Amarildo Ruçi është një piktor i ri në moshë, por shumë i talentuar dhe i veçantë dhe lidhja e tij me pikturën ka nisur që në fëmijëri. Ai pikturon me gishta dhe është modeli pozitiv i të rinjve të talentuar. Kontakti me pikturat e femijërisë e ngacmoi personin që rrinte i fshehur brenda Amarildos, kur vendosi të flakë penelat dhe të pikturojë me gishtërinj, duke ia dalë të realizojë piktura shumë interesante. Në një intervistë për CMG Amarildo flet për ekspozitën e tij të fundit “Revival” (Ringjallja) si dhe projektet që ka për të ardhmen në fushën e pikturës.

Amarildo Ruci ne interviste per CMG

Amarildo Ruci ne interviste per CMG

CMG: Amarildo përshëndetje dhe mirë se vjen në Radio Ejani !

Amarildo Ruçi: Përshëndetje dhe kënaqësi të jem me ju sot!

CMG: Amarildo, në këto ditë të nxehta vere ju vini me ekspozitën e radhës, që e keni quajtur Ringjallje. Na flisni pak për këtë ekspozitë?

Amarildo Ruçi: Kjo ekspozitë e radhës personale vjen pothuajse pas një viti, pas ekspozitës time që kisha në Muzeun Historik Kombëtar. Është një ekspozitë, e cila titullohet Ringjallja ose Revival në anglisht, e cila prek të gjithë qenien njerëzore në të gjithë natyrën e saj, me emocionet, ndjesitë edhe përjetimet të cilat i kemi hasur këtë periudhë të paspandemisë edhe në marrëdhëniet mes njerëzve në mjedisin që na rrethon dhe në marrëdhënie me të tjerët. Është pak a shumë filozofia artistike e imja, e cila më ka ndjekur që i vogël dhe vazhdon më ndjek një lloj surralizmi simbolik, i cili nuk është parë më parë.

CMG: Sa punime përmban kjo ekspozitë dhe si është pritur nga vizitorët vendas dhe të huaj, që kanë ardhur për ta vizituar?

Amarildo Ruçi: Unë jam njeri shumë krijues mund ta them dhe përpos pjesës që ndoshta kam bërë disa reduktime në studio, kjo ekspozitë përmban rreth 60 punime ku 50 janë të ekspozuara dhe të ndara në dy cikle, ndërsa 10 të tjera janë pjesë instalacioni të titulluara “Dhoma e artistit”. Edhe pse jemi në fillim ose në kulm të një sezoni veror ka pasur shumë vizitorë, edhe natën e hapjes por dhe në ditët në vazhdim. Një gjë që kam vënë re e cila është shumë pozitive është pjesëmarrja e rinisë në ekspozitat e pikturës, ndoshta është një lloj ndryshimi që kam përcjellë sadopak në rininë shqiptare për të qenë pjesë e ekspozimeve si në koncertet e muzikës ose në evente të tjera, dhe kjo është diçka mjaft pozitive. Gjithashtu kanë qenë të pranishëm edhe përpos pjesës profesioniste të pikturës edhe miqëve të mi artistë të cilët janë gjithmonë në ekspozimet e mia, ka pasur dhe të huaj ku pjesa më e madhe janë turistë që kanë ardhur për të parë Tiranën dhe kanë parë dhe art gjithashtu, i cili është një ambasador tepër i mirë për ne dhe për kulturën tonë jashtë vendit.

Amarildo ne ekspoziten e tij Ringjallje

Amarildo ne ekspoziten e tij Ringjallje

CMG: Ju edhe gjatë pandemisë arritët të hapnit një ekspozitë me 40 punime. Pra karantina ju frymëzoi për të pikturuar dhe më pas t’i ekspozonit këto punime?

Amaildo Ruçi: Është e vërtetë dhe besoj se në përditshmërinë e një artisti izolimi ose pandemia, e cila preku të gjithë njerëzit, ndoshta tek ne nuk bëri ndonjë ndryshim të madh sepse një artist kur krijon shumicën e kohës e kalon vetëm, por ndryshoi tek frymëzimi dhe perceptimi sidomos te mua sepse krijimtaria ime ndryshon shumë me mjedisin që e rrethon, e situatave, njerëzve. Unë jam shumë shpirtëror, më tepër se mekanik në krijimin e pikturës dhe gjithë tematika ka qenë një bum frymëzimi, si një lloj vullkani në atë periudhë, e cila për rreth 4 muaj u krijua në mënyrë intensive dhe preku të gjithë situatën që po kalonim, pati një simbolikë që në pamje të parë dukej fëminore si tullumbaci, por ishte më tepër filozofike edhe ishte pak loja me ngjyrat por dhe me pjesën e jetës të cilën e bëra një paralelizëm me tullumbacin që ishte aq i bukur, por aq i pasigurt në të njëjtën kohë, mjaftonte një pickim që të shpërthente.

Situata në atë kohë ishte e vështirë sepse kaluam edhe tërmetin por edhe pandemia dhe gjithë njerëzit po reflektonin dhe po i jepnin rëndësinë e duhur jetës dhe gjërave që nuk i kishin vënë rëndësi më përpara. Ajo ekspozitë prekte pak a shumë këtë lloj dimensioni.

