Pas një periudhë të gjatë të mbylljes nga pandemia, jeta artistike në vend pak e nga pak po i kthehet normalitetit. Teatrot, në rrugë apo skenë po i kthehen shhfaqjeve të tyre. Ato po nxitojnë të fitojnë kohën e humbur gjatë një viti e gjysëm mbyllje, ku aktorët dhe publiku zbrazën sallat dhe jeta artistike ndaloi.

Sot jemi në një tjetër situatë. Teatrot po përgatisin axhendat e tyre të shfaqjeve, ndërkohë që interesi për shfaqjet rritet. Në disa qytete kryesore të vendit, si në Tiranë, Durrës, Lezhë e Shkodër, shfaqjet kanë rinisur.

Pikaso dhe Ajshtajni ne Paris

Pikaso dhe Ajshtajni ne Paris

Tiranë

“Pikaso dhe Ajnshtajni në një bar në Paris” është premiera ekskluzive e teatrit Metropol, e cila do të çelë sezonin artistik teatror pas një periudhe të gjatë mbylljeje nga Covid-19.

Vepra e jashtëzakonshme e shkruar nga Steve Martin, do të ngjitet në skenë nga datat 17-26 qershor, nga regjisorja Armela Demaj, e cila ka bërë bashkë një kast aktorësh e muzikantësh për këtë teatër muzikor.

Vërtet udhëtimet kanë munguar për një kohë të gjatë për shkak të pandemisë, po ju mund ta gjeni Parisin dhe magjinë e tij krijuese në shfaqjen në fjalë.

Ky produksion i ri, do të sjellë historinë komike të takimit mes Pikasos dhe Ajnshtajnit në fillimin e shek. XX.

Tirane - Pikaso dhe Ajshtajni ne Paris

Tirane - Pikaso dhe Ajshtajni ne Paris

Shfaqja në qendër ka dy personazhet, të cilët takohen në Montmartre, në Paris.

Ngjarjet janë vendosur në një mbrëmje tetori në vitin 1904, kohë kur të dy gjenitë janë në prag të zbulimit të ideve të tyre mahnitëse (Ajnshtajni, përpara se të botojë teorinë e tij të relativitetit në 1905 dhe Pikaso, para se të pikturojë veprën “Zonjat e Avinjonit” në vitin 1907).

Ata kanë një debat të gjatë në lidhje me vlerën e gjeniut dhe talentit, ndërsa bashkëveprojnë me një mori personazhesh të tjerë, mes tyre dhe Elvis Preslin para se të bëhej një rroker i njohur.

Zbërthimi i karaktereve të veprës në ndërthurje me njëri-tjetrin, sjellin situata komike, duke vënë në dukje optika të ndryshme të mënyrës se si shihet bota dhe marrëdhëniet njerëzore brenda saj. Projekti krijon një copëz jete 100 minuta nga një periudhë e largët, siç është viti 1904, ku arritjet e shkencëtarëve dhe artistëve ishin ngjarjet më frymëzuese të kohës.

Muzika do të jetë pjesë integrale e kësaj shfaqjeje, e cila do të jetë e gjitha “live”, ku do të ndërthuret muzika instrumentale dhe vokale, duke ruajtur atmosferën e periudhës dhe vendin, në të cilën zhvillohet shfaqja.

Ndërsa qasja skenografike është në sintoni me periudhën historike të viteve 1900, gjithashtu edhe kostumet do të qëndrojnë në stilin e kësaj epoke.

Në të interpretojnë aktorët Roerd Toçe, Klodjana Keco, Amri Hasanlliu, Sara Koçi, Erdet Miraka, Silva Brahimataj, Ermir Hoxhaj, Silvio Goskova, Aleksandër Kondi, Blendi Arifi dhe Kristjana Dodaj.

Poster boing-boing

Poster boing-boing

Lezhë

Ndërkohë komedia “Boing – Boing” e regjisorit Kiço Londo, me autor Mark Kamoleti, pas suksesit të sezonit të parë dhe pas ndërprejes për shkak të pandemisë, është rikthyer në skenë për publikun e Lezhës.

Nuk është dashur shumë reklamë për të mbushur sallën plot. Publiku i etur për shfaqje, fillimi i sezonit turistik, por edhe prezenca e dy protagonsitëve nga Lezha, Gentjan Zenelaj dhe Rudina Dembacaj, ishin një surprizë e bukur për aktorët që ditën të dhurojnë humor inteligjent.

