Sot Shqipëria numëron një numër të madh hotelesh, të cilët ofrojnë mundësi akomoduese për turistët. Hotelet e ndërtuar gjatë viteve të fundit, kanë krijuar klientelën, por akoma nuk kanë arritur të krijojnë historinë e tyre. Por, ekzistojnë disa hotele, të cilët vijnë nga historia dhe kanë çfarë t’u ofrojnë njerëzve, përtej mundësive të tyre akomoduese. Ato janë tre hotele shqiptare, Hoteli i Gjuetisë në Lezhë, Hotel Adriatiku në Durrës dhe hotel Butrinti në Sarandë.

Hoteli i Gjuetise, menjehere pas ndertimit. Foto e institutit Luce

Hoteli i Gjuetise, menjehere pas ndertimit. Foto e institutit Luce

Hoteli i Gjuetisë në Lezhë

I projektuar në mes të një pylli të vogël me relief fushor, rrethuar plot gjelbërim, dikur ky hotel, ka qenë vila e Kontit Çiano, ish ministër i Jashtëm i Italisë. Ishte ai që e projektoi dhe e ndërtoi në vitin 1939. Me idenë për një hotel gjuetie, ai është një kompleks që ndodhet vetëm 2 km larg qytetit, në zonën e njohur me emrin historik Ishulli i Lezhës, ndonëse ishull nuk është.

Por thonë se shumë kohë më parë ka qenë një mini-ishull, që lagej nga deti dhe lumenj të vegjël, prandaj e ka marrë këtë emër. Ndërsa hotel “Gjuetia” u ndërtua dhe ka shërbyer kryesisht për gjueti.

Interesant është fakti që edhe rruga për në hotel është bërë nga Konti Çiano. Edhe arredimi i dhomave ishte bërë prej tij, me vatrën, bustin, çiften, sende të ndryshme të kontit, të cilat qëndruan aty për shumë kohë, derisa u zhdukën e nuk dihet se ku përfunduan.

Pas çlirimit, vila e kthyer në hotel, filloi të vizitohej nga qeveritarët e kohës, të cilët gjuanin shpendë dhe kafshë të egra të lagunës.

Hoteli përbëhej nga një ndërtesë njëkatëshe, kishte 20 dhoma, dy prej tyre përdoreshin si dhoma pritjeje. Hoteli dhe restoranti kanë funksionuar edhe në ato vite, por me periudha të shkëputura, varej se kush vinte, qeveritarë apo nga drejtoria e pritjes. Qëndronin një apo dy ditë. Nuk kishte kuzhinierë e personel të rregullt. Pas 1965-s filloi një organizim më i mirë.

Hoteli i Gjuetise sot

Hoteli i Gjuetise sot

Më vonë, hoteli u përfshi si rezidencë qeveritare, krahas Pallatit të Brigadave dhe asaj në Durrës

Sot hoteli vazhdon funksionim e tij. Nëse ndërtimi i “Hotelit të Gjuetisë”, është realizuar në harmoni të plotë me ambientin, mikroklimën dhe respektimin e traditës lokale të ndërtimit me gurë e drurë, elementë të tillë janë ruajtur me rigorozitet edhe në rikonstruksionin e plotë, që i është bërë ndërtesës.

Edhe sot ruan strukturën e dikurshme, është po ajo ndërtesë njëkatëshe, ajo sallë, dhomat me numrat mbi to, ai korridor i ngushtë, ai parket, gjithçka prej dërrase shumëvjeçare, karakteristikë e atij hoteli, si dhe natyra e jashtëzakonshme që e rrethon.

Vizitohet nga shumë mysafirë, të huaj dhe vendas, të cilët i intrigon jo vetëm natyra, por edhe historia e ish minisrit italian.

Hotel Adriatik viti 1960

Hotel Adriatik viti 1960

Hotel “Adriatik” në Durrës

Hotel “Adriatiku” është akoma edhe sot hoteli kryesor në Durrës, ndonëse është ndërtuar rreth 63 vite më parë, por vazhdon akoma edhe sot të ruajë lavdinë e tij. Hoteli pozicionohet në një breg të gjatë ranor dhe ka 70 dhoma.

Hotel “Adriatiku” është një hotel historik, i ndërtuar në vitin 1957. Një referencë e hershme për hotelin gjendet në një artikull të shkruar për “The Atlantic” nga gazetari James Cameron. Ndërsa në vitin 1982 e gjejmë tek guida mbi Shqipërinë e shkruar nga Philip Ward, i cili në ato vite e vizitoi hotelin dhe në guidën turistike që shkroi për Shqipërinë shkruan se çdo dhomë gjumi është një suitë.

