Vera është stina fantastike për të lexuar librin apo librat që i kemi shtyrë prej kohësh. Por edhe stina kur jemi të joshur për të lexuar libra të rinj.

Sigurisht që në verë, mendja shkon direkt te pushimet por nuk ka ndonjë stimulim më të mirë për mendjen dhe shpirtin se sa një libër, i cili ju frymëzon në imagjinatë dhe rrit në njohuri.

Në rubrikën “Tre në një” do ju sugjerojmë tre libra të kohëve të fundit që mendojmë se ia vlen për leximet e kësaj vere.

“Libri i Çajit” shkruar nga Okakura Kakuzō

Një nga esetë më mbresëlënëse të marrëdhënies mes Perëndimit dhe Orientit të largët, Libri i Çajit, po vjen në shqip për herë të parë, gati 115 vjet nga publikimi në origjinal në anglisht.

Kritiku i artit Okakura Kakuzō shkruan në kryeveprën e tij, esenë Libri i Çajit se përkthimi është si të shohësh veshjen e një mbreti nga ana e brendshme: motivet kryesore të qëndismave dallohen edhe nga kjo anë, por ngjyrat dhe rafinimet nuk dallohen. Kjo ishte arsyeja se pse ai vendosi që librat e tij t’i shkruajë drejtpërsëdrejti në anglisht, si një mënyrë komunikimi me botën Perëndimore në përpjekjen e tij për të prezantuar kulturën e Lindjes.

Pavarësisht kësaj, Libri i Çajit, një libër me shumë ndikim mbi marrëdhëniet kulturore me Lindjen, erdhi në shqip për herë të parë në vitin 2021, gati 115 vjet nga publikimi në anglisht në vitin 1906 me përkthimin e Ervin Qafmollës. Libri i Çajit është një nga klasikët që është njëkohësisht i famshëm, popullor dhe jo i cekët si libër. Ai ka qenë vazhdimisht në shitje që kur u shkrua, fillimisht me idenë që të lexohej me zë të lartë në një “takim për çaj”, që në SHBA dhe Britani shpesh nënkupton takim njohjesh dhe pëlqimesh mes djemve dhe vajzave.

Autori na shpjegon kulturën e çajit si një pasqyrë e botës së Japonisë dhe Kinës, diskuton Zenizmin dhe Taoizmin por edhe aspektet laike të jetës japoneze. Ai thekson se si Çajizmi, ose kultura dhe filozofia e çajit, është para së gjithash një kërkim për kënaqësinë te ajo që është e thjeshtë, qetësuese, dhe nxitëse për meditim mbi veten. Ai argumenton se thjeshtësia e çajit është ajo gjë, që ka ndikuar kulturën artin dhe arkitekturën e Japonisë.

Eseja është gjithashtu edhe një panoramë e shkurtër, konçize dhe e mrekullueshme e historisë së pasur të Japonisë.

Libri është botuar nga shtëpia botuese “Pika pas sipërfaqe” dhe kushton 500 lekë.

“Alef” nga Paolo Coelho

Libri është përkthyer dhe botuar disa herë në shqip, si libër mjaft i sukseshëm, që është përkthyer edhe mbi 20 gjuhë të ndryshme.

Ky është romani më personal i shkruar nga shkrimtari i shumë lexuar në të gjithë botën, ku ai vjen me një udhëtim mbresëlënës drejt zbulimit të vetvetes. Njësoj si personazhi i tij te Alkimisti, Paulo po përballet me një krizë të rëndë besimi. Ndërsa ai kërkon shtegun për te ringjallja shpirtërore, opsioni i vetëm real i tij është, edhe një herë, – udhëtimi, udhëtimi për të eksperimentuar, për t’u rilidhur me njerëzit dhe pamjet përreth tij.

Duke u nisur për në Afrikë, dhe pastaj për në Europë dhe Azi, përmes hekurudhës Trans-Siberiane, ai nis një udhëtim për të rigjallëruar energjinë dhe pasionet e veta. Dhe pavarësisht të gjithave, ai nuk priste kurrë që në këtë udhëtim të takonte Hilalin. Një violiniste e re e talentuar, ajo është gruaja që Paulo dashuroi pesëqind vjet më parë – dhe gruaja që ai tradhtoi me një akt burracakërie aq të fortë sa e ndaloi atë të gjente lumturi të vërtetë në jetën e tij.

Së bashku ata do të nisin një udhëtim mistik nëpër hapësirë dhe në kohë, duke udhëtuar një shteg që mëson dashurinë, faljen dhe kurajën si mjetet e domosdoshme për të kapërcyer sfidat e pashmangshme të jetës.

Shumë i bukur dhe frymëzues, Alef na fton ne të mendojmë për kuptimin e udhëtimeve tona personale.

Letra e Kafkës për të atin

“Letra e Kafkës për të atin” është libri i fundit i rekomanduar në listën e sotme. Letra më shumë se 40 faqe e gjatë nuk mbërriti kurrë te njeriu të cilit i drejtohej ndërsa kritikët kanë shtruar pyetjen nëse ajo me të vërtetë u shkrua për të mbërritur në destinacion. Në letër, Kafka i përgjigjet një pyetjeje nga i ati, Herman Kafka, se pse ai i thotë se ka frikë prej tij.

Franzi ndjehej fajtor përgjatë të gjithë jetës së tij dhe i ati i dha atij ndjesinë, se priste mirënjohje, mirënjohje që Franzi nuk e tregoi kurrë. Prania e fortë fizike dhe psikologjike e të atit ishte aq dominuese për Franzin, i cili kishte interesa tërësisht të ndryshme nga çfarë i ati kërkonte të kishte i biri, sa aktualisht ai u përpoq të arratisej prej tij disa herë – dhe dështoi.

Franzi përshkruan më tutje skenat traumatike të rinisë së tij, në të cilat një baba shumë më i fortë gjithmonë tiranizonte të voglin e tij.

Më vonë në jetë ishin edhe tentativat e shumta të Franzit për t’u martuar, si mjete të reja për t’u arratisur nga hija e të atit mbi jetën e tij, të cilat e kanë origjinën në marrëdhënien e vështirë me Hermann Kafkën.

Natyrisht që çdo përpjekje është e destinuar të dështojë që në fillim sepse nuk ka mënyrë se si Franzi të çlirojë veten nga prania mbytëse dhe e gjithëpranishme e të atit.

Pyetja kryesore për këtë letër është: a u shkrua ajo me të vërtetë për t’u lexuar nga i ati? Babai i Franz Kafkës, Hermann Kafka, në fakt nuk e mori kurrë atë. A mundet që ajo të jetë shkruar për lexuesin, apo për vetë Kafkën?

Gjithsesi, kjo është një enigmë me të cilën le të merren kritikët, ndërsa ju mos humbisni kohë, por përshini të tre rekomandimet tona për librat, në listën e librave të fillim verës.

Libri është përkthyer nga Gjergj Vlashi, është botuar nga shtëpia botuese “Argeta LMG” dhe kushton 490 lekë.

Neritana Kraja