Intervistë me Iris Canaj, organizatore eventesh te “Reja”

“Reja” është instalacioni që i ka dhënë gjallëri Tiranës, kryesisht në funksion të eventeve të shumta. Për të mos thënë të gjithë, por shumica e turistëvë sapo shkelin në qendër të Tiranës, e kthejnë vështrimin në “RE”, sepse pozicioni në të cilin gjendet është padiskutim i duhuri.

“Reja” ka një sipërfaqe rreth 541 metra katrorë dhe lartësia maksimale shkon deri në 7 metra.

“Reja” funksionon si hapësirë e pavarur, me një kalendar të ngjeshur aktivitetesh, të ndërtuar në bashkëpunim me partnerë kulturorë lokalë, individë, institucione edukimi, komunitete, etj. Pavijoni është menduar si një hapësirë e lirë sociale dhe rrjedhimisht ideatori japonez i instalacionit Fujimoto e ka përshkruar si një terren transparent, një strukturë delikate, tre-dimensionale dhe çdo njësi është e përbërë nga shufra çeliku. Iris Canaj merret me zhvillimin e eventeve në “RE”, duke u kujdesur me detaje dhe profesionalizëm për çfarë ndodh në data të ndryshme.

CMG: Iris çfarë është “Reja”, për ata që nuk e njohin nga afër ?

Iris Canaj: Instalacioni “Reja” është një nga veprat më të njohura, ideuar nga artisti i mirënjohur japonez, Sou Fujimoto. Në vitin 2013 ka qenë në galerinë Sepertine në Londër, e cila fton artistë të ndryshëm për të bërë krijime dhe atje ka qëndruar 3 muaj. Pas kësaj në bazë të angazhimit me fondacionin zviceran LUMA dhe me Bashkinë Tiranë, ideuar nga Edit Pula, këshilltare e kryetarit të Bashkisë, instalacioni “Reja” ndodhet në Tiranë prej vitit 2016.

Në 27 Maj 2016 është inaguruar dhe prej atehere feston 5 vjetorin e saj.

“Reja” është nje ambient miqësor, për çdo moshë dhe çdo gjini që mund të vizitohet pa bileta dhe rezervime. Është një vend që mund të kalosh si në një vendtakim për të parë diçka kulturore dhe pse jo për të pirë diçka të freskët.

CMG: Si është pjesemarrja në evente nisur nga Covid-19?

Iris Canaj: Ne në fakt hapëm koncertin me Zig Zag Orkestra dhe ishim pak të stepur për shkak të Covid, por jemi habitur që kishte shumë njerëz. Ishim të kujdeshëm dhe atmosfera ishte shumë e mire. Na kishte munguar kjo edhe ne që merremi me aktivitete, por edhe vetë publikut me çfarë testuam. Na kishte munguar një formë çlirimi mendjeje.

CMG: Si është për ju ta menaxhoni këtë rutinë?

Iris Canaj: Nuk e di të them të drejtën, por thjesht fakti që dua ta bëj unë nuk përpiqem të gjej justifikime pse të mos e bëj. Çdo ditë e zgjoj veten me idenë që kam dëshirë ta bëj. Në momentin që ti merr komente pozitive për punën, të shtyn që ti ta duash më shumë, por edhe për ta parë si një lloj argëtimi të mundshëm. Nuk kam një recetë, por ajo që më mban në këtë punë është dëshira.

CMG: Cili ka qenë starti yt i parë me menaxhimin e eventeve?

Iris Canaj: Unë nuk kam qenë kurrë njeriu, që i thotë jo punëve. Pra nëse e krahasoj pak me njerëzit që duan të vijnë tani dhe të jenë pjesë e stafit, që unë i falenderoj shumë, ata që nuk kanë rezistuar të jenë me ne, një ndër gjërat që bëjnë gabim është pyetja “Sa do të paguhem ?” Ende sot nuk e bëj këtë para se të marr një punë. Nuk është gjithçka gjithmonë monetare.

