35 vite pas xhirimit të filmit “Dy herë mat”, aktorët Bujar Kapexhiu, Manjola Begolli, Alfred Bualoti e Karafil Shena u kthyen në qytetin që dikur fiksoi suksesin e një filmi të paharruar për shqiptarët në zhanrin e komedisë.

Kasti i aktorëve, disa edhe të veshur me personazhet që kanë interpretuar në këtë film, është rikthyer në vendin ku xhiruan duke kthyer kujtimet më të bukura të një prej filmave komikë më të dashur për të gjithë shqiptarët.

“Dy herë mat” është një nga filmat më të pëlqyer të viteve ’80. Premiera e tij asaj kohe u prit në mënyrë të shkëlqyer pasi filmi i përmbushte të gjitha kriteret për të qenë i suksesshëm; skenar me një intrigë në dukje të thjeshtë, batuta pa fund, situata të një grotesku fin, kast aktorësh të jashtëzaknshëm, një pjesë e tyre të orientuar drejt zhanrit të komedisë, atmosferë vere dhe në fund një ndjesi e mirë dhe e gëzuar…

Në fokus ishte një qytet bregdetar dhe jeta e qetë dhe e thjeshtë e banorëve të këtij qyteti, e cila ndryshon kur një simultane shahu vendos të bëhet aty, duke u shndërruar në një festë të vërtetë plot gjallëri për qytetin.

Filmi është shkruar dhe drejtuar nga regjisori Bujar Kapexhiu, i cili ka edhe rolin kryesor në film. Ai interpreton rolin e Ilo Pincit, specialist i peshkut dhe i midhjeve, i cili është edhe shahist i njohur dhe shkon në Sarandë, si i ftuar në këtë simultane shahu.

Por ajo që e shtyn më shumë të vijë në këtë qytet, është dëshira e tij e fshehtë për të zbuluar të dhëna praktike dhe teknike në lidhje me kultivimin e midhjeve. Gjatë një diskutimi ai hedh poshtë mendimin e Sazanit, specialist dhe kultivues i midhjes në Sarandë. Vajza e Sazanit edhe ajo një e talentuar në shah’, merr pjesë. Ilo është i bindur se do ta përballojë lehtësisht ndeshjen me shahistët vendas, por në simultane mundet nga Rudina e vogël, e cila vendos një midhje si simbol të mretëreshës. Ai pranon humbjen e dyfishtë, kur merr vesh se ajo është vajza e kundërshtarit të tij edhe në punë.

Sot, 35 vjet pas suksesit të pandërprerë të filmit, ja si e kujton Bujar Kapexhiu, kontributin e tij në filmin “Dy herë mat”.

Sinkron 1

“E shkruajta skenarin dhe e paraqita, skenari u pëlqye, do e xhiroja unë si regjizor. Unë kisha menduar që aktori kryesor të ishte, stundeti im në atë kohë, Agim Qirjaqi. Por në atë kohë ai ishte i zënë me një film tjetër dhe nuk mund t’i luante të dy në të njëjtën kohë, kështu që këshilli artistic vendosi….Nuk ishte e lehtë, ishte e vështirë se duhej një sy i jashtëm të të kontrollojë”.

Manjola Begolli, është aktorja që dikur luante rolin e Rudinës, vajzës së vogël shumë të talentuar në shah. Me siguri të gjithë e mbajnë mend. Ishte vajza që donte edhe “akullore, edhe çokollatë” dhe në fund ishte ajo vajza fituese e shahut që i dha një mësim të mirë personazhit kryesor. E ftuar në 35 vjetorin e filmit, duke u rikthyer me kujtime pas në kohë, ajo tregoi gjatë mbrëmjes festive, se si u bë pjesë e filmit, ndonëse ky film do të ishte i pari dhe i fundit i saj, meqë ajo soy ka ndërtuar një karrierë biznesi, duke ia lënë kinemanë ëndrrave të fëmijërisë.

Sinkron 2

“Që kur mu bë ftesa më goditi dhe ishte diçka shumë origjinale, një gjë ndryshe nga çfarë është zhvilluar këta 35 vjet për filmin. Kam qenë duke ngrënë bukë me gjalp me sheqer në atë moment, kur ulur në trotuar kur xhaxhi Bujari së bashku me bashkëshorten e tij po kalonin para shtëpisë sime. Ndalon, më sheh e më thotë të keqen xhaxhi ke qejf të lozësh një film ti, po i them patjetër, po më mësime je mirë më tha, jam e shkëlqyer me mësime. Më tha: Mirë e meriton të lozësh një film”, kujton ajo.

Sot aktorët janë krenarë për fimin. Njerëzit e mbledhur në shesh xhirimin e filmit, në pedonalen e qytetit të rikthyer rishtas në stimulante shahu, kanë përshëndetur aktorët që i dhuruan një film qytetit të tyre. Kasti i protagonistëve të filmit ka zbritur nga bordi i një anije turistike dhe janë pritur nga kryetari i Bashkisë së Qytetit të Sarandës Adrian Gurma. Ai shprehet mjaft i emocionuar për aktivitetin e organizuar nga Bashkia e Sarandës.

Sinkron 3

“Ka qenë edhe ky film një nga arsyet që vizitorët i janë shtuar Sarandës për të parë dhe prekur nga afër të gjitha shesh xhirimet, të gjitha vendet ku trupa e shkëlqyer e aktorëve të atyre viteve kanë prekur Sarandën dhe kanë bërë xhirime. Kështu që ka qenë një ide e kahershme, e kisha ëndërr të grumbulloja një herë në sarandë të gjithë aktorët që 35 vite më parë na kanë dhuruar një vepër të mrekullueshme”.

Të gjithë protagomistët e filmit

sollën kujtimet e tyre, ndërsa u njohën edhe me suksesin e Eklea Omerit e Kelvin Kostës, dy talente të shpallur së fundmi kampionë të kampionatit kombëtar e atij evropian në shah. Një koencidencë e bukur mes suksesit të real të dy shahistëve të rinj dhe një fabule të trilluar humori 35 vite më parë, ku një qytet i tërë është dashuruar pas lojës së bukur të shahut.

Mjeshtri Kapexhiu u dhuroi atyre dy librat e tij, të shkruar enkas për fëmijë. Ndërsa Kryetari Adrian Gurma i nderoi me Certifikatë të Mirënjohjes.

Kur flitet për filmin “Dy herë mat” nuk mund të lëmë pa përmendur faktin se aty kanë interpretuar edhe disa nga emrat më me peshë të komedisë, si Aleko Prodani, Fadil Kujovska, Met Bega dhe Agim Shuke. Në komedi interpretojnë edhe emra të tjerë shumë të spikatur si Zyliha Miloti, Pavlina Mani, Alfred Bualjoti dhe Ilir Bezhani. Të gjithë së bashku na kanë lënë si trashëgimi një komedi plot situate dhe batuta të paharruara.

Neritana Kraja