Interviste me Arbër Çepanin, themelues i “Komitetit”

“Komiteti” është një muzeum e bar njëkohësisht. Ndërtuar në këtë formë për t’i sjellë jetë kulturës e për ta mbajtur atë të gjallë çdo ditë. Në këtë muze artistik gjejmë të gdhendur në material shumicën e historisë shqiptare. “Komiteti” ka tërhequr jo pak vëmendjen e mediave prestigjoze botërore, duke e cilësuar si një muze unik për nga lloji i konceptit.

Arbër Çepani, themelues i “Komitetit” ka udhëtuar gjatë deri në momentin që i dha shkëlqimin e duhur këtij muzeu historik.

CMG : “Komiteti” çfarë vlerë gjen tek ju, vjen si një projekt apo më shumë se kaq?

Arbër Çepani: Jam shumë i kënaqur që unë flas për gjërat të cilat kanë shumë punë dhe pasion brenda. “Komieti” lindi si një pasion shumë i madh për trashëgiminë kulturore dhe materiale në radhë të parë. Në fakt, sa herë që unë shkelja në Shqipëri vija re se trashegimia kulturore po zbehej e ato materie që na kishin mbetur nga e kaluara ose shiteshin jashtë vendit ose më keq akoma, prisheshin apo hidheshin pa i ditur vlerën nga vetë ne shqiptarët.

Unë nisa fillimisht një koleksion të vogël, i cili në vijim pati zgjerim të madh nga viti në vit. Kam grumbulluar çdo gjë që ka lidhje me kulturën dhe trashëgiminë kulturore, duke udhëtuar dhe eksploruar çdo fshat, treg, koleksionist apo kudo tjetër. Fillova të blija dhe vetëm të blija, kërkoja koleksione që kishin të bënin me historinë shqiptare dhe mbas disa vitesh u krijua një koleksion shumë i madh.

Nëse flasim për sot mund t’ju them se janë mbi 17 mijë objekte të kulturës shqiptare, të trashëgimisë materiale. E veçanta e kësaj pune është se unë kurrësesi nga këto objekte që blija, nuk mund të shisja asnjë për asnjë qëllim!

Në vijim të kësaj pune të gjatë unë mendova që të hap një muzeum ku t’i ruaja këto objekte. Duke qenë që në Shqipëri njerëzit kanë kulturën e qëndrimit gjatë në kafe, mendova që nuk do kisha jetëgjatësi nëse hapja vetëm një muze. Kështu që lindi “Komiteti”, që nga latinishtja do të thotë: ”Një vend ku një grupim njerëzish mblidhen për një qëllim të caktuar”.

Qëllimi ynë ka qenë mbrotja, promovimi dhe dashuria për kulturën tek shqiptarët, por edhe të huajt që vijnë në Shqipëri.

CMG: Eksplorojmë pak “Komitetin”. Çfarë do të gjejmë sa hyjmë këtu?

Arbër Çepani: Brenda në “Komitet” gjejmë Shqipërinë në miniaturë!

Pra, këtu do të gjeni gjithçka që ne e kemi pasur në duar dhe që ne e kemi jetuar për vite me rradhë. Çdo objekt në “Komitet” e ka një vlerë të lartë emocionale sepse ka ardhur nga breza të tërë që kanë ndërtuar historinë shqiptare. Nëse flasim për koleksionet, ato janë shumë të hershme. Mund ta nisim nga ato që datojnë në vitet 1700 dhe deri në vitet 90-të.

Këtu gjen koleksionin e qelqit, porcelanit, atë të televizorëve të vetëm që janë prodhuar në vendin tone, marka shqiptare. Gjithashtu nëse hedhim ende vështrimin në “Komitet” do të gjejmë koleksionin e radiove shqiptare apo edhe atë të mobilieve të vjetra dhe antike, të cilat ngjallin nostalgji.

