“Më pëlqejnë Kina dhe populli i saj. Kina është vatra ime. Kjo dashuri e ka lidhur punën dhe jetën time me fatin e Kinës.” Ky është epitafi në një gur varri në formë libri në Varrezën Revolucionare "Baobaoshan" të Pekinit.

Këto fjalë i ka thënë Israel Epstein-i, një kinez me fytyrë të huaji.

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Epstein-i lindi në prill 1915 në një familje hebreje në kryeqytetin polak Varshavë gjatë Luftës së Parë Botërore. Në moshën dy vjeçe ai erdhi në Kinë së bashku me prindërit. Në fillim ata banuan në Harbin të Kinës Veriore dhe më vonë u shpërngulën në qytetin Tianjin.

Pas shpërthimit të Incidentit të Urës "Lugou" (ura "Marko Polo") më 7 korrik 1937, Epstein-i filloi karrierën si gazetar lufte. Tianjin, Nankin, Wuhan, Guangzhou dhe Hong-Kong, në frontin e parë të rezistencës së popullit kinez kundër agresionit japonez, ai u kthye në një luftëtar internacionalist. Ai qëndroi në anën e popullit kinez në mënyrë të vendosur dhe demaskoi para botës dhunën e luftës të fashizmit japonez në Kinë, duke kënduar madhështinë e popullit kinez në luftën kundër agresorëve dhe për shpëtimin e vendit.

Song Qingling, Bashkëshortja e Sun Yat-sen-it, dhe anëtarët e Komitetit Qendror të Ligës së Mbrojtjes së Kinës në vitin 1938 (I pari majtas është Epstein)/ foto nga "People Vision"

Song Qingling, Bashkëshortja e Sun Yat-sen-it, dhe anëtarët e Komitetit Qendror të Ligës së Mbrojtjes së Kinës në vitin 1938 (I pari majtas është Epstein)/ foto nga "People Vision"

Në vitin 1944, Epstein-i vizitoi Yanan-in, qendrën e bazave revolucionare të Partisë Komuniste të Kinës, si gazetar i agjencisë amerikane të lajmeve “United Press”, së bashku me një delegacion gazetarësh. Ai bëri intervistë me liderët e Partisë Komuniste të Kinës, si Mao Ce Dun, Çu En Lai, Xhu De etj. Mbi 20 raporte të shkruara nga ai u botuan në gazetën “The New York Times”, dhe më vonë u përfshinë në librin e tij “Revolucioni i pakryer në Kinë”, i cili u botua më 1947 në ShBA dhe u përkthye në shumë gjuhë, duke e njohur botën me Luftën e Rezistencës së Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez dhe duke ushtruar ndikim të madh në arenën ndërkombëtare.

Në Yanan Epstein-i ndihmoi aktivisht edhe kolegët kinezë. Lajmi i parë në anglishte i agjencisë kineze të lajmeve "Xinhua" u publikua pas redaktimit të tij. Qysh nga ajo kohë, bota filloi ta dëgjonte zërin e Partisë Komuniste të Kinës.

Epstein-i dhe dijetarë kinezë në Chongqing në vitin 1945/ foto nga "People Vision"

Epstein-i dhe dijetarë kinezë në Chongqing në vitin 1945/ foto nga "People Vision"

Fill pas shpalljes së Republikës Popullore të Kinës, me ftesën e nënkryetares së qeverisë qendrore të Kinës Song Qingling, Epstein-i u kthye në Kinë dhe mori pjesë në punët e themelimit të revistës së publicitetit për jashtë “Ndërtimi i Kinës” (që më vonë u riemërtua si “Kina Sot”).

Epstein-i mori shtetësinë kineze në vitin 1957 dhe u anëtarësua në Partinë Komuniste të Kinës në 1964-n. Duke e përgjithësuar kontributin e Epstein-it lidhur me publicitetin për botën e jashtme të Kinës, kolegu i tij për dhjetëra vjet Zhang Yan, njëherësh ish-zv.kryeredaktor i revistës “Kina Sot”, tha se puna e Epstein-it nuk mbeti vetëm në redaktimin e artikujve ose botimin e një reviste, por ai paraqiti shumë propozime strategjike dhe taktike për çështjen e promovimit për botën e jashtme.

“Në kohën dhe hapësirën e përcaktuar nga historia për mua, nuk mendoj se do të kishte ndonjë gjë tjetër më me rëndësi se përjetimi nga afër dhe pjesëmarrja në çështjen revolucionare të popullit kinez,”ka shkruar Epstein-i në autobiografinë e tij.

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Në maj 2005, Epstein-i u nda nga jeta në Pekin. Bashkëshortja e tij, znj. Huang Huanbi, i ruan deri më sot kërkesat e Epstein-it për marrjen e shtetësisë kineze dhe për anëtarësimin në Partinë Komuniste të Kinës. Në letrat e zverdhura, çdo fjalë në anglishte tregon zemrën e tij të zjarrtë për Kinën.

“Ai kishte ndjenja të veçanta ndaj Kinës. Ai nuk lejoi asnjë të dëmtojë famën e Kinës kurdo dhe kudo,” është shprehur Huang Huanbi. Epstein-i shkroi për Kinën tërë jetën. Ai duket se lindi për Kinën dhe e ruajti dashurinë e thellë e të çiltër për këtë vend.

“Kinezët zakonisht kalojnë nga patriotizmi në internacionalizëm, ndërsa unë kalova nga internacionalizmi në patriotizëm,” e ka përgjithësuar jetën e vet ky kinez me fytyrë të huaji. (Wang Lei/ Artan)