Ushqimi, me format, teksturat, parfumet e tij dhe rastet shoqërore që krijon, ka frymëzuar penat e shumë poetëve në historinë e letërsisë. Vlera e tij e fortë ndjellëse e ka bërë atë një mjet për t’u shprehur rreth emocioneve, situatave, sugjerimeve dhe gjendjeve shpirtërore.

Po kaq e vërtetë është edhe e kundërta, që poezia, ka frymëzuar mjeshtrit e gatimit, në krijimin e pjatave nga më të ndryshmet, të cilat më pas janë bërë pjesë të pandara të gostive të tryezave tona.

Një të vërtetë të tillë e ka konkretizuar së fundmi shefi i guzhinës, Alfred Marku, në kabinetin e tij të gatimit. Në një ambient gati idilik, dedikuar tërësisht poezisë dhe artit të kuzhinës, erdhi e ndërthurur një mbrëmje e veçantë poetike verore në qytetin e Lezhë, në qytetin i cili si asnjë tjetër i ka dhuruar poetë të mirë Shqipërisë. Me të njëjtën koencidencë duhet pranuar edhe fakti se në këtë rajon gëlon eksperienca më e mirë e kulinarisë shqiptare, e përkthyer në emra restorantesh me emër dhe shefash të vyer. Dhe pikërisht në Lezhë, vjen si risi kjo eksperiencë fantastike degustimi, ku poezitë, si të ishin afrozidiakë, frymëzojnë receta, shije dhe eksperienca unike.

Ideja ishte e vetë kuzhinierit të njohur Alfred Marku, ku 7 poezi u prezantuan në 7 pjata të ndryshme plot ngjyra, dhe artistët gjetën vetën të mbërthyer në shije, vargje dhe muzikë të mirë, bashkë me artëdashësit.

Poezitë e përkthyera në pjata të ndryshme, u prezantuan si piktura, si vepra arti, përmes shijes së artit të kuzhinës, ku vetë autorët e poezive të përzgjedhura, e gjeten veten në pjatat që i dedikoheshin secilit prej tyre.

Poetët e përzgjedhur Rita Petro, Mimoza Ahmett, Flutura Açka, Alma Jaku, Preç Zogaj, Rudolf Marku dhe Mhill Marku, kanë nxitur kuzhinierin Alfred Marku që t’i përshtatë me shijen e ushqimeve, ndërsa kanë qenë ata vetë që kanë provuar produktin që ka frymëzuar krijuesin e tyre, shef Markun, një kuzhinier me emër, i shkolluar, dhe me eksperiencë në Itali e Shqipëri.

Mbrëmja poetike tërhoqi vëmendjen e shumë të pranishmeve dhe vetë autoreve të poezive të përzgjedhura, të cilët e gjetën veten në pjatat që ju dedikoheshin atyre. Ata e vlerësuan maksimalisht mjeshterinë e kuzhinës së Alfred Markut.

“E provova dhe më shijoi jashtëzakonisht shumë, sepse i ka lidhur në mënyrë kaq perfekte, fjalët e poezisë me shishqebapin me levrek. Unë shkruaj për detin dhe poezia ime i kushtohet detit”, shprehet poeti Mhill Marku.

“Shef Fredi më kishte përzgjedhur për ëmblësirën. Më pëlqeu shumë fakti që ishte ideuar nga luleshtrydhja, boronica dhe nga shurupi i pishës. Poezia ime quhet “Art” dhe shef Fredi kishte bërë vërtet art me poezinë time”, flet e emocionuar poetja Alma Jaku.

Me origjinalitetin që e shoqëron, komenton pjatën që ka frymëzuar poezia e saj, edhe poetja Rita Petro: “Pjata ime është lëpirë pothuajse fare, aq shumë më pëlqeu dhe ishte një përputhje e jashtëzakonshme midis poezisë sime dhe asaj që kishte përgatitur shef Alfredi”, komenton ajo.

Ky event i veçante erdhi me mbështetjen e Bashkisë Lezhë, ndërsa kishte për qëllim që të tregohej lidhja e fortë që ka poezia me ushqimin, por edhe promovimi i asaj çfarë ofron rajoni i Lezhës.

“Dal e pi kafe përbuzë me detin/bashkë me detin, shokun tim të vjetër/dhe më duket se po kafe me mbretin”, janë vargjet e poezisë së Mhill Markut, të cilat shefi i ka zbërthyer në një pjatë peshku sipas mënyrës së tij impresionuese:

“Kam një poezi të Mhill Markut “Pi kafe me detin”. E kam lexuar disa herë dhe nuk dija si ta filloja…Të pish kafe do të thotë se ti po e fillon një ditë. Bëra një peshk dhe një kafe. Doja që “t’í martoja bashkë“që ato të kishin një harmoni me njëra-tjetrën. Të jetë fiks si një fillim”, tregon shef Marku për eksperiencën e tij.

Vlen të kujtojmë këtu se kombinimi i ushqimit me vargjet është një ritual i njohur, që nga kohërat antike deri në ditët e sotme, për një ... vakt poetik. Por një gjë e tillë e artit dhe e kulinarisë vjen për herë të parë në traditën shqiptare.

Do kujtojmë se disa poetë me famë botërore, i kanë kënduar ushqimeve. Kjo ka ndodhur me Pablo Nerudën, që i këndon ushqimeve të thjeshta, mes tyre bukës, qepës, limonit, mollëve dhe domateve. Vargjet e Nerudës duke u lexuar dhe rilexuar kanë krijuar dreka të rafinuara poetike, por edhe rostiçeri mesdhetare fshatare, të bëra me bukë, vaj dhe domate.

Ndërsa Luise Borges në “Sonatën e verës” i thur hymn pijes që krijon gëzimin. Ngjyra, efekti dehës që ndalon frenimet, kanë qenë subjekt i poezive dhe skuta të emocioneve. Shëmbuj të tillë arti njeh plot, sikundër kulinaria njeh edhe pjata që fryëzohen nga arti.

Mjeshtria e shefit Marku në Lezhë, është shëmbulli më i mirë i kësaj ndërthurje të vjetër sa fjala, edhe në tryezat shqiptare të poezisë.

Neritana Kraja