Kur lexuesit bëjnë pyetjen klasike të pushimeve - Çfarë të lexojmë gjatë verës? - përgjigjja instiktive, por me bindje, është gjithmonë e njëjtë: klasikët. Nuk ka stinë më të mirë të vitit, që të kënaqemi me kënaqësinë e pastër të leximit, që përfshin universin më të dendur dhe më të pasur të krijimeve, dhe nuk ka vend më të mirë se një zhezlong, një çadër, ose freskia e një peme, për ta lënë veten të pushtohemi nga sfondi i historive, që kurrë nuk pushojnë të na treguari diçka. Në të vërtetë: sa më shumë që i lexojmë, aq më shumë ata kanë me çfarë të na befasojnë.

Mos kërkoni për tituj, pasi lista është me të vërtetë e pafund, por mbështetuni në kureshtjen tuaj dhe tek disa këshilla të mira nga njerëzit që i konsideroni lexues të besueshëm. Megjithatë, ka diçka duhet të dini, se nuk ka asnjë klasik, vetëm një, që nuk e meriton të lexohet dhe rilexohet, për arsye nga më të ndryshmet.

Klasikët janë si ato miniera që nuk mbarojnë kurrë. Ju gërmoni dhe gjeni diçka. Pastaj ndaloni, ktheheni në gërmim dhe gjeni diçka përsëri. Asnjëherë mos humbni asgjë në këtë hulumtim.

Për më tepër, nëse leximi është një udhëtim, kuriozitet, njohuri, një marrëdhënie me veten dhe me të tjerët, atëherë klasikët shprehin këtë cilësi themelore të trillimit në shkallën më të lartë. Le të kujtojmë disa tituj klasikësh, me bindjen se secili ka një listë tjetër, me klasikët e tij të preferuar!

1. “Njëqind vjet vetmi” nga Gabriel García Márquez

Saga familjare dhe realizmi magjik janë të ndërthurura në penën sensuale të Gabriel García Márquez, në atë që është romani i tij më i famshëm. Njëqind vjet vetmi është historia e familjes Buendía në fshatin imagjinar Macondo, një fshat në pyllin kolumbian.

Në libër, brezat ndjekin njëri-tjetrin, emrat dhe fytyrat kthehen, në një kaleidoskop të dashurisë, vdekjes dhe fatalitetit. Eshtë një roman i fuqishëm, i shkruar në një stil të paimitueshëm. Ky roman është ndër ato libra që duhet lexuar të paktën një herë në jetë dhe rilexuar patjetër. Ne propozojmë ta bëni këtë gjatë verës.

2. “Kambana e qelqit” nga Silvia Plath

Eshtë një roman pjesërisht autobiografik. Ashtu si Sylvia, edhe protagonistja e librit Ester, përballet me vështirësitë për të qenë një grua dhe një poete në Shtetet e Bashkuara të viteve 1950, në një shoqëri të zhytur në maskilizëm.

Ndjeshmëria e saj, e çon atë në përpjekje për vetëvrasje dhe rrjedhimisht në shtrimin në spital, në pavionin psikiatrik dhe madje përdorimin e elektroshokut. Një shëmbëlltyrë fatkeqësish të ngjashme me ato të autores, e cila u vetëvra në moshën 30 vjeç. Një libër që trajton çështje delikate dhe aktuale në një stil thumbues.

3. “Krim dhe ndëshkim” nga Fjodor Dostojevski

Kur përmendet “Krim dhe Ndëshkim”, na vjen në mendje Dostojevski me intrigat dhe sarkazmën e tij. Libri tregon historinë e Raskol’nikov, një student i ri i Shën Petersburg. Raskolnikov është i munduar nga varfëria, por ai e di se nëse do të kishte para, do të mund të bënte gjëra të mëdha, duke demostruar pushtetin e tij. Kështu që ai vendos të grabisë dhe të vrasë një fajdexhi, duke besuar se mund të shpëtojë prej tij. Dostojevski e dënon por edhe e e justifikon personazhin e vet. Gjatë rileximit, do ta kuptoni se ai e donte personazhin e tij, dhe kjo dashuri i dha atij mundësinë ta mëshironte dhe të vazhdonte rrugën bashkë me të.

4.” Budenbrokët” nga Tomas Man

Nëse jeni leximtar i devotshëm dhe ju pëlqejnë sagat e mëdha, një roman voluminoz në dy vëllime, mund të jetë një ofertë e mirë për tiu kthyer rileximit në ditët e verës. Vepra bën fjalë për ngritjen dhe rënien e një familjeje të madhe, atë të Budenbrokëve. Në vepër përfshihen brezat e familjes nga viti 1835-1877. Në qendër të romanit është Tomas Budenbroku. Ai është një tarshëgimtar I denjë I një familje të nderuar që përfaqëson ajkën e qytetit dhe që ruan vlerat tradicionale të biznesit. Por gjithçka nis rrokullisjen kur djali i tij, trashëgimtari Hano, nuk duket aspak i prirur për tregti, por ka pasion muzikën. Me vdekjen e djalit merr fund edhe saga e lavdishme e Budenbrokëve, një libër që duhet ta rilexoni patjetër, një klasik i dashur dhe i dhëmbshur!