CMG: Amarildo ju jeni në një moshë të re, por keni arritur të ecni shumë në rrugën e artit. E veçanta juaj është se ju pikturoni me gishta dhe kjo ju bën unik në fushën e pikturës. Të ndihmon ky stil i veçantë i të pikturuarit?

Amarildo Ruçi: Ka nisur rreth pesë vite më parë mund të them ekspozitat me anë të kësaj teknike, një rikthim dhe akumulim krijimtarish shumë i fuqishëm, i cili besoj më ktheu në këtë lloj identiteti artistik. Besoj që është unikale dhe unë përdor të gjithë elementët e dorës dhe besoj se te çdo artist teknika është pjesë e personalizimit të tij. Gjithësecili prej nesh duhet ta respektojë teknikën e tjetrit dhe krijimtarinë e secilit, kështu që është një pjesë e rëndësishme e vazhdimësisë time artistike dhe mënyrës se si unë komunikoj me veprën përpos ideologjisë, pra është një gërshetim për të qenë artist i mirfilltë dhe i sinqertë me atë që bën dhe me atë që përcjell.

Rrugëtimi sado që ka qenë i bukur, ka pasur edhe vështirësitë e veta të cilat nganjëherë duhet t’i përdorim për mirë, për t’u përmirësuar dhe për të krijuar në vazhdimsi, por siç e dini mosha është shumë e re, por ajo që bën nuk ka moshë, dhe unë e besoj shumë në art këtë.

Ka ndodhur që një artist mund të jetë në një moshë 70 vjeçare dhe një nga pikturat që ka realizuar në moshën 22-23 vjeç të jetë ndër më të vlerësuarat. Asnjëherë nuk i dihet kur mund të ndodhi kryevepra jote ose kush është vepra jote më e mirë, por rëndësi ka që të ndiqet kjo krijimtari, mos të ndalosh dhe të japësh maksimumin. Deri tani intensiteiti i krijimtarisë ka qenë i madh dhe jam munduar të bëj një lloj ndryshimi në artin shqiptar në përgjithësi dhe sado i vogël, por të ketë ndikim dhe tek rinia dhe të jetë një lloj motivimi që të gjithë ata që janë të talentuar në fushën e artit të ndjekin ëndrrat e tyre.

Amarildo Rcui gjate ekspozites

Amarildo Rcui gjate ekspozites

CMG: Përveç talentit dhe punës tuaj, kush ka qenë mbështetja juaj më e madhe në rrugëtimin artistik?

Amarildo Ruçi: Një nga pikat kryesore fillimisht është familja dhe rrethi i ngushtë besoj se janë pikat që çdo person jo vetëm në varësi të moshës por çdo artist personat që ka rreth vetes duhet t’i ketë shumë përkrahës në atë që bën sepse siç dihet ky është një rrugëtim jo i lehtë dhe ne artistët i kemi ato luhatjet emocionale dhe pak më të theksuara sesa të tjerët. Kjo kërkon një mbështetje morale sesa në natyrat e tjera. Unë dua ta përmbledh një lloj falenderimi për të gjithë ata profesionistë, familja, miqtë dhe persona të tjerë që kanë qenë pjesë e rrugëtimit tim dhe gjithmonë kanë besuar te ajo që unë bëj. Besoj që dhe unë ja kam shpërblyer në një lloj forme duke i dhënë kënaqësinë nëpërmjet këtyre punimeve dhe sidomos kësaj ekspozite të fundit e cila është pritur mjaft mirë dhe ka sjellë një ndryshim në ecurinë time artistike, një ringjallje artistike por edhe një ringjallje shpirtërore besoj e imja e cila shikohet në pjesën e koloritit dhe imagjinatës e cila është më ndryshe sesa në ciklet e tjera.

Amarildo me vizitoret ne ekspoziten e tij

Amarildo me vizitoret ne ekspoziten e tij

CMG: Si e shikoni rrugëtimin tuaj artistik në të ardhmen?

Amarildo Ruçi: Të ardhmes nuk i dihet, por njeriu gjithmonë e ndërton një lloj vizioni ku duhet të arrijë. Gjithmonë është veprimi i të tashmes që na çon drejt të ardhmes dhe unë besoj se tani kam pasur një ecuri shumë të mirë dhe me ekspozicione në Shqipëri dhe jashtë dhe po mendoj për plane jashtë Shqipërisë, ku një nga vendet mund të jetë Amerika ose në Europë sërisht, ndoshta jo në Itali por në një vend tjetër. Kam patur kërkesa pas kësaj ekspozite nga njerëz për në Poloni dhe vende të tjera ku mund të bëj një ekspozitë dhe shpresoj të realizoj një ekspozitë tjetër sa më parë dhe ta përcjellë artin tim sa më larg të jetë e munduar sepse vetë arti është një nga gjërat që ka pjesën më të bukur sepse flet me të gjithë njerëzit kudo që janë dhe ky është një avantazh që kemi ne artistët e artit pamor ngaqë përdor dhe pjesën e instalacioneve përpos pikturës dhe arti pamor besoj i mbledh të gjitha.

CMG: Amarildo të falenderoj për këtë intervistë dhe të uroj shumë suksese.

Amarildo Ruçi: Kënaqësia ishte e imja dhe shpresoj që përpos ekspozitës të kem dhënë dhe një lloj mesazhi te të gjithë rreth artit dhe vazhdimësisë së jetës.

Intervistoi: Gazmend Agaj