Klodi Kadillari është një artiste shqiptare me një eksperiencë të gjatë në realizimin filmik, duke e bërë atë të njohur brenda dhe jashtë vendit.

Ajo ka lëvruar në disa fusha, por artin në skenë e cilëson pjesë të jetës.

Ka arritur të jetë ndër më të mirat aktore dhe regjisore, por edhe shkrimtare dhe gazetare e mirë. Klodi Kadillari e ka nisur rrugën e artit me rolin e parë të Vasiliqisë në dramën e “Ali Pashë Tepelenës”, përkrah aktorëve të njohur Lazër Filipi, Drita Pelingu dhe Agim Qirjaqi.

Më pas është shfaqur në skenë me Natalia Stepanovan, Mbretëreshën Gertrudë, Zhaklinen dhe e ka kurorëzuar suksesin më të madh me Nënë Terezën në monodramën “Pikëllim dhe dashuri”, sukses që pasoi njëherazi me filmin dokumentar “Një rrëfim për Nënën”, ku u vlerësua si aktorja me interpretimin spontan nga kritika në Festivalin Europian të Filmit Dokumentar. Klodi ka përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin Europian të Monodramës, ku ka fituar çmimin “Aktorja më e mirë” me monodramën “Shtëpi kukulle” .

Klodi Kadillari duke interpretuar Shtëpi kukulle

Klodi Kadillari duke interpretuar Shtëpi kukulle

CMG: Klodi cilat janë impresionet tuaja të momentit, që mund të burojnë edhe nga leximet?

Klodi Kadillari: Unë jam e dashuruar pas Markezit dhe kjo më inspiron përherë dhe më tepër. Ai i ndjen personazhet dhe kjo më bën mua që të zhvilloj këta të fundit njësoj si ai, në librat e mi.

Unë i ndiej personazhet, komunikoj me ta dhe këtë e kam marrë nga Markezi.

Një shkrimtar i mirë duhet t’i ndiejë deri në aromë ata për të cilët shkruan. Unë fle me personazhet, zgjohem me ta, rri me ta dhe i perceptoj deri në fund.

CMG: Sa jetojmë ne në skenë dhe sa në prapaskenë?

Klodi Kadillari në interpretim

Klodi Kadillari në interpretim

Klodi Kadillari: Klodi në skenë dhe Klodi në shtëpi janë komplet diçka tjetër dhe kjo nuk ndodh vetëm me mua, por me të gjithë aktorët.

Më pëlqen ky krahasim , përshembull kur kemi momentet e shfaqes jemi gjatë gjithë kohës duke u ushqyer me personazhin tonë, jetuar me të dhe ndonjëherë edhe kur hamë apo drekojmë me familjen nisim të mendojmë si “Nora”, apo si personazhë të tjerë të skenës.

CMG: Klodi, cilat janë pikënisjet tuaja dhe shenjat gjatë rrugëtimit në art?

Klodi Kadillari: Rrugëtimi im ka nisur herët që në vitet 2000, me rolin e Vasiliqisë ne dramën e Ali Pashë Tepelenës. Këtu ka qenë për mua një fat, sepse mora një rol heroine dhe kështu kam vijuar.

Fati e ka dashur që unë të mbaj gjithmonë role heroinash.

Kam një memorie të gjallë kur mora çmimin si “Aktorja më e mirë në Europë”, me rolin e “nënë Terezës”.

Klodi në rolin e Nënë Terezës (Shqiptarja/com

Klodi në rolin e Nënë Terezës (Shqiptarja/com

CMG: Çfarë do të thotë për ju të vini në skenë “Nënë Terezën”?

Klodi Kadillari: Kur flas për të rënqethem e gjitha, sepse nuk është vetëm dëshira apo mirësia që një aktoreje t’i jepet ky rol, por është pesha që unë si aktore përfaqësoj këtë embelmë kaq të madhe, që quhet Gonxhe Bojaxhiu. Ndihem padyshim e lumtur dhe mund të flas shumë sepse është një emocion aq i madh, saqë kur vesha mantelin e saj që aty mu rënqeth trupi dhe mund te them që u transformova nga emocionet .

CMG: “Aktrim” për ju... Çfarë emocion sjell kjo fjalë?

Klodi Kadillari: Për mua është ushqim dhe pa të nuk jetoj dot.

Mund të them me bindje të plotë që është një terapi për veten, por edhe për të tjerët.

Unë tashmë që jam kthyer nga Italia jap mësim art terapie në Qendrën Papa Xhovani. Ne po mundohemi që nëpërmjet artit të aktrimit të nxisim personat me aftësi të kufizuar të integrohen në skenë dhe mund t’ju them që ja kemi dale. Ata ndihen më mirë dhe më të lumtur

CMG: Si mund të shërohet një i sëmurë me probleme të shëndetit mendor nëpërmjet aktrimit?

Klodi Kadillari: Shërohet njeriu, duke menduar pozitivisht për veten.

Duhet të zhvishen nga tabute që ata kanë një sindromë të tyre në të përditshmen. Ata vishen me karaktere të tjera që për momentin harrojnë kush janë në jetën e tyre dhe nisin gradualisht të harrojnë që kanë një problem . Ne këtu ja kemi arritur!

Klodi Kadillari në skenë

Klodi Kadillari në skenë

CMG: Në cfarë gjuhe ju flet arti?

Klodi Kadillari: Motivim! Mbaj mend Megi kur kam bërë një dokumentar “Arti flet një gjuhë” dhe kam qënë me profesorin Rexhep Qosja. Ai më dha nje këshillë: “Mos kalo asnjë ditë pa i hedhur dy rreshta kudo që të jesh”. Tani gjithçka më është kthyer në ushqim.

Dy gjëra të vogla më japin mua një motivm dhe një histori.

M. Latifi