhvillojë në rrugë, duke u ushtruar dhe praktikuar vetë.

Ndërsa vitet kalojnë, ajo tashmë është një mësuese e të rinjve, të cilët duan ta ndjekin këtë profesion.

CMG: Fiona si ju njohin kryesisht, si një vajzë të thjeshtë, apo si një akrobate e talentuar?

Fiona Rushiti : Fiona është një vajzë si të gjitha vajzat e tjera, por ndër të tjera e vetmja që sfidon latersitë. Këtë sport e kam nisur në moshën 3 vjeçare ku ishte dhe pikëtakimi i parë me këtë profesion.

Me pas nuk vijoi gjithçka e lehtë, sepse unë u detyrova që praktikën ta bëj vetë dhe gjithçka në shtëpi.

CMG: Si ka qenë e gjithe kjo periudhë, apo fazë e parë ku ju është dashur të zhvilloheni?

Fiona Rushiti : Aspak e lehtë! Shume sfida kam kaluar. Nga mosha 3 vjeçare e në vijim unë isha në një moment që duhet të njihja veten dhe ja arrita, por vetëm jashtë mureve të Cirkut.

CMG : Çfarë ju ka shtyrë që të merrni përsipër rrezikun dhe të ushtroni këtë profesion?

Fiona Rushiti :Thjesht pasioni, kur ke pasion nuk ke nevojë për asgjë tjetër. Unë e doja këtë gjë dhe nuk rreshta kurrë së rrëzuari dhe ngrihesha më e fortë. Unë doja shumë që shqiptarët të kishin një përfaqësuese të tyren. Pse të thonë që shih sa sport i bukur dhe mos të thonë " Shih sa bukur na përfaqëson Fiona! "

CMG : Fiona ky është një lloj profesioni që ndër të tjera të gjymton. Si e keni përballuar këtë gjë ?

Fiona Rushiti : Po unë e kam të dëmtuar trupin, duart, këmbët dhe shpinën. Mbaj mend kur kam qenë e vogël dhe varesha nëpër pemë apo në rrugë për të bërë praktikë dhe rrëzohesha e gjunjët e mij ishin "copë copë", por kjo nuk më ndaloi që unë të frikeshohesha dhe ta lija këtë profesion. Nuk kam pasur dikë që të më ndihmojë, por ja dola.

CMG : Ku qëndron vështirësia e të qenit akrobate dhe të bësh praktikë vetë?

Fiona Rushiti : Palestra është shumë e nevojshme dhe patjetër që shpesh herë jam përballur me fyerje nga artistë të ndryshëm, që më kanë paragjykuar për stilin tim të të përgatiturit. Sot kam nje mesazh për ta... Po unë jam kam dalë pavarësisht të gjithave. Ju ku jeni?!

CMG : Ju e ushtroni këtë profesion vetëm në Shqipëri?

Fiona Rushiti : Jo, unë vijoj tashmë të jem në disa vende, jam edhe në Kosovë e Tetovë. Dua të ndaj një eksperiencë timen, e cila sa herë që e tregoj me miqtë e mij më përlot. Kur unë shkoja në fillimet e mia në vende të tjera, si Kosova mënyra se si ata me prisnin bënte diferencën.

Dikush përpiqej të zotohej për të më gjetur ushqim e të tjerë për të më mbajtur në shtëpi, që unë të mund të jepja një performancë.

Për mua kjo ka qenë një ndihmë shume e madhe, sepse pikërisht në atë moment kam pasur nevojë.

CMG: Fiona, cilët kanë qenë bashkëudhetaret e tu në profesion, të cilët të kanë mbështetur së tepërmi?

Fiona Rushiti : Do ta them, madje me zë të lartë.

Unë u jam shumë mirënjohëse një çifti të cilët kanë edhe një zemer të bardhë. Ata kanë një palestër tek e cila me dëshirën e tyre mua më hapen dyert dhe me lanë një hapësirë të vogël që unë të bëja praktikën. Për dikë kjo mund të mos jetë aspak e rëndësishme dhe mund të duket e vogël, ndërsa për mua është shumë e madhe. Mund të them me bindje që më ndryshoi jeta, falë ndihmës së tyre. Të tillë njerëz a mund të kemi më tepër? Të gjjthe kemi nevojë për një dorë për të na ndihmuar dikush dhe ajo që duhet të mbetet gjithnjë është mirënjohja.

CMG : Si e mposht frikën?

Fiona Rushiti : Mund të them me bindje që kjo është e lindur dhe bëhet vetëm nëse je e lindur me një pasion të tillë që mposht frikën e lartësisë së madhe, për të dhënë një performancë. Unë kam vetëm një mesazh : Ndiqni ëndrrat dhe do t'ia dilni!

CMG : Cili është fryti me i mire i kësaj pune?

Fiona Rushiti : Fryti me i mirë i punës janë ato fëmijët, të cilët kanë zgjedhur të studiojnë me mua dhe që një ditë duan të jenë më të mirë se zysha. Unë do të ndihmoj këdo që do të jetë në rrugën e duhur dhe të drejtë. Siç më kanë ndihmuar mua, unë do të ndihmoj të tjerët. Kjo është motoja ime.

Përgatiti : Megi Latifi