Në gusht 2005, Tsering Yangzom, asokohe 11-vjeçare, kreu udhëtimin e saj të parë me aeroplan. Ajo u largua nga Lhasa, vendlindja e saj në Tibet, për të ndjekur një shkollë me konvikt për nxënësit tibetianë në Shangai.

Ishte një udhëtim i gjatë dhe i vështirë. Në fillim ajo duhej të fluturonte për dy orë nga Tibeti në Chengdu, kryeqendrën e provincës Sichuan të Kinës Jugperëndimore. Pastaj, një udhëtim hekurudhor 40-orësh nga Chengdu në Shangai, në ndenjëse të fortë. Por Tsering ishte e gëzuar, sepse për herë të parë do të ndiqte shkollën në qytetet e brendshme të Kinës.

Ajo është një prej më shumë se 143 mijë nxënësve nga Tibeti, që morën pjesë në një program arsimimi me titull “Shkollat dhe klasat e brendshme tibetiane”. Ky program, i nisur në vitin 1985, u hartua për t’u krijuar nxënësve të mirë tibetianë mundësi për të përdorur burimet më të mira arsimore në qytetet e mbarë Kinës. Deri në vitin 2019, gjithsej 75 shkolla të mesme në 20 qytete krijuan klasa të posaçme për nxënësit tibetianë ose klasa të përbashkëta për nxënësit tibetianë dhe ata vendorë.

Porta e Shkollës së Mesme “Gongkang” të Shangait, ku Tsering Yangzom shkoi për arsimim / Foto nga Tsering Yangzom

Porta e Shkollës së Mesme “Gongkang” të Shangait, ku Tsering Yangzom shkoi për arsimim / Foto nga Tsering Yangzom

Pranimi nga këto shkolla në qytetet e brendshme është shumë i kërkuar dhe konkurrenca shumë e madhe. Tsering kujton se ajo filloi të përgatitej për provimin e hyrjes dy vjet më përpara, për të shtuar mundësitë e pranimit. Në Tibet, mësuesit e kualifikuar dhe arsimimi cilësor janë të rrallë dhe ky program konsiderohet si mënyra më e mirë për nxënësit tibetianë që të kenë gjasa për të hyrë në univertetet më të mira në qytetet e brendshme të Kinës.

Shkolla e Mesme “Gongkang” e Shangait, të cilën ndoqi Tsering-u, është një nga shkollat më të mëdha me konvikt për nxënësit tibetianë në qytetet e brendshme të Kinës. Pjesa dërrmuese e nxënësve në këtë shkollë janë nga Tibeti, me një numër prej 500 në vit, ndërkohë që shkolla pranon afro 200 nxënës nga Shangai në vit. Megjithëse një pjesë prej nxënësve tibetianë janë nga qytete si Lhasa, shumë të tjerë vijnë nga familjet rurale dhe ato nomade.

Rigzin Wangyal, nga konteja Damxung, në periferinë e Lhasës, tha se ai ishte një prej tre nxënësve të vetëm nga kjo konte, të pranuar në program në vitin 2005. Por gëzimi i tij u shndërrua shpejt në dëshpërim kur arriti në Shangai, sepse mezi i kuptonte tekstet mësimore.

“Mund të flisja vetëm dialektin tibetian atëkohë, kurse gjuha standarde ishte si një gjuhë e huaj për mua,” kujton ai. Në provimin e parë në vitin e ri shkollor, ai u radhit në vendin e 28-të ndër 35 nxënësit në klasën e tij. Ishte një përvojë brengosëse.

Dy nxënës tibetianë në aktivitetin e pritjes së nxënësve të rinj në Akademinë e Teatrit të Shangait, më 13 shtator 2017/ Foto nga VCG

Dy nxënës tibetianë në aktivitetin e pritjes së nxënësve të rinj në Akademinë e Teatrit të Shangait, më 13 shtator 2017/ Foto nga VCG

Meqenëse nxënësit tibetianë kanë ndryshime të mëdha socioekonomike, si në stilin e jetesës, arsimim dhe madje dialekt, kultivimi i ndjenjës së përgjegjësisë kolektive është shumë i rëndësishëm, shkroi Wu Xiaoyun, e cila i dha mësim Tsering-ut në Shkollën e Mesme “Gongkang” të Shangait, në një artikull mbi filozofinë e saj të mësimdhënies, të publikuar kohët e fundit në llogarinë e rrjetit social të shkollës.

