Shekulli i nëntëmbëdhjetë ishte koha kur Europa zbuloi Shqipërinë. Ishte pikërisht koha kur udhëtarët e huaj filluan të depërtojnë në këndin më të largët e më të panjohur të Europës. Ata promovuan etnografinë, kostumet dhe folklorin shqiptar.

Ndër ta ishin diplomati Fransua Pukëvil (François Pouqueville) në vitin 1806, arkeologu Uilliam Martin Lik (William Martin Leake), poeti i famshëm anglez, Lord Bajron dhe bashkudhëtari i tij Xhon Kameron Hobhaus (John Cameron Hobhouse) në vitin 1809, mjeku Henri Holland (Sir Henry Holland) më 1812, etj.

Tre prej tyre, Edith Durham, Xhorxh Bajron dhe Edwart Lear, të tre britanikë, janë pjesë e fokusit tonë.

Edith Durham

Edith Durham

Edith Durham

Mary Edith Durham (1863-1944) ishte një intelektuale udhëpërshkruese, artiste, shkrimtare nga Britania e Madhe, e cila u bë e famshme për shkrimet e saj antropologjike rreth jetës në trojet shqiptare, në fund të shekullit të XIX dhe fillim të shekullit të XX. Për shqiptarët në përgjithësi, Mary Edith Durham, do të mbetet “princesha” mbrojtëse, ndërsa në mesin e shqiptarëve gjeti miq të vërtetë, të cilët në çdo rast, ia hapen derën dhe nuk kursyen asgjë për të.

Edith Durham lindi në vitin 1863 në Londër. Ishte më e madhja nga 8 fëmijët. Babai i saj, Arthur Eduard Durham ishte njëri ndër kirurgët më të njohur në Londrën e shekulli 19-të. Edukimin e mori në mënyrë private dhe shfaqi talent në vizatim si edhe në përdorimin e ngjyrave të ujit, talent ky që bëri të mundur pjesëmarrjen në Akademinë Mbretërore të Arteve (Royal Academy of Arts).

Pas vdekjes së babait, Editit i’u desh të kujdesej me vite me radhë për nënën e sëmurë, që rezultoi si diçka shumë e lodhshme. Në moshën 37-vjeçare, e këshilluar edhe nga doktori i saj, ajo vendosi të udhëtonte jashtë vendit për t’u qetësuar.

U nis me anije nga Anglia, udhëtoi deri në bregun e Dalmacisë, pastaj nga Trieste deri në Kotor dhe më në fund zbarkoi në Cetinje, kryeqyteti i Malit të Zi. Kjo pjesë e vogël e harruar e botës do t’i linte asaj mbresa të thella për të gjithë jetën.

Për 20 vjet ajo udhëtoi dendur nëpër Ballkan duke u fokusuar më shumë në çështjen shqiptare, që atë kohë ishte një nga zonat më të izoluara e të prapambetura të Europës. Ajo punoi gjerësisht duke pikturuar, shkruar dhe duke mbledhur artin dhe folklorin e zonave nga kaloi. Edith Durham shkroi 7 libra rreth çështjeve të Ballkanit, nga të cilët “Shqipëria e Epërme” (High Albania), e shkruar në vitin 1909 është libri më i njohur dhe më i arrirë. Ky libër akoma edhe sot e kësaj dite, është një udhërrëfyes i mirë i kulturës dhe traditave të malësorëve të Shqipërisë Veriore.

Mikpritja që i bënë shqiptarët, respekti dhe nderimi që ata bënë për të e kishin entuziazmuar tejmase. Ajo ishte ndër intelektualet krejt të pakta të Europës, e cila mori anën e shqiptarëve, jo vetëm për shkak të mikpritjes së tyre, por në radhë të parë për shkak të gjendjes së tyre të vështirë, të rëndë dhe buzë shfarosjes.

Nga ana tjetër ajo u mirëprit nga malësorët shqiptarë dhe gjatë kalimit të saj në viset tona, Edth Durham nuk pati asnjë keqtrajtim edhe pse ishte një femër që udhëtonte e vetme.

Ajo me kohë ishte bërë zëdhënëse shpirtërore e tyre dhe kishte ushtruar sado pak ndikim edhe në politikën dhe diplomacinë e kohës. Shqiptarët e kanë nderuar dhe nderojnë Edith Durham dhe kanë respekt për të. Ajo sipas shqiptarëve është “Mbretëresha e Malësorëve.”

Lord Bajron

Lord Bajron

Lord Bajron

Një nga figurat evropiane që pati një ndikim të madh në Romantizëm por edhe në kontaktet kulturore midis botës evropiane dhe botës orientale ishte poeti romantik anglez Xhorxh Bajroni (George Bajron).

