Ne jemi mësuar të shohim tabllo ose skulptura, të rrimë para tyre, të meditojmë, të marrim impresionin e parë dhe të ikim…Ndërsa në ekspozitën, shumë kontemporane të Robert Aliaj Dragot, e cila u hap para pak ditësh në COD (Qendra për hapje dhe Dialog), publiku përballet me një art të pazakontë, me mesazhe të drejtpërdrejta dhe provokim shpirtëror. Që në momentin kur futeni në COD ka një mur, ka një statujë në bronx të vetë artistit, në momentin kur ai puth murin, si dhe një perde, e cila tregon se pas një muri ka një hapje, ka një dialog.

Kjo eksopzitë përcjell një art të pazakontë, jashtë konvencionit me të cilin zakonisht jemi mësuar. "Muri më mbron, por njëkohësisht edhe më izolon. A duhet unë t'i jem mirënjohës apo duhet t'i trembem?"

Me këtë mendim të formuluar në mendjen e artistit dhe të shkruar në një ekran të madh, vjen ekspozita "E pashmangshme" nga Robert Aliaj Dragot, një artist i njohur antikonformist, që e ndan jetën e tij artistike mes Tiranës, ku ka lindur dhe është diplomuar për pikturë dhe Belgjikës, ku jeton dhe ku e ka përmirësuar dhe zhvilluar profesionin e tij si profesionist i lirë. Ekspozita është hapur në hollin e Kryeministrisë.

Artisti në këtë ekspozitë vjen me një zhanër të rrallë për publikun shqiptar, por nga ana tjetër shumë komunikues.

Performanca live që bën artisti është shumë e drejtpërdrejtë dhe publikut i shërben shumë ky art i vërtetë, për të cilin Robert Aliaj ka punuar për disa muaj, për të mbërritur në finalen që publiku sheh. Vetë Robert Aliaj tregon se si i lindi kjo ide dhe të gjithë procesin e konsideron si një sfidë personale.

“Ideja ishe e thjeshtë, kemi të bëjmë me një qëndrim artistik jashtëzakonisht të bazuar mbi të gjitha, tek mendimi, jo vetëm ide, por ka brenda psikologji, ka brenda momente shumë të vështira, ka provokime shpirtërore. Sigurisht, çdo gjest artistik, është mbi të gjitha gjest politik dhe çdo gjest i individit në fakt është politik po ta shohësh mire. Por këtu qëllimi nuk ishte thjesht një përshkrim politik i gjërave, ose reagim i një artisti, në raport me ngjarjet direkte. Ishte një sfidë që doja t’i bëja vetes sime në të gjithë këtë katrahurë që unë e kam përjetuar në Shqipërinë e pas 90-ës… ishte një manifest fizik, që doja të ndërtoja, të këtij raporti, që kisha unë me veten, prandaj edhe unë ndërtova një mur aty, si dëshmi, ose si qëndrim kundër izolimit, kundër gjithë fenomeneve që kanë ndodhur këtyre 30 viteve kundër mashtrimit, zhgënjimit, kundër dështimit, kundër dialogut, kundër çdo gjëje që më ka prekur nga Shqipëria”, shprehet artisti

Gjithçka fillon tek muri. Muri është simbol që Europa e njeh shumë mirë dhe është pjesë e historisë së saj.

“Në eksperiencën time personale e kam parë veten shpeshherë duke u përballur me mure si shoqërore, por edhe institucionale. Ne shqiptarët kemi arritur t’i përballojmë këto mure, të cilat i kemi ngritur po vetë. Por, këto mure, kemi harruar që duhen shembur, ndaj duhet të përballemi me anën tonë të errët”, thotë artisti Robert Aliaj Dragot.

Performanca e Robert Aliaj Dragot i ngjan një loje provokuese. E shohim disa herë të hyjë dhe të dalë në hollin ku është vendosur muri, ndërkohë që murin e ndërtuar në COD, në një performancë “live”, as nuk e shëmb e as urren, por e përkëdhel dhe e puth. Pikërisht kulmimin e kësaj performance, e ka skalitur në brox skulptori Ardian Pepa.

