Artisti i madh Palok Kurti është përkujtuar në kuadër të Muajit të Muzikës, shpallur nga Ministria e Kulturës.

“Kujtojmë sot Palok Kurtin, një nga kompozitorët e parë shqiptarë, që ka lënë gjurmë të thella jo vetëm në Shkodër”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti, para pak ditësh, duke kujtuar dhe nderuar artistin Palok Kurti.

Palok Kurti

Palok Kurti

Emri i Palok Kurtit është i lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me Ahengun Shkodran. Ai është krijuesi i më shumë se 17 këngëve popullore, duke sjellë ndryshime rrënjësore në muzikën e këtij ahengu. Por kontributi i tij është akoma më i thellë se kaq. Pasi ai jo vetëm e pasuroi, por edhe e revolucionarizoi muzikën popullore në Shkodër.

Palok Kurti u lind në Shkodër më 3 korrik 1860. Ishte muzikanti i parë që dha sinjalin e lindjes së artit të kultivuar. Ai lindi në një familje zanatçinjsh dhe u rrit pranë jetimores së drejtuar nga françeskani italian Padër Tomë Markoçi, prej të cilit mori bazat e dijeve muzikore. Për arsye ekonomike e ëma e futi të punonte në kafe “Adriatik”, ku qe në kontakt me muzikën qytetare, por edhe me ndikimet e huaja të ardhura nga italianët, që kishin gjetur strehë në qytet pas bashkimit të Italisë.

Më 1876 nga prifti françeskan, u krijua e para orkestër frymore në Shkodër dhe në të gjiithë Shqipërinë. Palokë Kurti, 18 vjeçar, do të ishte një nga 31 orkestrantët e këtij formacioni muzikor, ku bënin pjesë edhe Kolë Idromeno me Mati Kodhelin. Dy vjet më pas, në vitin 1880, drejtimi i orkestrës i kalon virtuozit trombonist Palok Kurti.

Palok Kurti me banden Daulla

Palok Kurti me banden Daulla

Banda që njihej në mjediset shkodrane si “Daulla”, jepte koncerte në publik të hapur, në fillim një herë në muaj, e më vonë me konsolidimin e saj, nisi të jepte koncerte një herë në javë.

Dalja e kësaj orkestre popullore çdo të dielë në lulishten e qytetit, ishte për kohën, një nga evenimentet më të rëndësishme kulturore.

Në fillim repertori ishte i kufizuar, prandaj Palok Kurti iu vu punës për krijimin e një repertori të posaçëm, për orkestrën e tij.

Me orkestrën e tij, u vu në shërbim të Degës së Shkodrës të ”Lidhjes së Prizrenit”, ngjarje për të cilat Kurti punoi veprën “Bashkimi i Shqypnisë” dhe marshin “Turqit në Maqedoni”. Për veprimtarinë e tij u internua nga autoritetet osmane në Diarbekir për 20 muaj.

Më 1900 autoritetet osmane e shpërndanë “Daullen”. Edhe jeta personale e Palokë Kurtit ka detaje interesante. Ai u martua me një vajzë nga Parga e Greqisë, me të cilën pati katër fëmijë. Piktori Kolë Idromeno i pati bërë edhe një portret zonjës në fjalë, vepër e cila ruhet në Galerinë Kombëtare të arteve në Tiranë.

Një ndër punët interesante me më shumë vlerë të Palokë Kurtit, ishte ndërtimi i dy potpurive me këngë shkodrane, me titullin “Argëtime muzikore të strëgjyshave tanë” 1890 – 1900. Për ndërtimin e këtij materiali muzikor kompozitori u mbështet kryesisht në këngën qytetare shkodrane, e sidomos në atë qytetare. Duke i seleksionuar, orkestruar dhe përpunuar për orkestër frymore dhe më pas duke i ekzekutuar, Palok Kurti synoi jo vetëm të përhapte dhe të propagandonte këngën popullore shqiptare, por edhe ta spastronte atë vetë nga elementët e tepërt – rezultat i ndiimit të drejtpërdrejtë të formave dhe toneve orientale, të cilat ndiheshin dukshëm në Ahengun Shkodran.

Për këto arsye, Palok Kurti është i pari muzikant, i cili duke shpëtuar nga humbja traditën popullore, e mblodhi atë, e vuri në nota, e ekzekutoi, duke hedhur kështu bazat e artit të kultivuar shqiptar.

Palok Kurti me pjestare te vegjel te bandes

Palok Kurti me pjestare te vegjel te bandes

Me cilësinë e rapsodit, poetit dhe këngëtarit të apasionuar të këngës popullore shkodrane, Palok Kurti arriti që nuancat më të holla të kësaj kënge t’i mishërontë në mënyrë të përsosur në krijimet e tij të pavdekshme: marshin “Bashkimi i Shqipërisë” më 1881 kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, “Marshallah bukurisë sate”, “Ta dish, ta dish”, “Për mue paska kenë kismet”, “Karajfil të zgiodha”, ”Kur fillon drita me dalë”, “Të due, moj të due”, “Karajfili i kuq si gjaku” etj., këngë të cilat, në gojën e këngëtares dhe artistes së madhe shqiptare Marie Kraja do të arrinin majat ma të larta të krijimeve popullore shqiptare.

Më tej, aktivitetin si drejtues i bandave frymore, ai e zhvilloi nëpër formacione të ndryshme muzikore shkodrane. Njëkohësisht ai ishte edhe drejtues i formacioneve korale, të Kishës Françeskane dhe asaj Ortodokse. I ndikuar nga format e reja të muzikës evropiane, Kurti shkroi edhe vepra liturgjike.

Palokë Kurti jepte gjithashtu mësime muzike në privat, por me pushtimin austro-hungarez u arrestua, në maj të vitit 1916 bashkë me të birin, Zefin dhe u burgosën në Grossau për një vit. Pas tërheqjes së austro-hungarezëve, vendin e tyre e zunë trupat frënge, të cilat dimrin e 1919 e internuan Palokën në ishullin grek të Korfuzit. Pas marrëveshjeve mes francezëve dhe italianëve, këta të fundit e dërguan në Ostia, ku kishte dhe familjen dhe u kthyen vetëm pas “Luftës së Vlorës” në vendlindje.

Kurti përshtati për formacion orkestral pjesë nga literatura botërore, nga “Trovatore”, nga “Ballo me maska”, “Norma” etj… Palokë Kurti ndërroi jetë mbrëmjen e datës 31 dhjetor 1920

Ai konsiderohet si artisti i madh që revolucionarizoi muzikën tradicionale shqiptare.

Neritana Kraja