Poeti romantik lindi në Londër më 1788 në një familje aristokrate të varfëruar. Kur ishte dhjetë vjeç, me vdekjen e xhaxhait, Bajroni trashëgoi titullin Lord. Bajroni shkoi në një shkollë, ku studioi gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze. Në moshën 18 vjeçare, Bajroni hyri në Universitetin Kembrixhit. Më 1809 zuri vendin e tij në Dhomën e Lordëve, ku u shqua për idetë përparimtare. I çliruar nga vargonjtë e varfërisë, u lëshua në një karrierë dhe në jetë rebele dhe me skandale. Çmimi i paguar nga Bajroni për këtë rebelim do të ishte egzili:

Ai e la Anglinë për të shkuar në Itali në prill 1816 dhe nuk u kthye më kurrë. Po këtë vit ndërmori një udhëtim nëpër Europë.

Gjatë vizitës së tij në Shqipërinë Jugore, më saktësisht në Janinë, Lord Bajroni mori si kujtim nga ato vise një kostum tradicional shqiptar. Do të ishte pikërisht bukuria dhe e veçanta e këtij kostumi, që në verën e vitit 1813 do ta shtynin piktorin Thomas Philips që të realizonte portretin e famshëm të Lord Bajronit veshur me kostumin shqiptar, me titull “Portreti i një fisniku me veshje shqiptare” (Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian).

Midis veprave letrare të tij, një vend të rëndësishëm zë poema “Çajld Harold’s” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812-1817), shkruar në bazë të përshtypjeve nga udhëtimet e poetit në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër, Itali etj. Poemën e përshkon patosi i luftës për liri të popujve të shtypur e të robëruar.

Vizita e tij në Shqipëri, Prevezë, Janinë e Tepelenë la gjurmë të pashlyeshme tek Bajroni dhe këto mbresa i gjejmë në poemën e tij. Në të, Xhorxh Bajroni u këndoi traditave dhe zakoneve burrërore të shqiptarëve, trimërisë dhe dashurisë së flaktë të tyre për lirinë.

Te shqiptarët ai pa një shpirt të veçantë, i cili ndezi imagjinatën e tij poetike për tema ekzotike.

Lord Bajronit I njihet edhe merita e mbledhjes së dy këngëve polifonike të transkiptuara, të cilat ia shtoi Childe Harold. Në një ndër udhëtimet e tij në Shqipëri, ai jo vetëm mblodhi disa këngë shqipe, por edhe dinte t’i këndojë.

Këto dy këngë mund të kenë qenë një nga kontaktet e para të këngës labe me botën perëndimore në një tekst të shkruar, dhe përpos marshit të njohur “Tamburxhi, Tamburxhi” në “Shtegtimet e Çhilde Haroldit”, përbëjnë dëshmi të rëndësishme të përfaqësimit të kulturës shqiptare në botë.

Edward Lear

Edward Lear

Edward Lear

Eduard Lir (Edward Lear) ishte një poet dhe piktor, i punësuar për të udhëtuar e vizatuar zogj e kafshë, peisazhe, njerëz, veshje, shtëpi e kështjella, në rajonin e Mesdheut.

Eduard Lir ndoshta ka qenë i pari udhëtar e shkrimtar që bëri një udhëtim të plotë nëpër Shqipëri, jug e veri, ndonëse kjo ndodhi në mënyrë disi të rastësishme. Në shtator të vitit 1848, kur po shkonte në Greqi dhe mbërriti në Selanik, atje shpërtheu një epidemi kolere. E vetmja mënyrë për të dalë nga Selaniku dhe për të shmangur një karantinë të gjatë, ishte që të shkonte drejt veriut, drejt një territori të panjohur, përmes viseve të pashkelura shqiptare. Dhe Liri guximtar pikërisht këtë bëri. Ditari i udhëtimeve të tij nëpër Shqipëri, nga Manastiri për në Ohër, Tiranë dhe Shkodër, dhe pastaj prej atje në drejtim të jugut në Himarë, Çamëri dhe Greqi, është një prej librave më të mrekullueshëm që janë shkruar ndonjëherë për këtë vend në gjuhën angleze.

Shkodra ne peizazhin e Edward Lear

Shkodra ne peizazhin e Edward Lear

Edward Lear nuk është se ka ndonjë emër legjendë në historinë e pikturës, në botën e artit britanik dhe atë botëror. Por është një artist i mirë i peizazhit dhe i përshkrimeve të udhëtimit, të cilat na përcjellin me një vërtetësi dhe ngrohtësi jetën dhe peiyazhin e Shqipërisë së shekullit XIX.

Pas kthimit në Angli ai botoi “Ditarët e një peizazhisti në Shqipëri” (1851). Talenti origjinal, gjallëria e përshkrimeve në librat e udhëtimit dhe korrespondenca e këndshme e bënë Lirin një nga udhëtarët më të dashur të shekullit XIX. Edwardi krijoi vepra madhore, ndër të cilat edhe mbi 100 peizazhe mbi Shqipërinë. Shumica e këtyre peizazheve janë akuarele dhe litografi. Përshkrimet e bëra nga Edwardi nëpër Shqipëri janë botuar në një përmbledhje nën titullin “(Edward Lear në Shqipëri: ditari i një piktori peizazhist në Shqipëri dhe Iliria (Edward Lear in Allbania: Journalls off a Landscape Painter in Albania and Illyria). Po kjo vepër është përkthyer edhe në gjuhen shqipe.

Neritana Kraja