Foto: Indeksonline.net

Foto: Indeksonline.net

Jonida Maliqi është sot një këngëtare shumë e njohur. Që në moshë të vogël ka patur dëshirën për të kënduar dhe nuk privohej aspak nga ambjentet që e rrethonin. Ishte pianistja Nora Çashku e cila e dëgjoi për herë të parë në autobusin e Unazës teksa po këndonte një këngë të këngëtares Parashqevi Simaku. Një vit më vonë, e tërhequr nga këshilla e zonjës Çashku e ëma e regjistroi Jonidën në konkursin e shkollës së muzikës “Dëshmorët e Lirisë”, ku ajo studioi për katër vjet violinë. Në moshën 9 vjeçare nën ndikimin e profesoreshës Suzana Turkut, Jonida drejtohet tek Qendra Kulturore e Fëmijëve, ku nisi dhe karriera e saj artistike.

Në këto festivale të organizuara brenda dhe jashtë vendit ajo njihet me emocionet e skenës, me kënaqësinë e të kënduarit live dhe të çmimeve të para të karrierës. Më pas Jonida ndoqi studimet e mesme në Liceun Artistik “Jordan Misja” të Tiranës, ku për tre vjet studioi instrumentin e kitarës. Në moshën 12 vjeçare, në vitin 1995 ajo mori pjesë në festivalin e fëmijëve me këngën “Kafshët kurrë mos i ngacmoni”

Jonida Maliqi 3

Jonida Maliqi 3

Jonida Maliqi u ngjit për herë të parë në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH kur ishte 13 vjeç me këngën "Planeti i fëmijëve", një duet ky me Aleksandër Rrapin. Në vitin 1997 ajo u rikthye në Festival me një tjetër duet, këtë herë me Kastriot Tushën, një këngë kushtuar Nënë Terezës, por gjithashtu edhe me pjesëmarrjen me kompleksin e fëmijëve me këngëtarin Sherif Mejdani në Festivalin e Radiotelevizionit Shqiptar.

Karriera e këngëtares Jonida Maliqi si soliste filloi në vitin 1999, me këngën "Do jetoj pa ty", duke fituar vendin e dytë në festival. Maliqi është gjithashtu e njohur për portretizimin e Zhulietës në versionin shqiptar të muzikalit të njohur “Romeo dhe Zhulieta”, së bashku me këngëtarin Alban Skënderaj. Ajo ishte prezantuese në sezonin e katërt të spektaklit “Dancing with the Stars Albania”. Jonida Maliqi ka qenë pjesë e jurisë në sezonin e pestë të spektaklit “The Voice of Albania në 2016”. Në karrierën e saj artistike ajo ka shumë prezantime në festivale të ndryshme shqiptare si në Festivalin e RTSH-së, Top Fest, Kënga Magjike, etj. Në vitin 2008 ajo u vlerësua me çmimin e parë në festivalin “Kënga Magjike” më këngën "Njëri nga ata".

Jonida Maliqi Eurovizion 2019

Jonida Maliqi Eurovizion 2019

Rikthimi pas 11 vjetësh në skenën e Festivalit të RTSH -së në dhjetor 2018, i dha fitoren e çmimit të parë në Festivalin e 57-të me këngën "Ktheju Tokës". Pas 11 vitesh Jonida u rikthye në garë me një këngë me muzikë dhe tekst të Eriona Rushitit. Me këtë këngë ajo përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision 2019.

Puna e palodhur dhe talenti nuk të lenë kurrë në baltë, por vjen një ditë që ti e merr atë që meriton.

Përgatiti Sava Lena