Pra, kurrë nuk i kam thënë punës jo, ndoshta edhe kur e kam pasur familjen kundër. Përshembull një eksperiencë që unë kam pasur në burgun e të miturve. Një ndër gjërat që njerëzit më thanë ishte “Oj, goce! Po ikën jashtë Tirane me transport publik dhe nuk e di çfarë të pret!” Të gjithë kishin një paragjykim, por unë ia dola, e bëra. Unë çdo eks periencë e quaj sfiduese dhe mundohem të gjej gjithmonë një plan B. Pra, mundohem gjithmonë të jem një hap para.

CMG: Si sillen artistët e huaj sapo vijnë në “Re”?

Iris Canaj: Të ftuarit tanë ndonjëherë kanë shumë kërkesa dhe elemente tenike, sepse mendojnë që po zhvillohet në ndonjë ambient të madh. Kur vijnë dhe kuptojnë filozofinë këtu dhe të publikut që i ndjekin, ata e përshtasin dhe fillojnë ta konceptojnë ndryshe. Ata krijojnë një proces të ri dhe kërkojnë gjëra të reja. Nuk duan më shumë ndriçim, por përshtaten! Kanë një qasje shumë interesante sepse vetë “Reja” ta ofron.“Reja” është shumë unike! Në vitin tim të dytë të punës tek “Reja”, kishim një artist italian që solli një dokumentar për Nënë Terezën, sepse kishte jetuar me të në Kalkutë. Sigurisht kur unë merrem me menaxhimin e të gjithë kësaj, nuk shkoj të prezantohem e të them “Shiko se unë jam ajo që e bëj këtë”. E takova ditën tjetër artistin, sepse atë ditë ra shi dhe u fut ne Galerinë e Arteve, e më thotë “ O sa keq më vjen! E di që unë do ta bëja dje aktivitetin tek “Reja”? Unë i them patjetër që e di, sepse unë jam marrë me menaxhimin. “Mendova se kur me the që këtu ka kurator artistik, do të ishte ndonjë burrë me flokë të gjatë që do menaxhojë dhe jo ti, një vajzë e vogël”.

Kështu që qasja ndryshon sepse ata parashikojnë gjë tjetër para se të vijnë këtu, dhe kur vijnë ndryshojnë qasje.

CMG:Çfarë të lumturon më shumë Iris?

Iris Canaj: Të lumturoj të tjerët. E përjetoj shumë kur i shoh ata të gëzuar. Kontakti me njerëz të ndihmon, por edhe të rrëzon. Kur të rrëzon, eksperienca të bën që ta lësh mënjanë dhe të ecësh përpara. Ti mund të jesh me humor të ulët dhe njerëzit të japin fuqi për të vazhduar . Ne nuk punojmë dot si manikeri. Profesioni ynë nuk ka një orar fiks dhe ne jemi çdo moment në kontakt me njerëz. Në këtë moment unë nuk e ndaj dot jetën profesionale me atë personale. Unë nuk e ndaj dot çfarë më lumturon.

CMG: Fraza që ju ka shkundur mendimet gjatë fillimeve tuaja?

Iris Canaj : Mbaj mend një projekt me një regjizor francez. Isha në dilemë a do të vazhdoja artet, sepse kisha nota shumë të mira dhe të gjithë i kisha kundër. Unë u thoja “Por unë e dua këtë profesion”.

Në diskutim me një pedagog francez ai më tha se kisha të dhëna shumë të mira për aktrim. I thashë faleminderit se mendova që po më bënte thjesht qejfin. Më tha të vazhdoja shkollën e lartë për arte, por i thashë se ishte e vështirë në Shqiperi. Ndërsa ai thjesht më preku dorën dhe më tha “Vazhdo !” Kjo për mua ishte një shenjë për të vijuar. Na duhet thjesht nje shtysë e vogël, e jashme, që gjërat t’i vemë në lëvizje.

Intervistoi Megi Latifi