Alpeve

Reçi është një vend i egër, i largët dhe autentik që shfaqet fare rrallë në guidat turistike dhe blogjet e udhëtimit. Por është destinacion i përkryer për turizmin familjar, ku prioritet është zbulimi i natyrës, shëtitjet dhe gastronomia bio. Po ashtu, është përzgjedhje mjaft entuziaste për turizmin e aventurës, ku grupe të rinjsh, miqsh apo sportistë amatorë, bëjnë ecje në mal. Në rubrikën tonë Destinacion, do ju shoqërojmë në guidën e një fundjave në Reç, duke ju treguar arsyet pse të shkoni dhe çfarë të bëni atje.

Reçi është një fshat pikturesk i Malësisë së Shkodrës, ose, si të thuash, kufiri viziv i fushës, me Malësinë dhe Alpet. Ndodhet në fillim të Parkut Rajonal Shkrel, pika e hyrjes së Alpeve Shqiptare, pak hapa nga Pylli i mrekullueshëm i Gështenjave, i shpallur monument kulture që nga viti 1974. Në pyll do të mahniteni nga drurët e shekullorë. Do të shihni trungjet e tyre të gjërë e do të bindeni për lashtësinë e tyre, ndërkohë që pylli numëron rreth 30 000 rrënjë gështenjash.

Fshati ndodhet rreth një orë larg Shkodrës, atje shkohet me makinën tuaj dhe është një ndër atraksionet më të bukur, nëse vërtet kërkoni një destinacion rural, si një mundësi të shkëlqyer për tiu afruar Alpeve.

Kur të shkoni në Reç?

Në Reç mund të shkoni në çdo kohë, por ne sugjerojmë që të shkoni ose në pranverë dhe verë, ose gjatë vjeshtës.

Nëse shkoni në pranverë, do të shihni fushat e lulëzuara nga livando. Ngjyra lejla e arave të mbjella do ju shoqërojnë kilometër pas kilometri, ndërsa i afroheni fshatit. Për të shkuar në Reç, do të lini pas qytetin e Shkodrës e do të udhëtoni përmes rrugës nacionale drejt veriut të vendit, pastaj do të merrni rrugën që të çon për në Razëm. Do të ktheheni djathas, ku do të ecni përgjatë një lugine, në të cilën kundërmon livando e kuqëlon lulëkuqja. Duhet të shihni me kujdes tabelat rrugore dhe të ndiqni gjithmonë indikatorin “Reç”.

Sapo të mbërrini në fshat do ju duket sikur jeni ulur këmbëkryq mes malesh, ndërsa gjelbërimi dhe harlisja e pemëve ju bën ta ndjeni edhe më pranë mrekullinë e natyrës.

Nëse shkoni në vjeshtë, do keni mundësi të shijoni gështenjat, një pasuri më vete e kësaj zone, të cilat njihen në të gjithë vendin për cilësinë e tyre.

Si në botën e përrallave, do ta gjeni veten të rrethuar nga pyje të tërë gështenjash dhe mund të mblidhni sa të doni. Shënojeni këtë detaj, që të bëni patjetër një udhëtim në Vjeshtë, ndërkohë ne do vijojmë guidën tonë të verës në agriturizmin që kemi zgjedhur për sot.

Rruga e Mullirit

Në Reç mund të shkoni e të vini brenda ditës, por me qëllim që ta ndjeni vërtet rëndesën dhe bukurinë e maleve, të shihni si lind mëngjesi dhe si perëndon dielli në Alpe, mund të flini një natë në fshat.

Për të kaluar një fundjavë në Agriturizmin “Rruga e Mullirit”, e mira është që të prenotoni paraprakisht.

Pasi të kaloni sheshin historik të fshatit, duke ecur vazhdimisht mes pyjesh me gështenja, një rrugë e ngushtë do tju çojë drejt e tek “Rruga e Mullirit”. Para viteve ‘90, ditën e fundit të muajit gusht, në qendrën e fshatit zhvillohej një festë tematike, në të cilën mblidheshin dhe kalonin natën vendasit dhe të rinjtë nga Shkodra me këngë dhe valle

“Rruga e Mullirit” është një shtëpi e vogël me oborr, kopësht, pemë frutore dhe mbi të gjitha me një zemër të hapur për mysafirët.

Shtëpia përbëhet nga një dhomë dyshe, dy dhoma me nga dy krevate teke, një banjo për secilin kat si dhe një oborr të madh në natyrë. Të gjitha dhomat janë të pajisura me wi-fi. Gjithçka është mobiluar në stilin tradicional të këtij rajoni malor të veriut të Shqipërisë, me elemente druri dhe tekstile të punuara me dorë.

