Një verë e mbushur me filma, këngëtarë, takime me aktorët protagonistë, biseda me ta, një selfi apo një shtrëngim duarsh, si një kënaqësi e ndërprerë nga pandemia, por edhe si nevojë e brendshme e publikut, për të njohur punën e regjisorëve të rinj e për të parë filma poshtë ndriçimit të yjeve, në mbrëmjet e nxehta të verës.

Filmat e fundit të kinemasë shqiptare, promovim i regjisorëve të rinj, argëtim dhe muzikë live, si dhe kryevepra nga kinemaja botërore do të jetë zinxhiri i këtij aktiviteti kombëtar në këtë sezon të ri turistik veror.

Një kinema lëvizëse që qarkullon nga qyteti në qytet, gjatë gjithë verës, është aktiviteti që sivjet rikthehet në edicionin e tij të pestë, me emrin “Open Cinema”. Në pesë vite ekzistencë, aktiviteti është rritur dhe konsoliduar dhe ka fituar përmsat e një show të madh veror. Producenti dhe njëkohësisht kineasti Skënder Jaçe, thotë se ky aktivitet bëhet edhe më i rëndësishëm, kur kemi parasysh mungesën e kinemave në shumë qytete të vendit.

“Open Cinema” sivjet ka ditëlindjen e tij, hyn në 5 vjetor dhe ka krijuar një shtrat në të gjithë Shqipërinë me këtë aktivitet kinematografik, i cili është kthyer në një show, me të ftuar, kineastë, regjisorë, këngëtarë të ndryshëm, çka e bën edhe më të gjallë aktivitetin. Natyrisht filmi ka magjinë e tij, sidomos ekrani i madh që është i munguar në shumë qytete të Shqipërisë, për arsye dhe shkaqe që dihen tani, sepse Shqipëria ka mungesa sallash pothuajse në të gjithë territorin e saj dhe kjo bën brezi, i cili nuk e ka prekur ekranin e madh, këtë magji të bukur ku projektohet filmi, të rikthehet përsëri me dashuri, në të tëra qytetet dhe të pritet mjaft mire”, thotë producenti Jaçe.

Jaçe tregon se në këtë edicionin në fokus do të jenë filmat dhe regjisorët e rinj, që sapo kanë përfunduar studimet me filmat e tyre. Disa nga filmat e edicionit të pestë të “Open Cinema” janë: “Krimineli”, “Deri në mesnatë”, “Uku”, “Gjergj”, etj.

“Sivjet ka prodhime të filmit shqiptar. Për shkak edhe të Covidit, këta filma nuk janë promovuar në salla kinemaje, pasi dihet se ato kanë qenë të mbyllura dhe neve e shfrytëzojmë këtë mundësi që të gjithë aktorët, kineastët e rinj, regjisorët, ti prezantojmë në këtë betejë të madhe, në këtë shesh të madh, ku ngrihet një ekran prej 40 m2, që publiku ti njohë se cilët janë aktorët që luajnë. I japim mundësinë publikut për të parë çdo natë nga dy filma, plus këngëtarë të ndryshëm që ne thërrasim para ekranit. Kështu që tre netë kalojnë shumë shpejt në çdo qytet”.

Edicionet e “Open Cinema” në vite i kanë shoqëruar edhe të ftuarit. Si çdo vit ata janë nga fusha e kinematografisë dhe muzikës, duke u bërë pjesë e këtij aktiviteti. Personazhe si akori Mevlan Shanaj, skenaristja Natasha Lako, këngëtarja Irma Libohova, tekstshkruesi Jorgo Papingji, etj., janë vetëm disa nga emrat e njohur të ftuar, e sigurisht të ftuarit janë edhe protagonistët e rinj të filmave që shfaqen, aktorë e regjisorë.

“Ne mundohemi të kemi larmi të ftuarish dhe tua plotësojmë dëshirën të gjithëve. Natyrisht kur është një premierë e re, në një qytet, ne mundohemi të marrin dy aktorë, në qytetin tjetër dy aktorë të tjerë, pasi dihet që ka kaste që mund të përbëhen prej dhjetë aktorësh dhe këta i ndryshojmë sipas qyteteve. Kjo e bën të gjallë aktivitetin, pasi njerëzit janë shumë të gëzuar të takohen me aktorët, të marrin një autografe, të bëjnë një selfi, një fotografi… E shikojmë se është pritur bukur”, konstaton kineasti.

