Në plejadën e artistëve shqiptarë të arteve figurative që kanë shkëlqyer në pikturë, një vend të veçantë zënë piktorët shkodranë, ndër ta edhe piktori Jakup Keraj, i cili u nda nga jeta në fundin e viteve ’80.

Në Tiranë u publikua në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar një monografi për piktorin e jashtëzakonshëm shqiptar Jakup Keraj. Monografia është një punim shumëvjeçar i studiueses së njohur shqiptare Suzana Varvarica Kuka, e cila me këtë punim e nxjerr piktorin nga heshtja.

Piktori Jakup Keraj ishte një piktor tepër i talentuar. Ai edhe pse jetoi dhe krijoi larg kryeqytetit në vendlindjen e tij, Shkodër, arriti të shquhet si një individualitet, por, pavarësisht talentit të jashtëzakonshëm, puna e tij, as kur ishte gjallë dhe as kur u nda nga kjo jetë, nuk trumbetohej me të madhe.

Studiuesja Suzana Varvarica Kuka, ka hulumtuar shumë rreth piktorit dhe vjen me këtë botim të plotë kushtuar atij.

“Ai do të dali nga heshtja, sepse e ka merituar, është pak vonë…. Mendo kur ka vdekur, në 87-ën dhe vijmë në 2021 për të bërë një libër për Jakup Keraj. Dhe fakti më i rëndë është se në 1988, në një histori arti të vetme, që është bërë në atë kohë, emri i Jakup Keraj nuk është. Kam zbuluar me dhjetëra artikuj që bëheshin si kronika të Lidhjes së Shkrimtarëve në Shkodër, për të gjithë artistët flitej, Jakup Keraj nuk përmendej”, thotë studiuesja.

Jakup Keraj nuk bëri kompromis me artin realist. Ky duket se ka qenë mëkati i tij më i madh.

Jakup Keraj është tipiku i dashurisë që ecën përkundër, ishte një zë lirik i pikturës intime dhe ndjesive të brendshme. Piktura e tij është një lloj drite e patinuar dhe e mbështjellë nga një tis elegant e shumë i kultivuar, që i buronte nga sensi qytetar dhe parimet e elitave të zgjedhura. Studiuesja ndalet pikërisht tek raporti i piktorit Jakup Keraj me artin:

“Ai nuk bëri kompromise me artin e tij realist, të cilin e mori të mirëinformuar dhe ashtu siç thotë edhe Ksenofon Dilo, në Shëns Petërburg. Unë veçoj portretet, e veçojnë edhe profesorë të tjerë para meje, duke filluar nga Ferid Hudhri, Gëzim Qëndro dhe unë u jam mirënjohëse, sepse atë lloj përcaktimi që kanë bërë ato, e kanë pasur shumë të drejtë dhe mua më vlen shumë për ta thënë edhe sot, por unë mund të hap një parantezë e të them sot, se edhe kompozimet e tij janë të mrekullueshme”, thotë studiuesja.

Portreti që i ka realizuar piktorit shkodran Danish Juknit apo “Vajza në kopsht”, janë disa nga veprat e tij që tregojnë klasin e një piktori, por edhe prirjen për një pikturë përtej zyrtares.

Po ashtu, pikturat me karakter historik, nga legjendat mbi heronjtë, janë sërish një dëshmi e një mashtabi pikturor që e njihte shumë mirë planimetrinë kromatike dhe teksturën e atmosferës historike.

Në realitetin ku jetonte, ai ruajti mëvetësinë e tij, si një arketip i shkëputur në trevat e veriut, si një realitet i margjinalizuar nga koha.

Një ndër artistët që e ka njohur veprën e piktorit Jakup Keraj, është piktori Ksenofon Dilo. I pamundur për të qenë prezent në promovimin e monografisë, ai përcjell përmes studiueses Varvarica-Kuka, vlerësimin e tij për piktorin:

“Ai mbetet mjeshtër i trajtimit të figurave, duke theksuar jo vetëm tiparet, por duke vërejtur me kujdes, anën psikologjike të veprës. Ndodh që autorë të shquar të mbeten jashtë vëmëndjes, sepse kritika jonë, aq sa është, mbetet subjektive, e njëanshme dhe hera-herës spikat më lehtë zhurmën, se sa vlerat e heshtura, por të vërteta, të çfarëdo trajte qofshin ato”.

