Në skenën e teatrit dhe kinemanë shqiptare mbetet ndër aktoret më të vlerësuara.

Në moshën 87 vjeçare, si për të kurorëzuar një karrierë që nuk ka stopuar në asnjë moment, aktorja rrëmben çmimin “Artisti i Europës 2021”.

Kjo është e mrekullueshmja, aktorja, Margarita Xhepa, së cilës koha vetëm i ka shtuar fisnikërinë, ndërsa rolet edhe pse tani të rralla, vazhdojnë të jenë brilantë dhe, pse jo, sfidues. Me një të tillë ajo bindi jurinë e para pak ditëve në festivalin e Strugës, për çmimin të cilin e ëndërron çdo aktor i Ballkanit, i ri apo artist karriere qoftë ai.

Në edicionin e tij të 19-të, festivali ndërkombëtar i teatrit, “Actor of Europe”, që zhvillohet nën siglën “Liqen pa Kufij” në Prespë të Maqedonisë të Veriut, shpalli çmimet për artistët, ku zonjës Margarita Xhepa iu dha çmimi më i lartë, “Aktori i Europës 2021” për interpretimin e saj në rolin e “Zonjës Mëmë” tek shfaqja “Kush e solli Doruntinën”, me regji të Laert Vasilit, i cili gjithashtu u vlerësua në këtë festival online.

Juria e festivalit, e përbërë nga tre profesionistë të skenës, vlerësuan me çmimin “Aktori i Europës 2021” aktoren shqiptare e cila interpreton një rol të rëndësishëm në shfaqjen e regjisorit Laert Vasilin, me titull “Kush e solli Doruntinën”, bazuar në novelën me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë.

Në fakt, ky produksion teatror u realizua disa vite më parë si bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Kulturës, teatrit “Aleksandër Moisiu”, Laert Vasilit dhe mbështetjen e Teatrit Kombëtar. Në këtë produksion teatror, për herë të parë u bënë bashkë në skenë disa prej ikonave më të shquara të skenës dhe teatrit shqiptar si: Margarita Xhepa, Bujar Lako dhe Viktor Zhusti. E ndërsa kjo shfaqje ishte e fundit për aktorin e ndjerë Bujar Lako, për aktoren Margarita Xhepa u shpërblye me disa çmime njëri pas tjetrit, ku më i rëndësishmi është “Aktori i Europës”, një çmim mjaft ngazëllyes.

Në role interpretojnë edhe aktorët e tjerë më të rinj, Laert Vasili, Luli Hoxha, Mimoza Marjanaku, Suela Bako, Eralda Çaushi, Gjergj Doçi, Amos Muji Zaharia dhe Xhejni Fama.

“Kush e solli Doruntinën” ka qenë disa vite më parë premierë në skenë. Regjisori i shfaqjes, Laert Vasili solli përpara publikut një version ndryshe të legjendës, të plotë dhe të pacensuruar. Si regjisor, zgjodhi të trajtonte këtë legjendë për vetë diskutimet që e shoqërojnë, pasi prej shekujsh ballkanasit kanë dashur të marrin të drejtat e saj.

Doruntina është e shqiptarëve, kjo pasi besa është një nga vlerat identifikuese të popullit tonë. E gjithë legjenda mbështetet mbi besën që Kostandini i ka dhënë motrës së tij. Kulla e Vranajve është mbyllur pas humbjeve të bijve. Mes mjegullës, zisë e tymnajës së ëndrrave mesjetare, Kapiteni Stres del në skenë me flokë të pluhurosur e rroba me baltë.

Nën një varr të ri, gropos një rrobë. Doruntina e kthyer pas tri vitesh nga Bohemia e largët, ka mësuar se vëllezërit janë shuar, ndërsa e ëma është tronditur nga pohimi i saj se atë e solli Kostandini. Kapiteni ka marrë urdhër të zbulojë “Kush e solli Doruntinën”, mbasi i ka pëshpëritur një varri të fshehtat e tij. Sikurse pohon vetë aktorja, roli i “Zonjës Mëmë” në këtë shfaqje, është ndër më të dashurit e saj.

