Ndryshe nga plazhet e veriut, të cilat ofrojnë kryesisht det dhe diell, plazhet e jugut, të japin mundësinë që brenda një dite, të shëtisni nga njëri plazh tek tjetri, madje edhe të notoni në plazhe, ku në rrugë tokësore është e pamundur.

Gjatë katër pesë viteve të fundit, nëse ju ka qëlluar të keni pushuar në rivierën e jugut, syri do ju ketë kapur anije pak a shumë të vogla, të cilat organizojnë ekskursione njëditore në plazhe të virgjër, aty ku këmba e njeriut duket si e pamundur të shkelë. Pavarësisht nëse po pushoni në Vlorë, Sarandë, Himarë, Dhërmi, apo Borsh, ju gjithmonë mund të merrni një anije dhe të nisni eksplorimin e detit, plazheve dhe shpellave, të zhyteni në ujëra të bruztë dhe të sodisni relievin e tokës shqiptare, nga anijet që ofrojnë udhëtime të tilla.

Nga Vlora

Për ata që i duan zhytjet, që pëlqejnë eksplorimin e specieve të ndryshme detare dhe rrënojat e lashta të zhytura thellë në det, Karaburuni është sigurisht një nga destinacionet e domosdoshme për të parë në bregdetin e jugut.

Gjatë sezonit të verës ka shumë anije të vogla, që largohen nga Porti i Vlorës çdo ditë. Mund të hipni tek secila, mjafton që paraprakisht të merrni informacion për specifikat e tyre. Një ndër shëtitjet më interesante me anije gjatë verës, është padyshim Karaburuni dhe ju pa hezitim mund të nisni shëtitjen tuaj me anije, pasi Karaburuni është një destinacion mahnitës.

Shumica e itinerareve përfshijnë një ndalesë të shkurtër në ishullin e Sazanit dhe më pas drejtohen drejt plazhit Shën Vasili, i cili mbikëqyr Vlorën. Çmimet janë rreth 2000 lekë (15 € -16 €) për të rriturit; për fëmijët e moshës 5 deri 11 vjeç kostoja e biletës zvogëlohet me 50%, nën këtë moshë ekskursioni është falas.

Në mënyrë që ta shikoni pjesën e jashtme të gadishullit të Karaburunit pa vështirësi, ju mund të hipni në barka me motor ose barka në dispozicion për turistët që dëshirojnë të vizitojnë limane të shumta me ujëra të kristalta, të tilla si ai i Brisanit dhe Gjiri i Gramës.

I pandotur dhe magjepsës, Karaburuni shfaqet me një pamje të m+rekullueshme, duke përfshirë majat e maleve që arrijnë 1200 metra lartësi, shkëmbinjtë e thepisur që zhyten në det, gjiret e virgjër që hapen në ujërat e pastra dhe shpellat që fshehin mrekulli të pabesueshme natyrore.

Është e vetëkuptueshme që një udhëtim me anije rreth gadishullit, është i detyrueshëm, nëse doni të admironi bukuritë që e karakterizojnë atë, duke u mahanitur nga bukuria e faunës, e cila madje mburret me praninë e ekzemplarëve të breshkës Caretta Caretta dhe vulës mesdhetare.

Më të spikaturit në itinerarin tuaj të eskursionit janë disa plazhe të bukur, si Plazhi i Barçës, i njohur mbi të gjitha për praninë e një faune të pasur dhe të larmishme, Gjiri i Arushes, Gjiri i Gramës dhe Plazhi i Dafinës, të vlerësuar nga turistët, sidomos për ujërat e pastra dhe pozicionin e izoluar mirë, gjë që i bën ato, të qetë dhe pothuajse plotësisht të pa zhurmë.

Përtej këtyre bukurive të pabesueshme natyrore, Karaburuni është i njohur gjithashtu për praninë e gjetjeve të shumta arkeologjike. Ju pa dyshim do të magjepseni nga shumëllojshmëria e amforave tregtare të pranishme në bregdetin e Karaburunit: të datueshme midis epokës Arkaike dhe Bizantine, ato shoqërohen nga statuja bronzi që përshkruajnë hyjnitë, monedhat dhe objektet e tjera të hedhura në det nga anijet e ankoruara në stuhitë e zonës.

