Lulet jo vetëm zbukurojnë oborret, kopshtet dhe natyrën, por ne të gjithë ndihemi të ngazëllyer kur mësojmë se pas bukurisë, ngjyrave dhe aromës së tyre, fshihen histori që koha i ka krijuar dhe njerëzit i kanë ruajtur në kujtesën e tyre të brezave. Janë tre lule të mrekullueshme dhe historitë e bukura që ato mbartin në shekuj apo dekada, Irisi i Ilirisë, Lule Saranda dhe Lule Dërhani. Historitë e tyre janë vërtet impresionuese.

Iris Ilire

Iris Ilire

Irisi i Ilirisë

Të gjithë e njohin si “Irisi i Ilirisë”, një lule që e ka vendlindjen në tokat historike të Ilirisë së lashtë. “Irisi i Ilirisë” edhe sot e kësaj dite rritet në gjendje të egër dhe natyrale në të njëjtat pllaja si edhe mijëra vite më parë dhe provon trashëgiminë e të parëve të shqiptarëve. Por në gjuhën e përditshme e njohim edhe si “lule shpatë”, pasi petalet e saj kanë formën e një shpate. Ilirët e lashtë ia njihnin vlerat fort mirë kësaj luleje, ndaj e përdornin Irisin për një sërë problemesh shëndetësore, por edhe në përgatitjen e parfumeve.

Bima në fjalë mban emrin e perëndeshës së ylberit “Irisit” dhe si rrjedhojë lulja ka një bukuri dhe ngjyra të pashoqe. Në lashtësi, Irisi ishte një simbol i fuqisë dhe madhështisë. Tre petalet e Irisit ishin simbole të besimit, zgjuarsisë dhe trimërisë.

Por nëse ilirët ia dinin vlerat lules së tyre dhe e përdornin atë në shërimin e sëmundjeve apo në përgatitjen e vajrave apo esencave të kozmetikës së kohës, vetëm gjatë Mesjetës, lulja kapërceu Adriatikun dhe mbërriti në Itali. Kaq shumë u pëlqye kjo lule, sa u bë simbol i Firences. Në mburojat e tyre ushtarët fiorentinas, mbanin një Lili të bardhë ose Iris – gjë që tregon se qyteti ishte i famshëm për rritjen e këtyre luleve të ardhura nga brigjet e përtej Adriatikut.

Rrënjët e thata të Irisit përmbajnë një vaj esencial me aromë vjollce. Ato përdoren në parfume, pastë dhëmbësh dhe produkte të tjera kozmetike si dhe në krijimin e një potpurie erëzash me aromë të shumëfishtë.

Historikisht, njerëzit e kanë konsumuar rrënjën e thatë të Irisit në formë pluhuri ose lëngu. Por në kohët moderne, përdorimi i rrënjës së thatë të Irisit është tërësisht kozmetik.

Bima rritet deri në 40 centimetra lartësi. Ajo lulëzon nga Maji në Qershor dhe ka nevojë për dritën e diellit.

Kërkon një tokë me lagështi mesatare, pjellore dhe të kulluar mirë. Kjo bimë prodhon fara shumë rrallë dhe zakonisht prodhon dhjetë fara që piqen në vjeshtë.

Lule Saranda

Lule Saranda

Lule Saranda

Poeti kombëtar, Naim Frashëri, përveç pasionit të madh për letërsinë kishte edhe një tjetër kënaqësi, për lulet. Ai ka lindur në rrethin e Përmetit, i cili konsiderohet si “qyteti i luleve”. Kur jetonte në Turqi, poetin e tërhoqi një lule e veçantë, e cila kacavirrej në pragjet e dyerve të drunjta të shtëpive karakteristike.

Edhe sot qytete të shumta të Turqisë vazhdojnë të karakterizohen nga ngjyrat e ndezura të kësaj luleje shumë të njohur edhe për ne. Pasi u emërua si nëpunës në administratën e doganës në qytetin e Sarandës, mendohet se Naim Frashëri solli me vete një rrënjë të kësaj luleje. Kështu nis dhe historia se si kjo lule u kthye në simbolin e qytetit bregdetar shqiptar. Bëhet fjalë pikërisht për lulen që në zhargonin lokal e quajmë “lule Saranda”, por që çdokush në botë e njeh si “bukenvile” dhe që gjendet në çdo cep të këtij qyteti. Nëse doni ta keni bukenvilen në shtëpinë tuaj, mjaftojnë vetëm disa hapa për ta mbjellë.

Ndërkohë do të ndiheni krenarë për bukenvilën tuaj, të cilën e gjeni të lulëzuar në çdo qytet bregdetar të Mesdheut, duke u identifikuar me lulen e verës.

Lule Derhan

Lule Derhan

Lule Dërhan

Në oborret e qyteteve shqiptare, dikur më shumë e tani më pak, kultivohej një lule erëmirë dhe delikate. Ajo zakonisht lulëzonte në muajin maj dhe kundërmonte me aromën e saj në mëngjes dhe në darkë. Kacavirrej mbi avllitë e larta dhe dyert e shtëpive dhe fëmijët e kishin lulen më të dashur pasi pinin nga nektari i lules, që ishte jo vetëm i ëmbël, por edhe aromatik. Në Tiranë, Përmet, Berat, Durrës, Elbasan, ajo ishte gjithmonë e pranishme në oborret e shtëpive qytetare. Sa i takon emrit të saj, disa e thërrisnin nga greqishtja “protomaja”, disa nga turqishtja “hanem eli”, por shumica e quanin dorëzonjë, një përkthim i përpiktë i turqishtes. Ndërsa në Shkodër, kjo lule kishte një emër krejt të ndryshëm që edhe ai u transformua, sipas një historie që ia vlen të rrëfehet.

Në Shkodër deri në fillim të shekullit të 20-të, kjo lule quhej “dorëzojë” ose “lulemustak dhe lulëzonte në oborret e të gjitha shtëpive shkodrane. Kjo ndodhi deri kur në qytet erdhi Edit Durham, një udhëtare, artiste, shkrimtare britanike që u bë e famshme për shkrimet e saj antropologjike rreth jetës në trojet shqiptare.

Zonja që vinte nga Anglia e ftohtë, u dashurua aq shumë me këtë lule mesdhetare, sa që nga ajo kohë shkodranët e quajtën në nder të saj, “lule Durham”. Ky emër i ri i lules u hap shpejt në qytet dhe disa, duke mos pasur shumë informacion për transformimin e emrit të ri, i bënë disa ndërrime fonetike, dhe e quajtën “lule Dërhan”.

Emri “dorëzojë” tani përdoret më pak.

Karakteristikë e lules është se ka një aromë që e mbush të gjithë oborrin. Siç ka emrin, ashtu është kjo lule, delikate, e brishtë, nazike, plot sharm dhe bukuri, me aromë të lehtë dhe të rrallë. Ngjyra të lehta dhe të kombinuara perfekt. Si një zonjushë aristokrate! Si vetë zonja Edit Durham.

Neritana Kraja