Pjesa dërrmuese e mësuesve në shkollë përpiqen ta përshtasin stilin e tyre të mësimdhënies dhe të krijojnë kontakte të thella me nxënësit tibetianë, tha Tsering. Në vitin e parë të shkollës së mesme, kur ajo ndihej e humbur në atë mjedis kulturor që ishte krejtësisht i panjohur për të, shkrimi i letrave mësueses së vet u bë mënyra e saj për përballimin e vetmisë.

“Kur sapo hyra në shkollë, kisha notat më të ulëta në klasë, sepse nuk kisha objektiva,” thotë Tsering. “Mbaj mend shumë qartë se asokohe mësuesja më shkroi: ‘Besoj se ke shumë më tepër potencial se kaq’.”

Shokët dhe shoqet e klasës së Tsering-ut duke bërë pushim gjatë orëve të mësimit / Foto nga Tsering Yangzom

Shokët dhe shoqet e klasës së Tsering-ut duke bërë pushim gjatë orëve të mësimit / Foto nga Tsering Yangzom

Edhe Rigzin i vlerësoi mësuesit e tij që e ndihmuan në kohën kur kishte më shumë nevojë. Gjatë dy vjetëve të parë pas pranimit në program, mësuesit luajtën rol të rëndësishëm në nxitjen e mësimit të gjuhës, tha ai. Pas kapërcimit të pengesës gjuhësore, ai i kapi shpejt mësimet në shkollë dhe në vitin e katërt, u pranua nga një prej shkollave më të mira në Shangai.

Megjithatë, pjesëmarrësit në këtë program zënë një përqindje shumë të vogël të nxënësve në Tibet. Për zgjerimin e përfshirjes në program, në vitin 2014 u krijua një model i ri i arsimimit të kombësive, me dhënien e fondeve nga rajonet bregdetare për ndërtimin e shkollave të reja në Tibet. Në Lhasë u krijuan dy shkolla eksperimentale në vitin 2014, me financim dhe staf mësimdhënës nga Pekini dhe provinca Jiangsu.

Arsimi në Rrafshnaltën Tibetiane ka pasur përparim të dukshëm gjatë viteve të fundit. Sipas librit të bardhë të publikuar kohët e fundit nga Zyra e Informacionit pranë Këshillit të Shtetit të Kinës, regjistrimi neto në arsimin fillor në Tibet tani e kalon 99.9 për qind, ndërsa regjistrimi bruto në shkollat e mesme të ciklit të ulët dhe të ciklit të lartë arrin përkatësisht 107 dhe 90.2 për qind.

Shumë të diplomuar nga programi punojnë tani si mësues, nëpunës në bankë dhe në pushtetin vendor në Tibet. Një pjesë prej tyre kanë bërë studime të mëtejshme jashtë vendit, por pjesa dërrmuese kthehen në Tibet pas diplomimit, tregon Rigzin, që tani punon në një organ të pushtetit vendor në Lhasë, pas diplomimit nga Universiteti Beihang i famshëm.

“Nuk kisha mendim tjetër përveç kthimit në Tibet pas diplomimit,” shprehet Rigzin. “Afrimin me familjen e kam vënë gjithmonë në plan në parë.”

Të diplomuarit tibetianë u japin lamtumirën shokëve të tyre të klasës pas diplomimit në Shkollën e Mesme të Kombësisë Tibetiane të Nantong-ut në provincën Jiangsu të Kinës Lindore, 11 korrik 2020 / Foto nga VCG

Të diplomuarit tibetianë u japin lamtumirën shokëve të tyre të klasës pas diplomimit në Shkollën e Mesme të Kombësisë Tibetiane të Nantong-ut në provincën Jiangsu të Kinës Lindore, 11 korrik 2020 / Foto nga VCG

Prapëseprapë, disa zgjodhën të mbeten në qytetet e brendshme të Kinës për të kërkuar më shumë mundësi. Tsering u pranua më vonë nga një prej kolegjeve më të mira në Kinë. Tani ajo punon si menaxhere e komunikacionit në një kompani globale të bioteknologjisë në Shangai.

“Eksperienca e shkollimit në klasën tibetiane në qytete të brendshme më hapi një derë dhe besoj se do të ishte e pamundur të isha në një pozicion si ai që kam sot, pa atë eksperiencë,” thotë ajo duke i hedhur një vështrim së kaluarës.

Pika më e rëndësishme nga kjo përvojë arsimore është një horizont më i gjerë, thotë Rigzin. Dhe kjo i bën tibetianët e rinj më konkurrues në botën e sotme të ndërlikuar. (Wang Lei)