Mund të keni bërë plazh në çdo breg të Shqipërisë, mund të keni shkelur në çdo qytet të saj, por nëse nuk keni bërë një udhëtim në Tropojë, keni lënë shumë gjëra pa parë.

Tropoja, e pozicionuar në skajin më verior të vendit, në fakt është një mrekulli e natyrës, të cilën ne jua propozojmë si destinacion të fundjavës. Për çfarë ta zgjidhni Tropojën?

Për afërsinë me alpet, rrugët gjarpëruese mes pyjesh, lisat dhe pishat e larta, oksigjenin, ushqimin e mirë dhe pamjet si të dala nga përralla. Mbi të gjitha për Valbonën fantastike, e cila jo rastësisht është përfshirë në të gjitha guidat turistike si një atraksion si nuk duhet humbur.

Nëse keni vendosur të shkoni në Tropojë, fillimisht duhet të zgjidhni, do fokusoheni vetëm tek Lugina e famshme e Valbonës dhe të deheni vetëm nga prezenca e saj, apo do të vizitoni qytetin e Bajram Currit, për një kënaqësi më shumë?

Realisht mund t’i përfshini të dyja këto opsione në një udhëtim të vetëm, gjatë një fundjave të paharruar, mes Alpeve.

Qyteti Bajram Curri

Qyteti Bajram Curri

Si të shkoni në Tropojë?

Udhëtimi në drejtim të Tropojës, mund të bëhet në disa mënyra. Itinerari më i përdorur dhe më i zakonshëm, është përmes Komanit, me traget për në Fierzë, e cila ndodhet vetëm 30 minuta nga qyteti i Bajram Currit, që është edhe qëndra e Tropojës.

Itinerari i dytë është ai që shtrihet tërësisht në rrugë tokësore. Ky itinerar njihet ndryshe si “rruga e Qafës së Malit”. Udha kalon nga Miloti, Puka, Malësia e Mirditës, vazhdon në veri të vendit, pranë Kukësit dhe shkon në drejtim të Tropojës. Por kjo është një rrugë e gjatë dhe në kuadrin e një udhëtimi turistik, duket pak e mundimshme.

Por ka edhe një mundësi të tretë e cila e shkurton mjaft rrugën: kapërceni kufirin e Qafë Morinës, kaloni Prizrenin, Gjakovën dhe pastaj hyni në Bajram Curri. Rruga në këtë rast zgjat 4 orë, nga 8 orë që zgjat në itinerarin e rrugës tjetër tokësore.

Por pavarësisht rrugës që do të zgjidhni, ia vlen mundimi, për të vizituar një nga vendet më të bukura të Alpeve shqiptare.

Bjeshke ne tropoje

Bjeshke ne tropoje

Tropoja ofron mundësi të shumta eksplorimi dhe argëtimi. Malet e lartë, bimësia e dendur, ajri i pastër, ushqimi i mirë, janë një ftesë e hapur për turistët që preferojnë sezonin e pranverës, verës dhe vjeshtës për të vizituar Tropojën malore.

Me të mbërritur në Bajram Curri do ju tërheqin vëmendjen ndërtesat e stilit alpin dhe mikpritja e banorëve. Do ju presin për mirëseardhje me ujë të ftohtë burimi, me një kafe dhe raki, por pas kësaj hyrje ftuese, tavolina juaj do të mbushet me ushqime nga më të shijshmet.

Këtu dëgjohen vec cicërimat e zogjve dhe lahuta e ciftelia. Këtu sheh edhe banorë të veshur me kostume tradicionale. Mos hezitoni, por nisni menjëherë të eksploroni.

Ndër atraksionet impresionuese është vizita në Hidrocentralin e Fierzës, një objekt madhështor dhe mbresëlënës që mund të vizitohet duke marrë leje paraprake nga autoritetet përkatëse. Hidrocentrali me të vërtetë është një objekt madhështor që ofron supriza të pa fund gjatë eksplorimit të tij deri në 170 metra në thellësi të tokës.

Për fëmijët, gjatë sezonit të fillimit të verës, mjaft impresionuese është turi për mbledhjen e qershive. Në këtë zonë bëhen qershi nga më të mirat dhe nëse planifikoni një vizitë, gjatë kësaj periudhe, mos e lini pa marrë pjesë një eksperiencë të tillë.

Por ndër eksperiencat më impresionuese gjatë një fundjave në Tropojë, pa dyshim është Lugina e Valbonës, një nga destinacionet më të pëlqyera nga turistët vendas, por edhe të huaj, të cilët janë të mahanitur nga ajo cfarë natyra ofron. Nëse jeni në Bajram Curri, me makinën tuaj, ose me një furgon, për rreth 1 orë e gjysëm jeni në luginën e Valbonës.