Artisja e popullit Margarita Xhepa ka një hapësirë të gjërë rolesh në skenën e Teatrit Kombëtar dhe në kinematografinë shqiptare.

Margarita Xhepa është një nga ato aktore, ndoshta të rralla në historinë e aktrimit shqiptar, që rrezaton në tërë qenien e saj shumë dritë. Eshtë një dritë e brendshme, pjesë e pandarë e portretit, gjestikulacionit dhe të folurit. Nga ana tjetër në portretin e saj ka shumë mirësi, butësi si dhe bukuri e hijeshi prej aristokrateje. Gjatë gjithë karrierës, mënyra e saj e artikulimit të fjalëve dhe shkëlqimi i syve, që shfaqnin një botë shpritërore të jashtëzakonshme, ishin dy cilësi që e shoqëruan aktoren në çdo moment, duke e ndihmuar drejt suksesit, i cili gjithsesi nuk ishte aspak i rastësishëm. Pas tij fshihet puna e një gruaje artiste, e një nëne aktore dhe e një njeriu shumë punëtor dhe kërkues.

E cilësuar dhe si një nga femrat më të bukura shqiptare, portreti i saj dhe sot në moshën 87 vjeçare vazhdon të jetë i tillë. Duket sikur koha nuk i ka dëmtuar asgjë, vazhdon të jetë e bukur, fisnike dhe plot pasion për profesionin e saj. Vetëm disa ditë më parë aktorja shijoi një tjetër çmim që në karrierën e saj, në fakt janë të shumtë.

Një jetë pranë teatrit dhe filmit e kanë bërë aktoren Margarita Xhepa një emër që ngado që shkon suksesi e ndjek pas. “Artiste e Popullit”, “Nderi i Kombit”, mes vlerësimeve që ka marrë, veçojmë dhe atë në vitin 1997 ku interpretoi në filmin grek "Mirupafshim" (regjisor J. Koras, K. Vupuras). Filmi u laureua me Çmimin e Madh në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa Margarita Xhepa mori Çmimin e Nderit.

Margarita Xhepa u lind në Lushnjë në vitin 1932. Në vitin 1950 shkon në Tiranë ku mëson pranë Teatrit Popullor. Në vitin 1952 fillon punë në Estradën e Shtetit, dhe që nga viti 1957, rikthehet në Teatrin Kombëtar për të mos u larguar më prej tij. Roli I parë i saj ishte tek “Orët e Kremlinit”, ndërsa rolet në të cilat shkëlqeu ishin Ofelia në tragjedinë “Hamleti” dhe Klea tek “Dhelpra dhe rrushtë”. Më pas ajo ka interpretuar në pothuajse në të gjitha pjesët e suksesit të këtij teatri, si “Mbreti Lir”, “Morali i zonjës Dulska”, “Aurturo Ui”, “Rikardi i III”,”Luiza Miler”, “Vizita e Inspektorit”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Trojanët”, “Elektra”, etj.

Tepër e gjatë është lista e interpretimeve në kinema. Për vite me radhë ka qenë një nga aktoret më të preferuar të regjisorëve, për origjinalitetin, natyrshëmrinë, talentin dhe paraqitjen e jashtme, të cilat ishin tipare lehtë të evidentueshme të aktores. “Tokë e përgjakur”, “Pylli i lirisë”, “Gjeneral gramafoni”, “Koncert në vitin 1936”, “Apasionata”, “Dora e ngrohtë”, “Dimri i fundit”, “Një djalë dhe një vajzë”, “I dashur armik”, janë vetëm disa nga titujt ku ka interpretuar dhe shkëlqyer aktorja e madhe.

Margarita Xhepa mban titullin “Artiste e popullit” dhe jeton në Tiranë. Njëri nga djemtë e saj është aktori i njohur i teatrit dhe filmit Ndriçim Xhepa, me të cilin aktorja ka interpretuar edhe disa role.

Çmimi i fundit “Aktori i Europës 2021”, është një çmim i lartë vlerësues për aktoren që nuk njeh moshë.

Neritana Kraja