Të gjithë e dimë së të shkosh në kamping është kënaqësi. Natyra gjithmonë na freskon duke na shtuar energjinë. Diell, ajër i pastër, gjumë në natyrë, gjithashtu një zgjedhje low cost, por që të dhuron aventura të jashtëzakonshme dhe të bën të lumtur.

Gjatë viteve të fundit, gjithnjë e më shumë kampingu po kthehet në tendencë. Vende të rezervuara për kamping shohim në breg të detit dhe në majë të malit, në breg të liqenit apo lumit. Sot do të flasim për tre prej tyre, që kanë tipare të ndryshme, por që janë padyshim më të kërkuarit dhe të vlerësuarit për funksionin dhe pozicionimin e tyre.

Prandaj nëse gjatë fëmijërisë, por dhe rinisë nuk keni qënë ndonjëherë në kamping, ka ardhur koha ta provoni këtë eksperiencë dhe t’i dorëzoheni shpirtit të aventurës.

Kampingu në Jalë

Kampingu në Jalë Ka qënë një nga të parët në Shqipëri dhe për shumë vite shembull për kampingjet e tjera. Ndodhet në fshatin Jalë, shumë pranë Himarës.

Ky kamping ju ofron mundësinë më të mirë për një zhytje në Jon.

Kampingu është i pozicionuar buzë detit nën hijen e ullinjve dhe portokajve që karakterizojnë këtë zonë. Në këtë kamping akomodimi bëhet në çadra me sfungjerë dhe çarçaf ndërkohë që mëngjesi dhe darka shërbehen në kamp.

Në këtë kamping ka rreth 800 çadra. Njerëzit që vijnë këtu, pushojnë dhe heqin mendjen nga çdo lloj stresi. Janë pushime që mbase njerëzit në Shqipëri nuk janë të mësuar, por sidomos të huajt i pëlqejnë shumë. Çdo fundjavë aty shkojnë më shumë se 400-500 veta.

Puna në kampingu e Jalës nis në fillim të Korrikut. Por fluksi më i madh i njerëzve është nga mesi i Korrikut deri nga mesi i Gushtit. Ndërsa për sa i përket çmimit, ai është vetëm simbolik. Kushton vetëm 1000 lekë për person për një natë, duke përfshirë mëngjesin dhe darkën.

Në Jalë, përpos zbulimeve të plazheve private dhe të virgjëra, mund të shijohet jeta nënujore që është e pasur, por dhe jeta e natës e mbushur me aktivitete dhe festa.

Pushuesit shpesh herë në grupe të udhëhequra me guidë kanë mundësinë të vizitojnë Gjipenë dhe Porto Palermon.

Kampingu i Liqenit të Shkodrës

Kampingu është zgjidhja ideale për ata që duan të jetojnë të rrethuar nga natyra.

Nga këtu arrihen lehtësisht atraksionet e Shkodrës, Liqeni dhe plazhi i Velipojës.

Gjithashtu nga këtu mund të shkohet fare lehtë drejt Liqenit të Komanit, Thethit dhe Valbonës.

Një pikë strategjike për tu stacionuar aty e për të vazhduar udhëtimin si drejt Alpeve, ashtu edhe përtej kufirit verior, drejt Malit të Zi , rrugë që bëhet për 20 minuta.

Kampingu shtrihet në 6 hektarë dhe përfshin një plazh privat me hyrje të drejtpërdrejtë në liqen. Mysafirët mund të flenë në cadra, shtëpi mbi pemë, shtëpiza prej druri, apo “kasolle bariu”.

Mos harrojmë ushqimin, mish, peshk dhe perime organike të rritura vetë. Kuzhinë tradicionale shqiptare, pa harruar picat që pëlqehen pa përjashtim, nga të rritur dhe fëmijë. Verë dhe pijë shqiptare për një aventurë të re dhe jo shumë të kushtueshme.

Në kamping ofrohet internet pa pagesë, shtretër dielli dhe çadra, zonë për lojëra për fëmijë, pingpong, top volejbolli.

Mund të peshkoni dhe të vrojtoni zogjtë. Gjithashtu nga kampingu mund të merrni me qera kanoe, pedalone, biçikleta dhe varka për vozitje.

Renditet si një nga "Dhjetë kampet më të mira në Evropë" dhe është fitues i disa cmimeve nga Trip Advisor dhe Camping.info me bazë në Berlin, një nga portalet kryesore të informacionit për pushimet në kampe në Europë. Ky portal e ka përzgjedhur si ndër më të popullarizuarët nga mbi 22,000 kampingje konkuruese në 44 vende uvropiane.

Kampingu pa emër

“No name Campnig” ose “Kamping pa emër” ndodhet pranë zonë së Karpenit në Kavajë.

Ky kamping ju ofron mundësinë më të mirë për një zhytje në Adriatik.

Ndodhet në mes të natyrës, vetëm 30 minuta nga Kavaja. Për të arritur këtë destinacion mund të përdorni makinën tuaj. Ajo që e bën këtë vend të mrekullueshëm është natyra e virgjër dhe uji i pastër. Hapësira është e rrethuar me kodra jeshile, ullinj, pisha, bredha dhe pemë frutore.

Pjesa më e bukur e këtij kampingu është ishulli i krijuar nga dora e njeriut, i lidhur me bregun më një platform prej druri, ideale për zhytje dhe banjo dielli.

Ky kamping ju ofron tre mundësi: mund të shkoni atje me rulotën tuaj, pasi ka vend ku ta parkoni, shumë afër detit; mund të merrni me qera një dhomë në shtëpinë prej druri, e cila është gjithashtu pjesë e kampingut; por mund të flini edhe në rulotën e kampingut, e cila është vendosur në mes të gjelbër. Kjo rulotë ka një krevat dopio, dy krevat teke për fëmijë, kuzhinë dhe gjithashtu ajër të kondicionuar. Gjithashtu ka edhe një verandë shumë të bukur, të vendosur afër këtij ruloti, ku mund të shijoni ushqimin dhe një pamje fantastike.

Në total kampingu ofron 40 kampera dhe 40 tenda bashkë me shërbimet sanitare moderne, restorantin dhe hapësirat e tjera të përbashkëta.

Lokali dhe restoranti, ku shërbehen peshq të freskët deti dhe gatime tradicionale shqiptare, ndodhet në një ndërtesë prej druri me një pamje befasuese të vijës bregdetare.

Gjithçka është bërë nga materiale druri ekologike. Kampingu pa emër është një vend shumë i bukur, ku mund të bësh vetëm zhurmën e detit.

Është i hapur gjithë vitin, por për muajt korrik e gusht duhet rezervim, pasi kërkesat nga turistë të huaj dhe shqiptarë janë shumë të larta.

Neritana Kraja