Parku Kombëtar “Lugina e Valbonës” ka një sipërfaqe prej 8000 ha dhe konsiderohet si mrekullia e Alpeve Shqiptare. Ndodhet 25-30 km në veri-perëndim të qytetit të Bajram Currit. Shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinte.

Mengjes ne Tropoje

Mengjes ne Tropoje

Lugina e Valbonës

Nëse ju keni zgjedhur si destinacion vetëm Luginën e Valbonës, atëherë nuk ka nevojë fare të shkoni në Bajram Curri. Pasi ky udhetim përfshihet në guidat e pothujase të gjitha agjencive të udhëtimit dhe është kaq interesant! Sigurisht mund ta bëni edhe privatisht, mjafton që të ndiqni hapat e duhur.

Një udhëtim i tillë duhet planifikuar në dy ditë dhe është mirë që aventura juaj të nisë që në orët e para të mëngjesit.

Për të arritur në pikën e nisjes së trageteve në Koman, nëse niseni nga Tirana, llogariteni që të niseni sa më herët në mëngjes.Në Koman, mund te zgjidhni tragetin Ferry Berisha, nese jeni me makine dhe “Dragobia”, ku mund të hipin vetëm njerëzit, kafshët shtëpiake dhe biçikletat.

“Ferry Berisha” udhëton nga prilli deri në tetor, në çdo ditë të javës, duke u nisur në 9.00 të mëngjesit nga terminali i Komanit dhe, pas një udhëtimi dy orë e gjysmë, do të arrini në Fierzë.

Ndërsa trageti “Dragobia”, është aktive gjatë gjithë vitit (madje edhe në muajt e dimrit) dhe mbulon itinerarin Fierzë-Koman-Fierzë çdo ditë me nisje nga Fierzë në 6.00 dhe nga Koman në 9.00.

Udhëtimi me traget në Liqenin e Komanit është një nga më të bukurit, liqeni është i rrethuar nga Alpet të cilat ofrojnë pamje spektakolare dhe panorama unike. Ky liqen vlen të vizitohet nga çdo pikëpamje. Shumë e konsiderojnë këtë vend si një vend pothuajse ekzotik, por mikpritja tradicionale e vendasve nuk mungon.

Ky udhëtim është ideal për familje me fëmijë të rritur, pasi rruga për të arritur atje është sfiduese, edhe pse peizazhi e shpërblen mundin tuaj.

Turin e Valbonës ju mund ta bëni në një ose dy ditë . Në varësi të kohëzgjatjes, përcaktohet edhe çmimi. Nëse zgjidhni paketë një ditore, çmimi kushton 30 euro personi, nëse zgjidhni paketë dy ditore, atëherë paketa juaj kushton 70 eruo personi. Drekat janë të përfshira në çmim dhe me të arritur do të mund të drekoni në një nga bujtinat që ofrojnë menu bazuar në pjatat tipike lokale. Para drekës, ju mund të zgjidhni të pushoni në plazh, të bëni trekking në mjedis, kajak ose (me një kosto shtesë prej 10 € / person) të shkoni në lumin Shala, një nga thesaret e fshehura të Shqipërisë.

Në drekë do të konsumoni ushqime të freskëta dhe të shijshme, ndërsa pjesë e atraksioneve për tu vizituar në luginën e Valbonës, janë, ujëvara e Rrogamit, Liqeni i Xhemës dhe Mulliri i Vjetër. Në fshatin Valbonë, do të gjeni një vendbanim me burime të shumta uji të ftohtë që rrjedh nga shkrirja e borës në male, me pisha që arrijnë deri poshtë në fshat në bahçet dhe oborret e shtëpive.

Në Dragobi, fushat e blerta janë një mundësi e mirë për ata që janë të interesuar të angazhohen në aktivitete sportive apo lojërat me top. Ndërsa për ato që kërkojnë më shumë, burimi i lumit Valbona, një perlë e natyrës, ndodhet rreth 40 minuta udhëtim në veri të fshatit Valbona, duke kaluar fshatin e Rragamit të Shalës.

Nata mes malesh është e qetë dhe e mbushur me oksigjen. Në mëngjes do të zgjoheni të freskët dhe plot energji.

Për mëngjesin bujtinat ofrojnë produkte bio të zonës, ju mund të shijoni mjaltin e gështenjave, reçelin e boronicës, gjalpin e dhisë dhe qumështin e freskët. Edhe ju e fëmijët tuaj mund të bëhen pjesë e mjeljes së bagëtive dhe zierjes së tij. Në fund të fundit, po përgatisni me duart tuaja, mëngjesin tipik të alpeve, mes një bukurie të rrallë që natyra e ka ofruar me shumë bujari.

Neritana Kraja