“Si një udhëtar që vizitoja për herë të parë Urumqi-n, kryeqendrën plot gjallëri të Rajonit Autonom të Xinjiang-Ujgurit të Kinës Veriperëndimore, më tërhoqën simbolet e dukshme që pasqyrojnë larminë etnike dhe fetare,” thotë gazetari i Rrjetit Televiziv Global të Kinës (CGTN) Abhishek G Bhaya.

Në një raport mbi Xinjiang-un, ai bën të ditur se, që nga zbritja në aeroport dhe përgjatë rrugëve në qytet, mund të dallosh menjëherë sinjalet rrugore, emrat e dyqaneve e të ndërtesave dhe shenjat publike në dy gjuhë: gjuhën standarde kineze dhe gjuhën ujgure. Kjo mund të shihet edhe në qytetet e tjera të Xinjiang-ut që vizitoi ai, Kashgar dhe Turpan.

Emri i një ndërtese publike i shkruar në gjuhën standarde kineze dhe atë ujgure në Turpan, qytet në Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit të Kinës Veriperëndimore. Abhishek G Bhaya/ CGTN

Emri i një ndërtese publike i shkruar në gjuhën standarde kineze dhe atë ujgure në Turpan, qytet në Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit të Kinës Veriperëndimore. Abhishek G Bhaya/ CGTN

Bhaya thotë se e dinte që Xinjiang-u është një rajon me shumë kombësi e fe, por përsëri u befasua nga një simbol i harmonisë ndërfetare në tempullin Zen Qingquan, tempulli më i madh budist në Xinjiang.

Abhishek G Bhaya/CGTN

Më 3 qershor 2021, një murg budist shpalosi një qilim tradicioanl të Xinjiang-ut, që iu dhurua tempullit nga një imam vendës, në Sallën e Madhe të tempullit "Qingquan Zen" në Urumqi. Abhishek G Bhaya/CGTN

Brenda Sallës së Madhe të tempullit të mrekullueshëm dhe buzë statujës madhështore të Budës, shtrihet një qilim i bukur tradicional i Xinjiang-ut, i thurur nga një zejtar mysliman ujgur dhe që iu dhurua tempullit nga një imam vendës. “Kur Ji Ren, kryemurgu në tempullin 'Qingquan Zen' më tregoi këtë qilim, m'u duk menjëherë si një objekt që simbolizon historinë e bashkëjetesës paqësore të feve në Xinjiang,” shprehet Abhishek Bhaya.

Ndërsa Ji Ren, që është njëherësh kryetari i Shoqatës së Budizmit të Rajonit Autonom të Xinjiang-Ujgurit, rrëfen: “Para tre vjetëve, gjatë festës sonë tradicionale më 15 gusht, d.m.th. Festës së Mesvjeshtës, Abdusiker, një imam i xhamisë 'Bai Da', një xhami e famshme në Urumqi, na dhuroi këtë qilim” .

“Abdusiker ka qenë një miku im i mirë gjatë afro 20 vjetëve. E çmoj shumë edhe miqësinë tonë. Prandaj, e kam vënë këtë qilim në vendin më të shenjtë të tempullit tonë, në qendër të Sallës së Madhe, sepse ai është vendi ku zhvillohen aktivitete fetare çdo ditë, dhe kurdo e shikoj këtë qilim më shkon ndër mend miku im i mirë Abdusiker,” shton ai.

Budizmi e ka origjinën në Indi, por lulëzoi në Kinë

Ji Ren tha se tempulli budist organizon çdo vit aktivitete me rastin e festave fetare dhe tradicionale kineze, që kremtohen prej njerëzve me besime të ndryshme fetare.

“Ftojmë shpesh miq nga komunitete të tjera fetare në tempullin tonë për të kremtuar disa festa tradicionale. Për shembull, vjet në Festën e Mesvjeshtës dhe gjithashtu gjatë Festës tradicionale të Pranverës, tempulli zhvilloi disa aktivitete në përmasa të mëdha. Ftuam pjesëtarë të feve të tjera të ishin të pranishëm në veprimtaritë tona. Zhvillojmë aktivitete të tilla shpeshherë,” tha Ji Ren.