Çdo njeri ka nevojë të përballet me muret e veta, thotë Dragoti, pasi ato janë pjesë e pashmangshme e jetës sonë. Ngremë mure mentale e më pas shoqërore dhe politike dhe harrojmë t’i shembim ato.

Simbolet e tyre janë të jashtëzakonshme, ndërsa përdorimi i tyre metaforik na fton në një bashkëverim të përjetshëm.

“Dua të them për performancën para murit, që ajo është një performancë shumë personale, është një meditim para murit dhe pastaj gjesti është për t’u zbuluar, se çfarë ndodh midis meje dhe murit. Secili nga ne, secili shqiptar, mendoj se ka nevojë të përballet me muret e veta, mentale, psikologjike, emocionale… Jemi të rrethuar vetëm nga muret, prandaj dua të them se njerëzit duhet të përballen me të keqen e vet. Eshtë shumë e rëndësishme për ne si shqiptarë, por edhe për të gjithë…”, flet artisti

Por më shumë se histori personale e artistit, kjo ekspozitë duhet deshifruar si reagim ndaj nocioneve të ndarjes fizike dhe psikologjike, që përbëjnë aspektet psikologjike të ekzistencës së njeriut. Kjo ekzspozitë i fton njerëzit të reflektojnë ndaj mënyrës se si i shohin muret.

Eshtë një lojë ku njeriu nuk hyn thjesht për të parë, por bëhet pjesë e saj. Pjesë e ekspozitës ishte edhe prania e aktorit Matias Llupa me ecjen e tij mbrapsht për orë të tëra, rreth e rrotull hollit, një lojë psikike që i bashkangjitet idesë në tërësi të artistit Dragoti.

“Muri në vetvete është një vepër arti që i ka të gjitha simbolet brenda. Unë më tepër e kam problemin me veten, prandaj ishte përplasje me mua. Fillon nga vetvetja çdo ndryshim në shoqëri. Nuk do të fillojë duke thënë: “Hej, ndrysho ti!” Fillon nga vetvetja dhe kjo ishte përplasja ime me murin. Unë do të vdes aty te muri, unë do të tregoj ty se jam i nënshtruar, unë do të tregoj ty që të jap dashuri, unë të tregoj ty që të jap urrejtje, unë të tregoj ty që të jap këtë pashmangshmërinë e nënshtrimit që kam pësuar si deformim, psikologjik dhe moral. Të gjitha këto ishin tek gjesti i puthjes së murit”, shpjegon Dragot

Kuratori i ekspozitës është Klod Deda. Ekspozita është pritur mirë nga publiku, por duke qenë një ekspozitë konceptuale, ajo kërkon një publik të kualifikuar dhe të veçantë që ka nevojë të vërtetë shpirtërore për këto ndryshime.

Robert Aliaj është artist shumëdimensional. Jeton dhe punon në Bruksel dhe Tiranë. Rrugën e artit e nisi si piktor, ndaj piktura ishte pika e nisjes për të gjitha aktivitetet e tjera që ai shfaqi. Në fund të viteve 90, pas një karriere të impresionuese si këngëtar, Robert Aliaj u shkëput nga muzika, për t'u rikthyer në pasionin e tij të parë si piktor.

Puna e Dragorit është figurative. Ai shquhet për përdorimin e gjerë të teknikave të ndrsyhme, nga fotografia tek televizioni dhe filmi.

Tani ai është i fokusuar veçanërisht në hulumtim multimedial, duke eksperimentuar me fotografinë, duke lëvizur imazhe, animacione, tinguj dhe pikturë, pa humbur cilësinë piktoreske.

Robert Alia jo rrallë shfaqet si kritik i artit në produksione të ndryshme televizive. Aktivizteti i tij i fundit artistik, është ekspozita “E pashmangshmja e hapur në COD”.

Neritana Kraja