Në ceremoninë e përurimit të librit morën pjesë artistë, studiues, qytetarë të pasionuar pas arteve si dhe famijarë të artistit të njohur shkodran. Në promovimin e monografisë piktori i njohur Gazmend Leka ndau opinion e yij mbi veprën e Jakup Keraj, duke vlerësuar çdo penelatë të tij: “Peneli i Jakupit nuk ishte një zgjatim i dorës së tij, nuk ishte një zgjatim i qënies së tij, por ishte piktura mu në qendër. Ishte sikur piktura po fliste vetë, sikur Jakup ishte një instrument për t’u shfaqur.”

Jakup Keraj ishte student i grupit të parë të artistëve që studiuan në Institutin e Pikturës në Shën Petërburg, në fundin e viteve ’50. Imazhi i talentit të jashtëzakonshëm “të shqiptarit Keraj” do të “ndihmonte” të gjithë studentët që vijuan studimet në këtë shkollë. Gjatë kohës kur ishte student e më vonë, në zyrën e dekanit rus, Orezhnikov, ndodheshin edhe dy nudo me dimensione të mëdha të mbajtura në një sfond blu të përmasave të mëdha 2 x 1.5m, të studentit të veçantë shqiptar Keraj.

Piktori Keraj i porsadiplomuar, entuziast, sapo mbaroi studiemt u kthye në vendlindjen e tij Shkodër dhe filloi punë si mësues i vizatimit teknik në një shkollë të qytetit, me “ëndrën” që të fillonte shumë shpejt si pedagog në Institutin e Arteve Figurative, që u hap në Tiranë në janar 1961. Por në fakt, nuk u u ftuar asnjëherë të punonte aty.

Të gjitha kujtimet e tij jetësore do ndieheshin në shkarkesat e rrjedhës së rrugës veriore, të mpleksura në ndërgjegjien reflektive, të një piktori që nuk la shkas pa e hedhur në telajo: zadrimore, heronj, vajza lirike, portrete malësorësh, përjetime të afërta e të largëta si një mall i pafund. Një udhëtim i ndjeshëm, i paprekur, i ruajtur në një skutë të fshehtë të një monologu pa kufi.

Përfaqësuesja e shtëpisë botuese Mediaprint, Anila Bisha, rrëfen se botimi i monografisë, është veç të tjerash, edhe kërkesë e vazhdueshme e vajzës piktore të artistit, Albana Keraj. Duke qenë piktore edhe ajo vetë dhe e ndarë shumë shpejt nga babai i saj, ajo e ka ndjerë më shumë dhe ka insistuar që një publik sa më i gjërë të njohë punën e atit të saj.

“Ky botim është shumë personal me mua sepse ka të bëjë me marrëdhënien që unë kam me të bijën e piktorit Albanën. Ajo dhe bashkëshorti i saj, besoj se sot kanë realizuar një nga ëndërrat e hershme, për të sjellë një botim, siç e meritonte ati i tyre.”

Në fondin e GKA, Tiranë ruhen 25 punime të artistit, ndër to dhe diploma e tij, ndërsa 22 punime ndodhen në GA, Shkodër. Vepra artistike e piktorit arrin në mbi 260 punime në vaj, akuarel, pastel dhe vizatime me laps. Veprat e tjera të piktorit Jakup Keraj ndodhen në koleksionin e familjes Keraj, si dhe në koleksione private brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Piktori Jakup Keraj jetoi pak. Lindi në 1933 në Shkodër dhe vdiq në 1987. Ai jetoi e punoi në qytetin verior, pa u larguar asnjëherë prej aty. Shkodra artdashëse e njeh krijimtarinë e tij. Sot përmes kësaj monografie, mund ta njohë dhe ta vlerësojë edhe një publik edhe më i gjërë.

Neritana Kraja