Xinjiang-u, që ndodhet në nyjën e Lindjes dhe Perëndimit, ka qenë një qendër e shkëmbimeve kulturore dhe një rajon ku kanë bashkëjetuar shumë fe qysh nga lashtësia. Budizmi erdhi në Xinjiang nga India rreth shekullit të 1-rë para erës sonë.

“Budizmi e ka zanafillën në Indi, por lulëzoi në Kinë. Pas përhapjes së tij në Kinë, ai u ndikua nga mendimi tradicional kinez dhe kultura e konfucizmit, duke krijuar strukturën aktuale,” theksoi kryemurgu.

Në periudhën e kulmit, tempuj budistë u krijuan shpejt në oazat në mbarë pellgun Tarim. Në Xinjiang, kultura budiste u ngjit në një nivel shumë të lartë, duke lënë trashëgimi të çmuara kulturore si statuja, piktura, muzikë, valle, tempuj dhe shpella të shenjta, të cilat pasurojnë thesarin kulturor dhe artistik të Kinës dhe botës.

“Ndikimi i budizmit kinez ka disa aspekte...Në të kaluarën, i studionim veprat klasike të budizmit në sanskritishte, por më vonë, përkthimet në gjuhën kineze të këtyre veprave nga mjeshtër si Xuanzhuang e Yijing, dhe mjeshtri Kumarajiva nga Xinjiang-u, u bënë tekstet tona aktuale. Ky është ndikimi më i madh,” shprehet Ji Ren, duke shpjeguar më tej se si budizmi u çua nga Kina në Japoni, Kore dhe Azinë Juglindore.

Islami në Xinjiang ka pasur zhvillim të shpejtë në të gjitha aspektet

Në fund të shekullit të 9-të dhe në fillim të shekullit të 10-të, islami u përhap në Jugun e Xinjiang-ut përmes Azisë Qendrore dhe në shekullin e 14-të, ai u bë feja kryesore. Sot mund të gjejmë xhami myslimane dhe tempuj budist brenda një largësie prej disa qindra metrash në pjesën dërrmuese të qyteteve kryesore në Xinjiang.

“Qysh nga futja e islamit në Xinjiang, ai ka pasur zhvillim të shpejtë në të tëra aspektet. Shumë kombësi në Xinjiang, si ujgure, kazake, hui, kirgize dhe taxhike, besojnë në islam. Pas pranimit të islamit, këto komunitete kanë kombinuar kulturën islame me kulturën tonë vendëse. Kjo ka kontribuuar në lokalizimin e islamit në Kinë. Sot, karakteristikat vendore të islamit pasqyrohen në Xinjiang,” shpjegon Muhtaram Sherip, imam në xhaminë Yanghang të qytetit Urumqi.

Xhamia ka një sipërfaqe mbi 5000 metra katrore dhe salla kryesore mund të nxërë mbi 2000 njerëz në të njëjtën kohë. “Myslimanët vijnë këtu për t'u falur pesë herë në ditë. Gjatë festave kryesore islame, ujgurët, kazakët, huit dhe myslimanë të tjerë mblidhen në xhami. Kemi edhe vizitorë myslimanë nga vende fqinje, si India, Pakistani, Kazakistani etj., që studiojnë ose punojnë në Urumqi.”

Ndikimet islame të Azisë Qendrore mund të shihen në kulturën, muzikën dhe arkitekturën vendore ujgure. Sot, islami dhe budizmi janë dy fetë me më shumë besimtarë në Xinjiang, ndërsa edhe protestantizmi, katolicizmi dhe taoizmi kanë gjithashtu shumë pasues. Predikuesi islam dhe imami i xhamisë për 10 vjet rithekson ndjenjat e fuqishme të harmonisë fetare.

