Për të shkuar në Surrel, mund të ndiqni dy rrugë. Njëra, duke ndjekur rrugën për në Dajt, ndërsa tjetra rruga e ish uzinës së Autotraktorëve. Për një udhëtim sa më alternativ, mund të bënin kombinimin e të dyjave, të shkoni duke ndjekur rrugën e Dajtit dhe të ktheheni për në Tiranë, nga rruga e ish Uzinës, e cila relativisht është një rrugë e re dhe mjaft e mirëmbajtur. Fshati Surrel është një nga fshatrat e shumtë që përbëjnë kurorën rrethuese të kryeqytetit shqiptar. Në cilëndo stinë që të shkoni do ta ndjeni parajsën e gjelbërimit. Shtëpi fshati, oborre me lule dhe pemë frutore, kopështe të mbjella me zarzavate. Rruga kalon mes tyre, ndaj është momenti të ulni shpejtësinë e makinës dhe të përfitoni sa më shumë nga ky peizash unik.

Surreli, 25 minuta me makinë larg nga Tirana, është një fshat që po projekton me sukses, kombinimin e agriturizmit me turizmin e pishinave, të cilat si një gjerdan blu, pozicionohen në rrëzë të Dajtit.

Në Ceren tek Ismet Shehu

Ne do të ndalojmë në këtë fshat, pikërisht në një nga vendet e preferuara, në një nga restorantet më të mira tradicional në Tiranë: Ceren Ismet Shehu.

Restoranti ndodhet në një pozicion mahnitës, me pamje nga malet dhe luginat aty pranë.

Duke u ngjitur me makinë në Dajt, do të dalloni tabelën “Surrel” dhe rrugën që zbret poshtë në të djathtë, ndërsa në të majtë të rrugës do të dalloni tabelën e restorantit të famshëm, ku larg zhurmës së kryeqytetit, përgatit pjatat tradicionale shqiptare një nga shefat e Mbretëreshës Elizabeth II.

Pronari dhe njëkohësisht shefi i kuzhinës Ismet Shehu, i cili është i ri në moshë, (ka lindur në 1988), pasi ka punuar në disa nga kuzhinat më prestigjioze në Europë, u kthye në atdhe për të hapur, në 2017, restorantin e tij, i cili në vetëm tre vjet, është bërë një pikë e vërtetë e referimit të lokaleve tradicionale.

Agroturizmi ndodhet në një hapësirë mikëpritëse tipike shqiptare. Që të merrni një shërbim të mirë e të plotë është mirë që të rezervoni, por edhe nëse nuk keni mundur të rezervoni më përpara, do të përpiqen të bëjnë më të mirën për ju. Disa shkalla të gjata do ju çojnë në verandën prej druri, ku gjatë ditëve të verës, tavolinat mbushen plot me mysafirë, që çlodhen dhe drekojnë në mes të natyrës. Ndërtesa e arreduar në stil tradicional ka një ballkon të gjatë ku mund të shikoni një pamje fantastike të Dajtit. Tavolina e vendosur në këtë pozicion, është një mundësi shumë e mirë për të pushtuar me syrin tuaj, një pamje plot gjelbërim. Por mund të hani edhe në sofrat e rrumbullakëta tradicionale, të vendosura nën hijen e pemëve dhe të uleni këmbëkryq mbi qilimat e punuar me dorë, ku spikat ngjyra e kuqe.

Ashtu si me shumicën e restoranteve në Shqipëri, të gjitha moshat, nga 5 deri 85 vjeç, këtu mund të kalojnë një kohë të mrekullueshme.

Meqenëse ushqimi bazohet tek burimi lokal dhe sezonal, nuk ekziston një menu të shkruar, por kamarierët janë të mirëinformuar, ato do ju njohin me produktet e tyre, deri në detaje dhe ju do e keni të lehtë të vendosni se çfarë do të merrni. Kjo, pasi gjithçka bazohet tek antipastat ose “startet” e larmishme të cilat vijnë në tavolinë, sipas një rituali që lidh shijet. Të ftohtat, në fillim: djathi me boronicë ose arra, shoqëruar me reçel fiku, salcë kosi me shegë, turshi, suxhuk, e pastaj të ngrohtat, ku bëjnë pjesë byreku me hithra, flija, “karamelet Zana” që përveç emrit nostalgjik dhe ngjashmërisë së formës, nuk kanë gjë tjetër të përbashkët me karamelet e ëmbla, pasi janë makarona të mbushura me salca kremoze, plot shije. Sallatat janë të freskëta, të bollshme dhe të kompozuara bukur, si tek përbërësit e freskët, ashtu edhe tek mënyra e servirjes.

