Boboshtica

Boboshtica

Boboshtica, fshati që ndodhet rreth 7 km larg qytetit të Korçës, mendohet të ketë qenë i banuar që në Mesjetë. Fusha e bukur e Boboshticës në kohën e romakëve shërbente si vend fushimi për ushtritë e tyre. Mbas dyndjeve sllave u krijua edhe fshati. Në arkiva gjenden edhe dokumentat e 135 familjeve boboshtare që kanë blerë me 2600 lira pronat e tyre (imlaqin) nga Sulltani, sikurse edhe fqinjët e tyre të Drenovës.

Boboshtica në shekullin XVIII – XIX, kishte fituar një farë pavarësie e vetëqeverisje. Nga një çiflig nën zotërimin e Ali Pashë Tepelenës (1817) e më pas të Sulltanit, shpëtoi nga kjo zgjedhë, duke paguar 6.555 lira turke. Në atë kohë, fshati u përtëri duke filluar rregullimet nga urbanistika. U shtruan rrugët e fshatit me kalldrëme, u ndërtuan urat, kanalet, çezmat e ujit dhe dy shatërvanë. Tokat e livadhet si dhe kullotat ngelën të përbashkëta. Një kujdes i veçantë tregohej për dy shkollat, për atë të vajzave dhe të djemëve.

Lakrori gatimi tradicional

Lakrori gatimi tradicional

Boboshtica është mes një numri të madh fshatrash që mbajnë emra sllavë në kufijtë jugorë të Korçës, banorër e të cilëve kanë ruajtur një të folur në bullgarisht. E folmja “jeziko kaj nas” siç vetë boboshtarët e konsiderojnë gjuhën e tyre, flitet ende në këtë fshat. Ritet e regjistruara në fshat dëshmojnë për një komunikim të pasur kulturor midis bullgarëve dhe shqiptarëve .

Dy popuj që bashkëjetojnë që prej periudhës së Mesjetës. Në atë kohë kontaktet mes tyre ishin tepër aktive sidomos në trojet jugore shqiptare, të cilat për një kohë të gjatë ishin pjesë e shtetit bullgar. Të dhënat e pakta historike, në të cilat mbështeten shkencëtarët, nuk tregojnë për luftëra mes shqiptarëvë dhe bullgarëve, madje nuk janë gjetur as dëshmi të cilat e konfirmojnë tezën e asimilimit. Në vend të kësaj ekzistojnë elementë të përbashkët, që qarkullojnë në të dyja kulturat.

Pamje nga një mjedis restoranti në Boboshticë

Pamje nga një mjedis restoranti në Boboshticë

Prejardhja e emrit Boboshticë vjen nga shprehja “ O Bobo shticë”, që do të thotë “ O bo bo sharra!”. Sipas gojëdhënave, në fillimet e vendosjes në mal, boboshtarët vendosën një sharrë të madhe për të prerë dru e për t’i bërë dërrasa për ndërtimin e kasolleve. Një shi i rrëmbyer që ra ja mori sharrën dhe nuk u pa nga e çoi rrëkeja. Qysh atëherë i mbeti emri “ “O bo bo, sharra!” i përkthyer në ‘Boboshticë”.

Para viteve ’90, fshati i Boboshticës numëronte rreth 1400-1500 banorë, ndërsa sot si pasojë e emigracionit të shumtë prej familjeve, jetojnë rreth 300 banorë. Ndërkohë emigrimi i banorëve të këtij fshati ka filluar qysh në kohën e Mbretit Zog. Ata kanë emigruar kryesisht në Rumani dhe një pjesë të të ardhurave i investonin në fshatin e tyre.

Ndërkohë origjina e banorëve të hershëm është historikisht e vërtetuar dhe ata janë shqiptarë ose bullgarë të largët të kohës së Carëve sllavë, që më pasë janë shqiptarizuar plotësisht. Dihet që shkollat ishin greke, gjuha që shkruhej ishte greqisht, shumë mbishkrime në fshat janë në këtë gjuhë, por gjuha e folur ishte shqip dhe bullgarisht. Sot të gjithë banorët janë shqiptarë me origjinë arumune ose jo, dhe të tjerë vendas.