“Politika fetare e qeverisë kineze është që çdo njeri gëzon të drejtën e lirisë së besimit. Ky është fakt në Xinjiang, ku pesë fetë bashkëjetojnë. Ne ruajmë zërin e harmonisë fetare dhe atmosferën e unitetit. Kështu, fetë e ndryshme në Urumqi dhe Xinjiang bashkëjetojnë në harmoni dhe ndajnë zhvillimin e përbashkët,” thotë Sherip.

Për të theksuar shkëmbimet e rregullta ndërfetare, ai përmend sesionin e 8-të të përgjithshëm të Shoqatës Islame të rajonit, që u zhvillua kohët e fundit, ku ishte i pranishëm edhe Ji Ren, i cili mbajti një fjalim dhe shprehu një mesazh urimi. “Marrëdhëniet midis ne dy feve janë shumë harmonike,” deklaroi imami.

Sherip thekson po ashtu shkëmbimet e rregullta ndërkombëtare me vende të tjera myslimane. “Për shembull, Shoqata Islame e Kinës dërgon disa studentë për studim në vende të tjera, përfshirë studentë ujgurë dhe kazakë nga Xinjiang-u për studim në Egjipt, Pakistan dhe vende të tjera. Shumë vjet më parë, unë studiova në Libi pas diplomimit në Kolegjin Islam të Kinës.”

Shoqata Islame e Kinës dhe organizatat islame lokale i organizojnë myslimanët kinezë për haxh në Arabinë Saudite. “Haxhi është një nga pesë shtyllat e islamit,” shtoi Sherip.

“Karakteri ‘emocional’ i femrave i tërheq ato drejt krishterimit”

Krishterimi në Xinjiang daton që në shekullin e 6-të, kur nestorianizmi, një sekt i hershëm i fesë së krishterë, arriti në rajon, por nuk u përhap gjerësisht. Më vonë, rreth shekullit të 18-të, protestantizmi dhe katolicizmi, dy sektet kryesore të krishterimit, u përhapën në Xinjiang, megjithëse në një numër të vogël në krahasim me budizmin dhe islamin.

“Pesë fetë kryesore kanë pasur shkëmbime të ngushta në Urumqi për një kohë të gjatë. Ne bëjmë vizita te njëri-tjetri gjatë festave dhe komunikojmë me njëri-tjetrin. Doktrinat dhe rregullat e çdo feje janë të ndryshme, por ne e pranojmë njëri-tjetrin në bazë të harmonisë, tolerancës e respektit. Midis feve ka miqësi,” shprehet Fan Chenguang, pastore në Kishën e Krishterë në rrugën "Mingde".

Vlerësohet se në Urumqi ka 10 mijë të krishterë, shifër kjo e barabartë me gjysmën e numrit të përgjithshëm të besimtarëve të kësaj feje në mbarë Xinjiang-un. Është e çuditshme që pjesa dërrmuese e të krishterëve atje janë gra, siç thotë pastorja.

“Për sa i përket situatës në Urumqi, raporti midis femrave e meshkujve ndër pasuesit tanë është afro 70 me 30: 30 për qind janë vëllezër, ndërsa 70 për qind janë motra,” bën të ditur Fani, duke shtuar se pjesa kryesore e pastorëve dhe zyrtarëve të kishave në Xinjiang janë femra.

Ajo arsyeton se karakteri “emocional” i femrave ndoshta është një faktor kyç përse ato tërhiqen më shumë nga feja sesa meshkujt: “Gratë ndoshta janë më emocionale. Në përgjithësi, çdo besimtar ka aspirata shpirtërore, si edhe gëzime e hidhërime në jetë. Pra, ndoshta është më e lehtë për gratë të pranojnë ide të ndryshme nga Bibla e besimit të krishterë, ose sepse ndihen mirë, ose sepse marrin inkurajim.”

“Përveç kësaj, gratë luajnë gjithashtu një rol shumë të rëndësishëm në familje. Ato rritin fëmijët, punojnë me zell dhe drejtojnë familjen. Këto aspekte mund të ngjallin nevoja në jetën e tyre. Ato mund të kërkojnë diçka këtu me anë të fesë,” shtoi Fani. (Wang Lei/ Artan)