5. “Mjeshtri dhe Margarita” nga Mikhail Bulgakov

Një tjetër klasik i frikshëm! Në këtë roman shkrimtari i madh pikturon një portret cinik të Rusisë Sovjetike, lakmitare, të burokratizuar në mënyrë absurde dhe tepër qesharake. Si e bën ai atë? Duke treguar historinë e djallit Ëoland dhe miqve të tij në skëterrë, të cilët kanë vendosur të bëjnë një turne në Tokë dhe të dashurisë midis Masterit, një shkrimtari të kërcënuar dhe Margaritës së tij.

“Mjeshtri dhe Margarita” është një roman me shtresa, i cili ju mundëson të bëni shumë interpretime, por mund të jetë komik dhe tërheqës në të njëjtën kohë ndërsa merrni rreze dielli.

6. “Lehtësia e papërballueshme e qënies” nga Milan Kundera

Për ata që duan të filozofojnë poshtë çadrës, një nga librat që duhet të mbajnë nën ombrellë është padyshim “Lehtësia e Padurueshme e Qenies”, një roman i shkrimtarit çek Milan Kundera. Në klimën kulturore të viteve të Pranverës së Pragës, protagonistët, dy çifte të dashuruarish, përjetojnë një konflikt të brendshëm: ata janë të ndarë midis kërkimit për kuptimin e jetës dhe zbulimit të përditshëm, të hidhur të zbrazëtisë së saj. Një nga leximet e verës që nuk duhet humbur.

7. “Në lindje të Edenit” nga Join Stainbeck

Një roman ambicioz, i cili është njëherazi një sagë familjare dhe një ritregim modern i Zanafillës. Vetë shkrimtari e ka cilësuar librin "Në lindje të Edenit" si librin e tij të parë dhe është e vërtetë që ky libër mbart fuqinë fillestare dhe thjeshtësinë e një miti. Romani ndjek dhe zbulon jetën dhe fatet e dy familjeve, brezat e të cilave duket sikur risjellin në skenë rënien e Adamit dhe të Evës dhe rivalitetin e hidhur të Kainit dhe Abelit.

Janë personazhe që i mbijetojnë çdo kohe me tematikat e tyre: identitete të mistershme, dashuri të pashpjegueshme dhe pasoja vdekatare prej mungesës së dashurisë.

8. “Getsbi i madh”nga F. Scott Fitzgerald

Ky është një roman ku pihet vazhdimisht Ëhisky dhe flitet vazhdimisht për dashuri. Madje, protagonsti kryesor Jay Gatsby, një i ri i pashëm, është vazhdimisht në kërkim të pasurisë dhe të gjurmëve të bukuroshes Dejzi, me të cilën ka rënë në dashuri, por që ajo martohet me një burtrë të pasur. Ato takohet pesë vjet para se të fillojë romani, kur Dejzi është një bukuroshe e hijshme dhe Getsbi një oficer i varfër. Pas luftës, Getsbi I përkushtohet verbërisht vënies së pasurisë me çdo mjet, si dhe ndjekjes së Dejzit. Pasi bëri miliona, Getsbi pret që ajo të rishfaqet. Kur më në fund ajo vjen, ngjarjet shpalosen me gjithë tragjedinë e pashmangshme të një drame greke. Finalja e vetëvrasjes ndodh në një pishinë në një ditë të nxehtë vere. Një libër pasionant, i një vere të nxehtë.

9. “Nëse një natë dimri një udhëtar” nga Italo Calvino

Në këtë libër lexon rreth përvojës së leximit dhe gjysma e tij rrëfehet në vetën e dytë. Ju, si protagonist i librit, nisni të lexoni vetëm për të zbuluar një rrjet të gjerë komploti dhe intrigash. Nëse e gjeni veten duke pyetur ç’po ndodh këtu, nuk jeni vetëm. Afro 45 vjet pasi u botua ky libër, ai mbetet eksperimental. Nëse nuk e kuptoni krejt romanin, keni plot për të folur me miqtë tuaj në plazh, të cilët me gjasë, as ata nuk e kanë kuptuar.

10. “Metamorfoza”nga Franz Kafka

Nëse e keni lexuar në shkollë të mesme, ajo që mbani mend me siguri është “ai libri ku ai burri kthehet në buburrec”. Por ka aq vlera letrare për t’u kënaqur aty. Nëse e lexoni sot “Metamorfozën” do t’ju japë një tjetër kuptim të termit “kafkesk”. Nëse synimi është të bëheni i lexuar, atëherë romani më i famshëm i Kafkës është një material i mirë për diskutimet letrare buzë detit.

Neritana Kraja