Por nëse e shihni veten duke udhëtuar me anije përgjatë bregdetit të Karaburunit, nuk mund të humbisni rastin të vizitoni disa nga shpellat e bukura që e karakterizojnë atë. Mos humbisni rastin të ndaloni tek Shpella e Haxhi Aliut, ndoshta një nga më të bukurat në Shqipëri, e cila ia detyron emrin e saj piratit Haxhi Aliu i cili, gjatë shekullit XVII, e përdori këtë shpellë si një vend strehimi dhe vend takimi për njerëzit e tij.

Ai ishte një personazh mjaft i njohur në territorin shqiptar, i cili mbrojti për një kohë të gjatë brigjet nga sulmet e anijeve të huaja, në marrëveshje me tregtarët dhe barinjtë e vendit.

Aty pranë do të gjeni edhe Shpellën e Skllevërve, e quajtur kështu pas hipotezave se skllevërit punonin këtu në kohërat antike.

Kostoja e kësaj vizite është rreth 2500-3000 lekë (25 € -26 €). Nisja bëhet çdo ditë në orën 10:00 nga porti i Vlorës në Skelë, ndërsa kthimi është rreth orës 17:00, po në të njëjtën pikë.

Në shumicën e rasteve, stafi i anijeve ofron dhe drekën, ndërsa guida e anijes ju njeh me etapat e udhëtimit, me anë të një atoparlanti. Nuk është aspak një udhëtim i mërzitshëm, përkundrazi. Pamjes fantastike të brigjeve që sodisni, i shtohet edhe atmosfera argëtuese me party në anije, muzikë live, muzikë me dj apo shkuma party. Disa prej tyre kanë edhe animatorë për fëmijët, ndërsa guidat me gomone brenda eskursionit, bëhen për më të guximishmit dhe kureshtarët.

Nga Saranda

Të tjera ekskursione të bukur mudeni të bëni nëse jeni duke pushuar në Sarandë. Anijet nisen përditë nga Porti i Limanit, dhe udhëtimi mund të bëhet me varka të madhësive të ndryshme. Edhe këtu ndalesat mund të organizohen sipas dëshirës tek Plazhi i Ushtarit, Gjiri i Rrojdhes, Plazhi i Greminës, Kepi i Qefalit, Gjiri i Kakomesë, Gjiri i Krorëzës, Ksamil etj. Edhe çmimi ndryshon në varësi të udhëtimit apo kompanisë, por përgjithësisht është 20-25 euro personi. Ndër ndalesat më të bukura janë Plazhi i Krorëzit, Kakomesë dhe Ksamilit.

Plazhet e Krorëzes dhe Kakomesë janë ndër plazhet e pakëta të virgjëra që kanë mbetur në Shqipëri. Në këto plazhe, që kanë ujë të kristaltë dhe një pamje të mahnitshme, shkohet vetëm me anije. Udhëtimet me anije për në këto dy plazhe bëhen çdo ditë.

Për të shijuar keto plazhe te mrekullueshme të Krorëzes dhe Kakomesë ju mund të zgjidhni mes paketës familjare dhe të asaj në grup.

Gjiri i Kakomesë është vërtet po aq i bukur sa edhe i famshëm për bukurinë e tij. Gjatësia e Gjirit të Kakomesë është rreth 300-400 metra, dhe shpatet malore janë të veshura me bimësi që është e ruajtur mirë dhe e paprekur.

Kur hyn në Gjirin e Kakomesë, anija hedh spirancën dhe ju mund të hidheni direkt në ujë nga direku i anijes. Uji ka një ngjyrë fantastike, përreth natyra është e gjelbëruar, parajsa të duket se ka mbërritur aty mes detit dhe tokës.

Po kaq e bukur është edhe Krorëza, shumë pranë Kakomesë. I njëjti det, anije të vogla që shkojnë e vijnë duke sjellë e marrë njerëz, një breg i virgjër me ujë kristal dhe një bar i vogël që ofron pije dhe ushqim.

Por ka edhe diçka që duhet ta dini, ju mund të bëni Krorëzën, Kakomenë, edhe duke u nisur nga Dhërmiu, Borshi, Orikumi, apo Himara. Në këtë rast distancat do të jenë të tjera dhe çmimi gjithashtu ndryshon.

Ishujt e Ksamilit, janë një tjetër ndalesë e bukur me anije, në udhëtimin që nis nga Limani në Sarandë, por meqë në Ksamil mund të shkohet edhe në rrugë tokësore, ne po mjaftohemi me faktin se Ishujt binjakë të Ksamilit, janë mbyllja perfekte e një ekskursioni me anije, mes ujërash të kaltër e të kristaltë, gjatë një vere të nxehtë e të gjatë.

Neritana Kraja