Ky hotel elegant, luksoz dhe ikonik, i njohur si hoteli i parë shqiptar me 5 yje, është gjithashtu hoteli i parë i madh në shërbim turizmi. Hotel “Adriatiku” është projektuar nga arkitekti Gani Strazimiri, ashtu si ndërtoheshin hotelet e kohës në brigjet e Europës. Arkitekti i ri frymëzimin e mori nga hotelet e këtij lloji në Rimini të Italisë, sikundër u frymëzuan nga arkitektura italiane një pjesë e vilave të ndërtuara në këtë periudhë, në Durrës dhe Tiranë.

Hotel “Adriatiku”, me një histori të hershme, si destinacion i udhëheqësve të qeverisë në kohën e para viteve ’90, ka përfunduar rikonstruktimin e parë në vitin 2003, kur hoteli u rihap me standardet europiane. Ndërkohë rinovimi tërësor i fundit i hotelit u përfundua në 2018, ndërsa në shtator 2019 u shtua edhe Spa luksoze, me emrin Queen Teuta, (Mbretëresha e Durrësit).

Hotel Adriatik sot

Hotel Adriatik sot

Hoteli bie në sy për hapësirën e madhe në dispozicion jashtë, por edhe në brendësi.

Ky hotel është vendi ideal për të kaluar pushimet me familje. Restorantet “Veranda”, “Iliria” dhe “Apollonia” me pamje në det, ofrojnë çmime fantastike, menu mesdhetare, deti dhe tradicionale, me produkte organike të cilësisë së parë nga ferma. Pishinat verore dhe dimërore, të vetmet në Shqipëri me ujë deti të filtruar dhe të ngrohur.

Çdo gjë është në dispozicionin e mysafirëve, për pushime të paharruara verore, si dhe pushime të fundjaveve gjatë gjithë vitit.

Qetësia dhe mikpritja nga stafi kombinohen aq mirë sa sigurojnë maksimumin e komoditetit dhe shërbimit njëkohësisht. Bregdeti i afërt, ku mjafton të kalosh tunelin e harkuar të gjelbër, pikërisht si në dasmat në Havana, të bën të mendosh që edhe këtu mund të organizosh një ceremoni kurorëzimi, pa asnjë mangësi nga brigjet tropikale.

Hotel Butrinti ne vitin 1970

Hotel Butrinti ne vitin 1970

Hotel Butrinti

Hotel Butrinti është një ndër hotelet më prestigjioze në Shqipëri, në zemër të qytetit të Sarandës. Hotel Butrinti është konsideruar gjithmonë si simbol i qytetit. I ndërtuar në vitin 1973, me një arkitekturë imponuese të stilit socialist, përdorej ekskluzivisht për delegacione dhe turistë të huaj, çka e bënte një vend misterioz dhe intrigues për vendasit.

Hotel turizmi i Sarandës, që mori emrin Hotel “Butrinti”, u ndërtua në 5 vjet. Arkitekt i këtij hoteli ishte Agron Lufi. Interesant është fakti se paisjet e brendshme si dyer, dritare, banakë, rafte, krevate, tavolina e karrike u përgatitën në zdrukthtarinë e Delvinës me një standard shumë të lartë për kohën, ndërsa inventari imët, si: lugë, pirunë, thika, pjata, gota, etj., ishin kryesisht nga importi. Në përfundim gjithë ndërtimi i hotelit së bashku me paisjet kushtoi rreth 8.500.000 lekë, që me kursin e asaj kohe, vlerësohej me rreth 1.2 milionë dollarë.

Hoteli kishte 90 dhoma, sallën e restorantit, barin, verandat si dhe ambientet të tjera.

Hotel Butrinti sot

Hotel Butrinti sot

Në vitin 2001 ky hotel iu nënshtrua një rikonstruksioni dhe rimodelimi të plotë çka e ktheu atë në një hotel 5 yjesh të standardeve ndërkombëtare, por njëkohësisht la të paprekur pompozitetin e hapësirave që e karakterizojnë. Në vitin 2002 u hap plotësisht. Në strukturën e rinuar u shtuan disa aspekte të reja.

Sot quhet Hotel Butrinti. Ky ka qenë për vite me radhë vendi i organizimit të mbledhjeve të rëndësishme si dhe një shtëpi e dytë për shumë biznesmenë të huaj, që dinë të vlerësojnë shërbimin e shkëlqyer që ofron. Hotel Butrinti është një hotel ekzekutiv që ofron një pamje magjepse të shëtitores së Sarandës, shërbime të klasit të lartë, qendrën më të madhe të konferencave në të gjithë vendin si dhe shumë shërbime të tjera të jashtëzakonshme. Sot hotel Butrinti ka 54 dhoma dopjo dhe 23 dhoma suite. Restoranti ka afersisht një kapacitet prej 100 -150 vendesh.

Neritana Kraja