Të futesh në “Komitet” do të thotë të jesh në një vend me simbologji të lartë. Çdo cep i “Komitetit” ka simbologjinë e vet pse është vendosur në atë pikë. Do ta quaja një zhytje në kulturën shqiptare.

CMG: Çfarë i keni dhënë nga vetja “Komitetit” për ta bërë atë edhe më të gjallë?

Arbër Çepani: Në fund të ditës, një vend që të drejtohet ka nevojë për njërëz që kristalizojnë tipare të tipit: “Realizimi padiskutim i ëndrrave në sirtar”. Mendoj që i kam nxjerrë këto ëndrra nga sirtari dhe kam materializuar idenë timë për të marrë produktin final. Tashmë kanë kaluar shumë vite nga tentativa për ta çelur këtë ëndërr, por këtë “Farë dashurie” ne e kemi shpërndarë edhe në qytete të tjera të vendit tashmë.

Në fund të ditës ata që insistojnë në projektet e tyrë ja dalin!

Fillimet janë gjithmonë shumë të vështira. Patjetër që nuk ka qenë gjithmonë kështu. Më gëzon tej mase kur shoh që “Komiteti” ka dalë dhe vijon të dalë në media prestigjoze botërore. Ndonjëherë kam qenë në dyshim nëse po bëja gjënë e duhur, por shumë shpejt erdhi një vëmendje e madhe ndërkombëtare, e cila na bëri të kuptojmë që duhet ta vazhdojmë paçka vështirësive.

CMG: A ka momente delikate në natyrën tuaj, kur ndiheni i lodhur?

Arbër Çepani: Po, por gjithçka lidhet me atë që sa e do ti një vend, apo një punë. Të gjithë ne kur ngrejmë një sipërmarrje hasemi me dështime sepse janë pjesë e pashmangshme e secilit prej nesh, që marrim iniciativa të mëdha. Nëse ne nuk e pranojmë “si të ftuar të paftuar dështimin”, atëherë asnjëherë nuk do kemi qetësi për të ecur para mbas çdo dështimi dhe rënie. Dështimet janë mësime dhe suksese. Ky ka qenë edhe suksesi ynë sepse dështimet i kemi kthyer në suksese.

CMG: Si është marëdhënia juaj me punonjësit në konceptin e punës?

Arbër Çepani: Në tërësi vetë puna ka problem, por edhe marëdhënia me këta të fundit është e nderlikuar. Sidomos këtu në Shqpëri pa dashur që të tregohem pak i ashpër. Nuk mund të bëhesh milioner brenda natës dhe nuk mund të gjejmë gjithmonë rrugë të shkurtra për të ndjekur suksesin. Ka nevojë që në jetë të ngjisësh shkallë, të rrëzohesh dhe t’i marrësh sërish nga e para. Sepse kjo është jeta dhe ne nuk mund të kemi sukses brenda një dite. Populli ndër shekuj ka pasur një të drejtë kur thotë “Puna ju fisnikëron”

CMG: Kur të huajt vijnë në “Komitet” çfarë ju thonë?

Arbër Çepani: Ndalem pak në këtë faqe sepse “Komiteti” lidhet shumë me të huajt. Kur ata vijnë këtu njihen me një kulturë të veçantë. Ata fillojnë të kuptojnë se si një vend ka pasur dhe ka kaq shumë trashëgimi nga të gjitha kontekstet materiale dhe historike njëkohësisht.

Në fakt, vetëm për ata ne e kemi bërë shërbimin e ciceronit duke ju ofruar ture, të cilat ju vijnë në ndihmë të njohjes së objekteve në “Komitet”. Është e këndshme mënyra se si ata vijnë këtu dhe e shijojnë muzeun, duke konsumuar një gotë raki apo liker origjinal shqiptar.

CMG:Cila është shprehja që ju ka rritur?

Arbër Çepani: Jam rritur me një shprehje të famshme latine: “Fati ndjek guximtarët”.

Intervistoi M. Latifi