“Në të gjithë jetën time unë kurrë nuk kam parë një dragua që nuk hedh flakë nga goja e tij. TASH Dragoi, që u kanalizua përmes shpirtit tim dhe u soll në jetë përmes duarve të mia, hesht. Ai e shpërthen tërë zemërimin nga gjoksi, nga zemra, nga shpirti. Shikoni në sytë e tij! Zhurma e zinxhirëve nga zemra nuk e vret dhe as nuk e gjunjëzon dragoin. Dhimbja e tij është si një festë, një triumf për jetën e re. Nuk ka jetë pa dashuri. Nuk ka dashuri pa liri. Nuk ka liri, pa shkatërruar zinxhirët, deri në ADN.”

Ky fragment është prezantimi që artisti Ylli Jasa i bën krijesës së tij në instalacion TASH Dragoit. Është një dragua, një pjesë arti, një instalacion, që mbetet një pjesë unike.

CMG: Kur dhe pse ka lindur kjo krijesë ? Askush nuk ka parë një dragua për së gjalli.

Ylli Jasa: Pyetje e bukur! Si i thonë “një milion dollarëshe”! Unë nuk e dija se çfarë po bëja, por pata një projekt të vogël për një shoqatë këtu në Shqipëri. Sapo isha kthyer nga Italia, ku kam punuar gati 30 vjet me projekte për emigracionin dhe një herë në shumë vite më ze një krizë artistike për të shkrirë e për të ngjitur hekur. Nuk bëhet fjalë për hekur të rrahur, por është një instalacion ku ka dhe elemente të fonderisë.

CMG: Po ju ç’lidhje keni me fonderinë, metalurgjinë dhe hekurin?

Ylli Jasa: Nuk e di këtë. Në vitet 2000-2001 mora pjesë në edicionin e 51-të të Bienales së Venecias, ku mu kërkua të bëja diçka dhe nuk kishte lidhje me fonderinë, por ishte një fron. Unë u paraqita në Bienale me një fron mbretëror të stilit gotik, që përfaqësonte fronin e Princit të Arbrit, duke ia dedikuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Në këto përqasje një miku im në Udine të Italisë më tregoi se si nëpërmjet flakës së oksigjenit shkrinte për pak sekonda një sferë çeliku. Aty u befasova dhe mu ngjall diçka e vjetër, mistike brenda meje, që nuk di ta shpjegoj. Dëshira për të shkrirë hekurin u rizgjua në 2019-n kur bëra një vepër për një shoqatë kulturore në Tiranë dhe mendova të bëja diçka për vete.

CMG: Pra në vitin 2019 lindi dragoi

Ylli Jasa: Po, në pranverë të 2019-s.

CMG: Pse dragua?

Ylli Jasa:Nuk e kisha ndërmend një gjë të tillë shumë impenjative dhe dija diçka për historinë e dragojve sepse kisha parë filma që më tërhiqnin. Kur fillova ta punoj po bëja një femër, me trupin të përkulur e të kërrusur dhe këmbët e hapura si një shenjë force. Për figurën e kësaj femre është punuar katër muaj e ca nga dhjetë orë në ditë. Struktura ishte shumë e vështirë sepse donte dhe studim nga ana inxhinierike. Mbi strukturë unë në mënyrë instiktive fillova të vendos luspa metalike inoksi.

CMG: Dimensionet e veprës?

Ylli Jasa: Janë gati tre metra dhe aty erdha në vete dhe thashë “Kjo nuk është një femër!”

CMG: Është një dragua...

Ylli Jasa: Ishte një dragua, ku gjëja më e vështirë ishte ndërtimi i kokës. Realisht isha shumë i emocionuar dhe stafi që më ndihmonte se ishim në një lloj ekzaltimi, ndërkohë që çahesha nga luspat, digjesha nga saldimi.

CMG: Duket një punë e vështirë..

Ylli Jasa: I kisha shenjat në trup, si shenjat e një lufte të padukshme.

CMG: Në formimin tuaj keni ndonjë lidhje me meditimin, budizmin apo taoizmin:

Ylli Jasa: Absolutisht po. Qysh i vogël kam qenë në kërkim të anës spirituale brenda dhe jashtë meje. Jam njohur me të gjitha këto filozofi, teknika.

CMG: Keni botuar vëllime me prozë, poezi, keni ushtruar artin e të pikturuarit dhe mjekësinë alternative. Me çfarë merreni konkretisht?

Ylli Jasa: Konkretisht merrem me mjekësi alternative që është një kombinim i mjekësisë, i njohurive që kam si autodidakt, por dhe në bashkëpunim me mjekë në Shqipëri, Itali dhe Slloveni. Merrem me aplikime të fizikës kuantike, që njihen prej mijëra vjetësh në Kinë dhe kudo. Lidhja ime me kulturën kineze mund të them se ka qenë para se të lindja unë sepse im atë, Naim Jasa ka qenë rreth viteve 1953-1954 ka qenë diplomati i parë shqiptar që nga Tirana shkoi në Kinë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, që u realizua më pas me vendosjen e ambasadave në të dy vendet.

CMG: Interesant ky fakt. Përsa i përket dragoit, do të kishit dëshirë ta promovonit atje ku ai është një simbol i vërtetë, në Azi?

Ylli Jasa: Absolutisht po! Është një dragua që ka një gjoks ky shpërthen një stuhi e madhe shpirtërore dhe them se jemi në momentin e një stuhie mbarëplanetare shpirtërore. Do të kisha shumë dëshirë të shihja se çfarë impakti mund të ketë kjo vepër në kulturën aziatike.

Intervistoi Eda Merepeza