Për herë të parë ky aktivitet do të ketë edhe këngën përfaqësuese, ose ndryshe himin e kinemasë, një këngë e re, që e sjell me zërin e saj, këngëtarja Irma Libohova.

“Sivjet në këtë përvjetor ne munduam ta bënin më të gjallë aktivitetin, duke e konkretizuar të gjithë punën tonë në një këngë që të kishte andrenalinën brenda, që të ishte sigla e aktivitetit. Dhe kjo patent do të mbetet natyrisht për kinemanë shqiptare, ashtu si çdo shtet ka një këngë për filmin, edhe Shqipëria tashmë e ka një këngë që e përfaqëson kinemanë. Teksti është shkruar nga i madhi Jorgo Papingji, i cili e ka shkruar me shumë dashuri, e këndon Irma Libohova, që është vulë e muzikës shqiptare, kompozuar nga Enis Mullaj, një djalë i ri, që e punoi me shumë dashuri dhe erdhi bukur në ekranin e madh. Çdo natë kur ne fillojmë aktivitetin, e hap sigla “Eja në Open Cinema”, thotë Jaçe.

Strategjia e Open Cinema edhe për këtë edicion fokusohet tek mendimi se kinematografia mbetet një nga artet më popullore, që përcjell mesazhe të forta për jetën, njerëzimin. Edhe ky edicion, siç është tradita udhëton nëpër qytete të ndryshme të vendit.

Aktiviteti nisi në qytetin e vogël të Patosit, për ti dhënë jetë e gjallër atij dhe do të vijojë me qytete të tjera nëpër Shqipëri.

“Fill Pas Patosit ne kemi zgjedhur qytetin verior Pukën, është një qytet mjaft simpatik dhe artëdashës, të presin mjaft bukur, prej aty i drejtohemi Gjirokastrës shekullore, aty rreth odeonit të kalasë së bukur dhe nga Gjirokastra i drejtohemi sërish veriut, Kukësit, që është qytet mjaft mikpritës. Pas Kukësit ne kemi zgjedhur Tropojën, Valbonën e bukur, për të zbritur më tej në qytetin e Kuçovës. Ajo që më ra në sy sivjet është se sheshi ishte mbushur tërësisht, aq sa kishte njerëz edhe në këmbë. S’mund t’i plotësosim të gjithë me karrike dhe me stola. Qytetet janë të interesuara, i shoh që dërgojnë mesazhe dhe pyesin se “kur do të vini tek ne?” Këtu do të shtoja që bashkitë e qyteteve, që akoma nuk e kanë ndjerë këtë prekje nga afër, u bëj thirrje ta mbështesin këtë aktivitet, t’i japin pak kënaqësi popullit të qytetit të tyre, se pas kësaj lodhjeje të madhe, njerëzit kanë nevojë të argëtohen, të qeshin pak, të heqin këtë stres të besdisshëm, i cili na mundoi për një kohë shumë të gjatë”.

Si në ëndrrën e një nate vere, “Open Cinema” do të vijojë gjatë gjithë verës, duke mbushur njerëzit me ëndrra të bukura, me personazhe, njerëz, histori, që një jetë njeriu individualisht nuk mund t’i jetojë dot, por që mund të jetojmë jetët e të të tjerëve, të provojmë emocionet dhe përjetimet e tyre, si të ishin tonat, përmes magjisë së kinemasë. Në qytete të vegjël e periferikë, ku koha ndonjëherë duket se ka ndaluar dhe nuk lëviz, por edhe në qytet të mëdha, ku njerëzit të pushtuar nga ritmi, ndonjëherë harrojnë të besojnë tek gjërat e vogla e të bukura, “Open Cinema”, është dhurata më e bukur e kësaj vere të gjatë e të nxehtë.

Neritana Kraja