Mali Jinggangshan gjendet në qytetin Jian të provincës Jiangxi në Kinën Juglindore. Lartësia më e madhe e malit mbi nivelin e detit arrin në 1779.4 metra. Në gjuhën kineze, Jinggangshan do të thotë “mali që i ngjan një pusi”.

Mali Jinggangshan është një botë pyjore. Përqindja e mbulimit me pyje e tij arrin në 81.2%, një pjesë e madhe e të cilave janë pyje të virgjra.

Llojet e kafshëve të egra në malin Jinggangshan janë gjithashtu të larmishme. Jetojnë këtu 307 lloje kafshësh vertebrore, ku përfshihen 42 lloje gjitarësh, 162 lloje zogjsh, 35 lloje peshqish etj. 105 lloje kafshësh që rriten në këtë mal janë përfshirë në listat ndërkombëtare e kineze të kafshëve të mbrojtura.

Sipas shënimeve, që në dinastinë Han Lindore (25-220), kishte njerëz që jetonin në Jinggangshan. Gjatë mijëra viteve, në këtë mal janë krijuar shumë zakone të posaçme, një nga më interesantët prej të cilëve është mosngrënia në ditën e dasmës. Sipas zakonit, në ditën e dasmës nusja merr me vete disa ushqime, si vezë, mish etj. dhe shkon në shtëpinë e re të dhëndrit. Tërë ditën nusja nuk ha asnjë ushqim të bërë nga familja e dhëndrit, por ha vetëm ushqimet që ka sjellë vetë. Ky zakon do të thotë se nusja kursen ushqimet e familjes së dhëndrit dhe jeta e ardhshme e çiftit të ri do të jetë e lumtur.

Mali Jinggangshan zë një vend të rëndësishëm në historinë moderne kineze. Në tetor të vitit 1927, Mao Ce Duni e udhëhoqi Ushtrinë e Kuqe të Kinës për në Jinggangshan, duke krijuar aty bazën e parë revolucionare rurale në Kinë. Lufta e Ushtrisë së Kuqe në malin Jinggangshan zgjati vetëm për 2 vjet e 4 muaj, por pati rëndësi të madhe për themelimin e Kinës së Re. Tani mbeten në mal mbi 100 rrënoja nga ato vite, si për shembull ish-vendbanimi i Mao Ce Dunit, spitali i Ushtrisë së Kuqe etj.

Sot mali Jinggangshan është një destinacion i famshëm turistik në Kinë. Krahas relikteve historike, peizazhet e bukura në mal tërheqin çdo vit turistë të panumërt. Në sesionin e 39-të të Komitetit të Trashëgimeve Botërore të zhvilluar në korrik të vitit 2015 në Bon të Gjermanisë, mali Jinggangshan u pranua në listën e trashëgimive botërore rezervë të UNESCO-s. (Foto nga VCG)