Gjithçka, nga byrekët e këndshëm te ëmbëlsirat, përgatitet me produkte vendase, të kultivuara nga fermerë vendas, të cilat gatuhen duke ndjekur receta tradicionale, por me një prirje drejt modernitetit.

Për secilin nga ju, do të sjellin edhe kos deleje, në enë qeramike, i cili do ju ndihmojë të ndani shijet. Por eksperiencën më të vecantë, e përbën mishi dhe servirja e tij. Ai piqet mirë dhe pastrohet nga kocka, pastaj serviret për klientët. Një ritual, që klientëve ju pëlqen ta shohin para syve të tyre, por që shefi e reklamon herë pas here edhe në faqet sociale të restorantit, në Facebook apo Instagram.

Së fundmi, ëmbëlsira, merrni një këshillë: zgjidhni bakllavanë të shoqëruar me akulloren e shijshme shtëpie.

Dita e fërgesës dhe tradita e zonës

Në Surel ka një numër të madh restorantesh të llojit agroturizëm ose fermë. Ushqimi është bio, i prodhuar nga vetë fshatarët të cilët ia kanë kuptuar rëndësinë turistike zonës së tyre dhe po tentojnë të kthejnë sytë nga turizmi. Nëse eksploron zonën me makinë, por edhe me këmbë, për ato që e duan natyrën dhe duan ta eksplorojnë atë, do të kenë mundësi të eksplorojnë kulturën lokale përmes vizitës në një nga restorantet e shumtë. Të gjithë shfrytëzojnë oborret, gjelbërimin dhe recetat tradicionale për të ofruar turistët, që më së shumti fundjavave e kanë Surrelin si destinacion.

Në Surrel madje ka nisur edhe një traditë e re, një ditë festive, me këngë e valle ku banorët e zonës mblidhen për të festuar, ka marrë emrin “Dita e Fërgesës”.

E nëse banorët këndojnë e vallëzojnë me muzikën e tyre të bukur tiranase, shefat e restoranteve të zonës, konkurrojnë për fërgesën më të mirë, e cila përgatitet me mëlçi, spec, hudhra, gjizw, djathë dhe pak domate. Megjithëse e thjeshtë në dukje, gara qëndron pikërisht tek cilësia e saj, prandaj për të ruajtur traditën e kulinarisë së zonës, por edhe për të tërhequr turistët, “Dita e Fërgesës” është një mundësi shumë e mirë, për të qenë visitor në Surrel.

Çfarë të bëni tjetër në Surrel

Ndalesa tek një nga restorantet e shumë në Surrel, mund të kombinohet fare mirë me një vizitë në Bunk'Art në një të dielë pasdite. Pasi mund të përfshini fare mirë historinë, kulturën tradicionale me natyrën, në një aventurë qoftë me familjen, qofte me grupe të vogla prej 4-5 personash. Mund të shihni një nga muzetë më interesantë dhe informues në Tiranë, meqënëse distanca mes tyre nuk është më shumë se 7 km të cilën mund ta bëni për rreth 15 minuta me makinë. Brenda bunkierit historik do të humbni në një botë tjetër.

Ndërsa në ditë me diell përvëlues vere, një nga gjërat e mira që mund të bëni në këtë zonë, është të bëheni pjesë e argëtimit të një prej pishinave të shumta aty pranë. Ka disa të tilla, që kanë bërë emër, ku investimet janë serioze dhe klientela mjaft e kënaqur. Një ndër gjërat më interesante është kontrasti i fortë mes tipologjisë së atraksioneve. Nga fermat dhe agroturizmi tipi tradicional, me mish në hell dhe pula të pjekura fshati, në pishina super luksoze, me koktejle me emra modernë dhe vajza me bikini.

Një aventurë në periferi, që duhet detyrimisht ta bëni pjesë e planifikimit tuaj turistik, nëse akoma nuk e keni bërë.

Neritana Kraja