Do ju presin që në fillim me lëng trëndafili, me thanak apo lëng shege. Të zotët e Agroturizmit, pjesë e një familjeje, janë mjaft mirëkuptues. Edhe nëse nuk keni rezervuar, ato do bëjnë çmos tju kënaqin, pavarësisht se janë shumë të ngarkuar dhe presin e përcjellin turistë gjatë gjithë vitit. Turistët që frekuentojnë, zakonisht janë të huaj të cilët prenotojnë përmes platformave online. Zakonisht ata bëjnë një turizëm shumë aktiv, përherë në lëvizje. Parapëlqejnë ecjen. Por ju intereson edhe historia dhe relievi, të cilat të zotërit e shtëpisë, kanë prioritet tua mësojnë dhe t’i udhëzojnë miqtë e tyre.

Nëse ju, si mysafir, dëshironi të uleni mbi bar, do ju sjellin menjëherë edhe ca jastëkë që të rrini sa më rehat. Fëmijët tuaj mund të koloviten mbi shtjergullën (kolovitëse) prej druri të zbukuruar me lule, mund të ndjekin klloçkën, të luajnë me macet apo të kundrojnë lopët, por mund të këpusin edhe kumbulla apo fruta të tjera të stinës, me këmbët zbathur mbi bar. Të zotët nuk i frenojnë aspak, përkundrazi janë shumë ftues.

Ato do tju ofrojnë edhe byrekë të përsosur të mbushur me mish e qepë, apo me kos, reçel organik me boronica apo fruta pylli, ndonjë ëmbëlsirë dhe në fund kafe me raki, të gjitha homemade, nga zonja e shtëpisë dhe ndihmëset e saj.

Por nëse jeni pjesë e rezervimit dhe keni vendosur të flini, fjetja në dy netë, për dy persona, duke përfshirë edhe mëngjesin e bollshëm, kushton 85 mijë lekë.

Gastronomia, bazuar në produktet sezonale dhe lokale, është një nga pikat e forta të Rrugës dhe Mullirit: ulur në tryezën e gjatë të vendosur në oborr, e puthur nga dielli dhe e magjepsur nga peisazhi përreth, është e mundur të shijoni byrek shtëpie, djathë dhie, reçel manaferrash, konserva gështenje, lëng shege, ëmbëlsira tradicionale dhe gjëra të tjera shumë të shijshme.

Çfarë të vizitoni?

Shumë interesante në Reç është shpella e Pllumbave. Rrugës në drejtim të Qafë Gradës, në një shteg të shenjuar dhe të lehtë për tu kaluar, përmes një mali shkëmbor të mbushur me shkurre dëllinjash dhe bimë medicinale, si sherbela, apo livando, mund të vizitohet kjo shpellë e bukur, e pasur me kolona, stalaktite dhe stalakmite.

Këtu mund të gjeni edhe Gurin e Kripsorrës, që duket sikur është diamand, por nuk është i tillë. Elementi përbërës kryesor i tij është një lloj kripe që krijon kristale rrezellitëse, me të cilin krijohen objekte zbukuruese.

Shpella e Pëllumbave vizitohet nga shumë turistë, por që mbase nuk e kanë informacionin e duhur, që ko shpellë nuk duhet vizituar pa një leje të autoriteteve vendore, pasi jashtë saj rriten disa specie bimore të rralla, që po shkojnë drejt zhdukjes dhe një turizëm i pakontrolluar, mund ti dëmtojë ato.

Jo shumë larg qendrës së Reçit, në lagjen Prelnikaj gjenden puset e Reçit ose siç i thonë banorët Krenzat. Këto janë katër puse uji rreth 100 vjeçare të ndërtuar me gryka guri.

Njëherë e një kohë kjo zonë njihej për dhjetëra mullinjtë që ishin ndërtuar aty. Sot mund të vëresh rrënojat e mullinjve, si dhe së largu kodrën ku ndodhet Kalaja e Ballzës (ku gjenden rrënojat e një kishe të vjetër, kisha e Shën Gjergjit).

Interesant është fakti se këmbana e artë që u gjend në këtë kishë, ruhet në Vatikan, si një ndër tre këmbanat unike prej ari.

Për ata që nuk mund të rezistojnë pa lëvizur ka plot mundësi të tjera për zbavitje: mund të bëni piknik në pyllin e gështenjave, mund të ngjisni malet përreth, të mblidhni bimë medicinale, ose nëse vërtet nuk i rezistoni tundimit për të përmbushur kulturën, kaloni një pasdite në Shkodër midis muzeve dhe kalasë.

Duke ecur nëpër male, duke eksploruar kulturën, veshjet tradicionale, gatimet tipike, tregimet, mikpritjen, monumentet historike, në fakt ju keni zbuluar një destinacion tipik të veriut të vendit.

Për të shkuar në Reç ju duhen atlete nosmale, por nëse doni të bëni ecje të gjata, ju nevojiten këpucë per Hiking, veshje të pambukta për verë dhe me mëngë të gjata për dimër, aparat fotografik për të fiksuar momentet më të bukura të udhëtimit, ujë dhe një çantë të vogël udhëtimi me ndonjë ushqim të thatë. Paketa ditore për nisje nga Shkodra kushtojnë 1000 lekë për person, kurse për nisje nga Tirana kushtojnë 1500 lekë për person.

Neritana Kraja