Bashkim Hoxha është një shkrimtar postmodernist dhe një gazetar i njohur shqiptar. Ai ashtë autor i mjaft romaneve, por dhe dramave ndër të cilat “Kronikat e mjegullës”, “Gruaja e shiut”, “Heronjtë e viagrës”, “Romancë në ditën e krijimit”. Romanet e Bashkim Hoxhës “Ballkan Hotel” dhe “Ground Zero” janë botuar dhe në anglisht.

Krijimet e Bashkim Hoxhës dallohen për ndërthurje të teknikve teatrale dhe filmike me letërsinë. Tashmë pritet të dalë nga shtypi romani i Bashkim Hoxhës “Kronikat e mjegullës” në gjuhën rumune, përkthyer nga albanologu Cristian Besleaga.

Shkrimtari Bashkim Hoxha dhe përkthyesi rumun Cristian Besleaga

Shkrimtari Bashkim Hoxha dhe përkthyesi rumun Cristian Besleaga

CMG: Si u realizua ky bashkëpunim?

Bashkim Hoxha: Ishte një komunikim në largësi me Cristian-in, me të cilin komunikuam nëpërmjet facebook-ut. Cristiani më tha se kam dëshirë të përkthej ndonjë libër tuajin dhe unë mendova se do të ishte më mirë “Kronikat e mjegullës”, që sapo ishte botuar në Shqipëri dhe ishte mirëpritur nga publiku. Kështu që dëshira e Cristian-it për ta përkthyer më erdhi në një kohë të përshtatshme dhe ramë dakord dhe ai nisi punën.

CMG: Ky është libri juaj i parë i përkthyer në gjuhën rumune?

Bashkim Hoxha: Po. Kam përshtypjen se është përkthyer jashtëzakonisht mirë sepse pashë parathënien e librit bërë nga një studjuese rumune dhe ajo e kishte perceptuar librin sikur ta kishte lexuar në gjuhën shqipe.

CMG: Po i drejtohem Cristian-it, i cili ka afro 30 vjet që merret me gjuhën shqipe. Ai është autori i Gramatikës së Gjuhës Shqipe në rumanisht, por ky është përkthimi i parë nga letërsia shqipe.

Cristian Besleaga: Po është përkthimi i parë nga shqipja. Librat e Bashkim Hoxhës kanë qenë ndër librat e parë që kam lexuar në shqip. “Njeriu tjetër” ka qenë libri i parë nga Bashkim Hoxha që kam lexuar në shqip dhe u gëzova jashtë mase kur shkrimtari Bashkim Hoxha më propozoi të përktheja “Kronikat e mjegullës”. Nuk e kisha lexuar, por pasi e lexova mendova se romani duhej përkthyer në rumanisht sepse është mjaft i mirë.

Madje dhe studjuesja që zoti Bashkim pëermendi pak më parë më tha se ky libër është një kryevepër dhe lexuesit rumunë do e blejnë dhe do e lexojnë .

LIbri i Bashkim Hoxhës në gjuhln rumune

LIbri i Bashkim Hoxhës në gjuhln rumune

CMG: Ju zoti Bashkim si e keni menduar ta dërgoni “Kronikën e mjegullës” te lexuesit rumunë?

Bashkim Hoxha: Unë kam dëshirë që në bashkëpunim me Ambasadën tonë, me të cilën kam filluar komunikimin, t’u çoj disa kopje libri të gjithë gazetarëve të kulturës. Në fund të gushtit unë do të jem në Rumani në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Sibiu, ku lexohet një prej komedive të mia, komedia “Tag”, që më parë është vënë në skenë nga Teatri Kombëtar këtu. Me këtë rast do të bëj dhe një promovim në Bukuresht të librit, por ndërkohë shqiptarët që ndodhen në Rumani kanë treguar interes. Kështu Luan Topçiu do të botojë një fragment në revistën “Albanica” që boton ai. Ne duam që libri të shkojë te lexuesi rumun dhe të mos ngelet thjesht një numër botimi dhe kaq.

CMG: Cristian, pas kësaj sprove të parë të përkthimit të letërsisë artistike shqipe, do të kishe dëshirë të vazhdoje përkthimin:

Cristian Besleaga: Po, po, patjetër. Tashmë e dimë se cili do të jetë libri i dytë që do të përkthej në rumanisht dhe shpresoj që në shtator të filloj përkthimin dhe ndoshta në dhjetor kur do të jetë Panairi i Librit në Bukuresht, libri të promovohet atje. Edhe në revistën “Drita” të Shoqatës së Shqiptarëve në Rumani do të botohet studimi i studjueses rumune për librin “Kronikat e Mjegullës”.

CMG: Pra pak nga pak do të quhesh përkthyesi rumun i Bashkim Hoxhës?

Bashkim Hoxha dhe Cristian Beseaga (Gazeta Nacional)

Bashkim Hoxha dhe Cristian Beseaga (Gazeta Nacional)

Bashkim Hoxha: Jo vetëm i Bashkim Hoxhës.Do të doja që Cristiani të ishte përkthyesi i letërsisë sonë më të mirë, sepse është ndoshta përkthyesi më i mirë i gjuhës rumune.

CMG: Zoti Bashkim, ju jeni një mga ikonat e emisioneve televizive të mëngjesit në Shqipëri. Emisioni “Koha për t’u zgjuar” ka nisur në vitin 1997

Bashkim Hoxha: Më 21 mars të vitit 1997 ka nisur dhe vitin që vjen bëhen 25 vjet.

CMG: Pra një çerek shekulli e daljes suaj të përditëshme në ekranin e televizorit! Cili është sekreti i kësaj lidhjeje të gjatë mediatike me publikun?

Bashkim Hoxha: Emisioni është ndërtuar si një bashkëbisedim me publikun ku protagonist i vërtetë nuk jam unë që dal në ekran, por publiku me problematikat që sjell, opinionet, debatet e replikat. Kam përshtypjen se sekreti është pikërisht te ky komunikim i sinqertë sepse në këto 25 vjet publiku ka pasur nevojë për t’u shprehur dhe ka gjetur një komunikim në këtë dritare të hapur që quhet “Koha për t’u zgjuar”.

CMG: Me çfarë po merreni tani?

Bashkim Hoxha: Tani për tani jam duke iu gëzuar botimit në Rumani. Është një eveniment dhe ndjehem mirë kur një lexues i huaj sheh problematikat tona, letërsinë tonë me respekt, siç e pa përkthyesi.

CMG: Po ju Cristian keni ndonjë projekt me shqipen?

Cristian Besleaga: Javën tjetër do të mbroj temën e diplomës së Masterit, pas 2 vjet studimesh për këtë në Universitetin e Tiranës për gjuhësinë e sotme. Është një studim për përkimet bashkëkohore midis shqipes dhe rumanishtes.

Intervistoi Eda Merepeza