Lezhe- Boing Boing

Lezhe- Boing Boing

Kjo shfaqje nuk është se ka ndonjë mesazh të madh, është për të për të çliruar stresin dhe për t’i dhënë kurajo vetes.

Një komendi pas pandemisë ishte si ajo qershia mbi tortë. Një gjë e tillë, i kishte munguar jo vetëm Lezhës, por çdo qytet ka nevojë për një atmosferë të tillë argëtuese dhe cliruese, përtej vlerave estetike.

Komedia "Boing-boing" mbajti të mbërthyer publikun për 90 minuta, ndërsa garantohet se aktivitet të tilla tashmë do të jenë të vazhdueshme. Ndërkohë Boing Boing do të vijojë fluturimin e tj në Korçë dhe qytete të tjera të vendit, për të përcjellë të njëjtën atmosfesë humori.

Shkoder - Koliqiana

Shkoder - Koliqiana

Shkodër

“Koliqiana” është një iniciativë e teatrit Migjeni të Shkodrës, që ofron shfaqje për publikun shkodran, në lagjet e rrugët karakteristike të qytetit.

Regjisorja e shfaqjes, Merita Smaja, thotë se përmes kësaj iniciative të teatrit “Migjeni”, në rrugët e oborret e Shkodrës shtrohet gjuha e shkruar e Ernest Koliqit.

Iniciativa është mirëpritur jo vetëm nga trupa e aktorëve, por sidomos qytetarët e Shkodrës, sepse tregimet e Koliqit fokusojnë jetën e Shkodrës, karakteret tipike shkodrane dhe ngjarjet zhvillohen në shtëpitë, rrugët e oborret e Shkodrës.

Koliqiana - Shkoder

Koliqiana - Shkoder

Prandaj ideja mbetet vërtet interesante dhe origjinale, pasi performanca e aktorëve bëhet në ambientet për të cilat Koliqi ka skalitur penën e tij.

Për regjisoren Merita Smaja, kjo kohë e vështirë i bëri artistët të mendojnë më shumë dhe të gjejnë zgjidhje të bukura.

Këto shfaqje në natyrë bëjnë të kuptojmë se njerëzit e duan teatrin dhe kanë dëshirë të shohin sa më shumë shfaqje, por nga ana tjetër teatri nuk bëhet vetëm në salla të mbyllura.

Durres - nga shfaqja Martesa

Durres - nga shfaqja Martesa

Durrës

Komedia "Martesa" rikthen të qeshurat në Durrës, pasi njerëzit duhet të harrojnë cfarë ka ndodhur gjatë vitit që lamë pas. Shfaqja u dha në skenën e Amfiteatrit të Durrësit.

Kjo komedi është përmbledhja e katër pjesëve me një akt të dramaturgut rus, Anton Çehov; "Martesa", "Tragjik pa dashje", "Ariu", "Propozimi", të përshtatura nga regjisorja durrsake, Driada Dervishi.

Në fakt vënia në skenë e veprës së dramaturgut rus, pas një shkëputjeje disa mujore për shkak të pandemisë, ishte menduar për vitin që lamë pas, në 160 vjetorin e lindjes së Anton Çehov. Por situata pandemike pezulloi gjithçka, ndëra tani është koha për të rinisur teatrin.

Martesa

Martesa

Sipas Dervishit, qyteti bregdetar disponon hapësira të shumta për të zhvilluar teatër në ambient të hapur, ndaj është organizuar një kalendar i mirëfilltë që ky sezon të mos jetë vetëm turistik por edhe kulturor e artistik. Pavarësisht vështirësive që sjell teatri në ambiente të hapura, dëshira e madhe për t'u rikthyer në skenë, i minimizon ato vështirësi, duke patur parasysh qëllimin e rëndësishëm.

Në fakt kjo komedi është një rivënie në skenë, pasi “Martesa” erdhi premierë për publikun në vitin 2015 nga e njëjta regisore. Në dy net, gjithçka ndodh në një martesë të kurdisur, nusen që do të argëtohet, dhëndrrin koprac, vejudhën që do të mbajë zi për burrin, burrin që është mërzitur nga martesa, komshiun etj.

Në role në interpretojnë aktorët e trupës së teatrit “Aleksandër Moisiu”, Amos Muji Zaharia, Adelina Muça, Gentian Zenelaj, Xhejni Fama, Mimoza Marjanaku, Suela Bako, Andia Xhunga, Gjergj Doçi, Alesia Xhemalaj dhe Jaho Guma.

Neritana Kraja