Monument kulti në Boboshticë

Monument kulti në Boboshticë

Kultur dhe traditë

Fshati dikur krenohej me traditat e spikatura arsimdashëse. Në Boboshticë në janarin e vitit 1889, lindi Viktor Eftimiu, shkrimtar arumun dhe dramaturg i përmasave të mëdha, si poet me 60.000 vargje e prozator. Për shtatë dekada ai u mor me krijimtari letrare dhe me të drejtë është quajtur “Titani” i letërsisë rumune. Në nderim të një prej bijve të vet më të shquar, akademikut, poetit dhe shkrimtarit Viktor Eftimiu, u ngrit në një nga ambientet e shkollës edhe një muze kujtese për jetën dhe veprën e tij.

Emra dhe personazhe të njohur artistë, shkrimtarë, shkenctarë dhe intelektualë të spikatur të fushave të ndryshme, kanë nxitur kureshtjen e shumë vizitorëve dhe studiuesve të huaj nga Evropa e largët, si francezi, Andrea Mazoni, që e vizitoi atë në gushtin e vitit 1936, madje duke shkruar edhe dy libra, “Documents Contest et Chanson Slaves De L’Albania Du Sud”, (Dokumente dhe Këngë sllave të Shqipërisë së Jugut) vetëm për Boboshticën dhe njerëzit e saj të mençur.

Kishat e Boboshticës janë një trashëgimi më vete, që tërheqin më së shumti qytetarët korçarë. Nga kishat e shumta që ndodhen aty, njëra prej të cilave ajo e Shën Jovanit, daton në shekullin XI-të. Aty ndodhen dhe dy manastire, ai i Shën Mërisë në krye të fshatit dhe ai i Shën Kollit në pjesën juglindore, rrëzë Moravës që është i ndërtuar në kohën e Skënderbeut (1450). Në këtë manastir është gjetur dhe një nga ikonat më të vjetra në rrethin e Korçës.

Raki mani prodhuar në Boboshticë

Raki mani prodhuar në Boboshticë

Ritet pagane të ruajtura deri vonë në fshatin e Boboshticës, si Rosica, Dordolecët dhe 1 Marsi, hasen si në traditën kulturore bullgare, ashtu edhe në atë shqiptare. Këto dëshmojnë për një komunikim të pasur kulturor midis bullgarëve dhe shqiptarëve. Dy popujt bashkëjetojnë në Ballkan qysh prej periudhës së Mesjetës. Në atë kohë kontaktet mes tyre ishin tepër aktive, sidomos në trojet jugore shqiptare.

Në shtëpitë boboshtare, fshatit të njohur për manat shekullorë, rakia e prodhuar prej tyre nuk mungon asnjeherë. Qerasja me raki mani është një prej traditave që tregon mikpritjen në fshatin e mbushur me pemët aq të njohura, që identifikojnë Boboshticën.

Zona turistike

Zona turistike

Turizëm

Boboshtica është cilësuar si një destinacion i rëndësishëm turistik, me një natyrë të mrekullueshme me ajër dhe ujëra të pastra, e me një terren të pasur që të jep mundësinë e një sërë aktivitetesh rekreative dhe sportive si ecje sportive, vrap, çiklizëm etj. E njohur për objekte të shumta kulti, Boboshtica është një pikë referimi për turizmin e kultit dhe atë familjar. Turistët mund të vizitojnë monumentet kulturore si muzeun, kishat 1000- vjeçare, Manastirin e Shën Marisë, etj.

Natyra në Boboshticë

Natyra në Boboshticë

Natyra e mrekullueshme, festimet dhe prodhimi tradicional i rakisë së manit mundësojnë një ofertë të pasur me interes agro- turistik. Kuzhina tradicionale e ofruar në një rrjet restorantesh të konsoliduara prej vitesh, i jep nxitje turizmit familjar. Si një fshat me potenciale, për të rritur edhe më tej turizmin, së fundmi vendasit kanë investuar edhe në hoteleri. Kuzhina tradicionale e nivelit të lartë me produktet bio të fshatit është ajo që turistët gjejnë gjithmonë në Boboshticë. Duke pasur në harmoni gjithçka, bukurinë natyrore, orgjinalitetin, mikpritjen dhe kulinarinë tradicionale, Boboshtica pret dhe përcjell vizitorët e shumtë.

Elida Lazi