Performance artistike mbi Lokomotiven

Performance artistike mbi Lokomotiven

Ngritja e një vepre arti në një shesh publik është një mjet estetik, edukues dhe formues i individit, nxit mendimin intelektual, mendimin kritik dhe imagjinatën dhe jo thjesht dekorues. Në Tiranë herë pas here në sheshe po projektohen instalacione mjaft impresionuese, që janë kthyer edhe në atraksione kulturore dhe turistike.

Reja ne Tirane

Reja ne Tirane

Reja

Prej 4 vitesh, "Reja" është shndërruar jo vetëm në një prej instalacioneve më të fotografuara nga turistët e huaj, por edhe një hapësirë unike, ku qytetarët e Tiranës takohen, diskutojnë dhe shijojnë aktivitete të ndryshme artistike.

Instalacioni "Reja" e artistit japonez Sou Fujimoto është një vepër arti monumentale dhe një hapësirë moderne për jetën kulturore në Tiranë. Që prej vitit 2017 "Reja" ka shërbyer si një hapësirë për eventet kulturore dhe artistike në kryeqytet.

Duke zënë një sipërfaqe prej 540 metra katrorë e me lartësi prej 7 metrash, “Reja” nuk duket se pengon aspak peizazhin përreth saj. Në të kundërt, ajo e ka kthyer sheshin në një hapësire – në plot kuptimin e fjalës – interaktive dhe sociale.

Që kur është instaluar “Reja” është shndërruar në një nga atraksionet më tërheqëse, duke funksionuar edhe si një hapësirë e pavarur artistike, me një kalendar të pasur aktivitetesh kulturore e sociale. Sidomos gjatë mbrëmjeve të verës, ajo bëhet skena më e preferuar për teatrin, kinemanë dhe muzikën.

Çdo njeri që kalon përmes bulevardit kryesor të kryeqytetit, tërhiqet nga tingujt e muzikës, filmit, apo njerëzve që gumëzhijnë brenda “Resë”. Me shumë të drejtë, pasi kjo hapësirë ofron ndoshta mundësinë më të përafërt e një jete të përkohshme mes reve!

Pavioni është një strukturë delikate tri-dimensionale. Secila njësi përbëhet nga shufra të holla çeliku, në drejtkëndësha me përmasa 800 mm dhe 400 mm. Struktura formon një thurje të çrregullt e gjysmë të tejdukshme, e cila, në të njëjtën kohë, i mbron vizitorët nga elementët, por edhe i lejon ata të mbeten pjesë e peisazhit. Pavijoni ka dy hyrje. Një seri tarracash të shkallëzuara krijojnë mundësinë për t’u ulur brenda "Resë", çka e lejon pavionin që të përdoret si hapësirë shoqërore fleksibël e shumë-funksionale.

"Reja" ndodhet përballë Galerisë së Arteve, në bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë.

Zani instalacion

Zani instalacion

Zâni

"Zâni", është vepra më e fundit e artit publik që është vendosur në qendër të Tiranës, dhe që ka si autor skulptorin e njohur Sadik Spahija. Eshtë një instalacion elegant dhe modern njëkohësisht, në një nga hapësirat urbane të kryeqytetit, duke u kthyer edhe në një atraksion të bukur turistik.

Vepra në vetvete ka një qasje që i takon komunikimit shpirtëror, një qasje që krijon një metaforë të natyrës apo të muzikës. Në embrionin e vet ajo ishte konceptuar si një organo muzikore, pasi historia jonë kulturore ka rëndësi që të jetë në sheshe.

Rrugës ajo u transformua në një strukturë që nënkupton edhe një grup pemësh, që njerëzit të mos e konsiderojnë si një pengesë.

Kjo vepër synon afrimin e publikut me artin bashkëkohor, përmes instalimit të veprave të artit në hapësira publike, pa nevojën e hyrjes në galeri apo muze.

Vepra "Zâni" e Sadik Spahisë është fizikisht imponuese: e përmasave shumë të mëdha, arrin 16 m lartësi e gjerësi. Të konsideruara në versionin figurativ si degë pemësh, këto tuba ndërthuren për t’i bërë hije kalimtarit, e njëkohësisht duke e lënë atë të shijojë edhe depërtimin e dritës së diellit. Ky instalacion, kaq elegant, na afrohet si një përjetim urban i formave të së ardhmes, të njeriut që pavarësisht ku shkon me krijimet e tij, mbetet pashmangshmërisht i lidhur me zërin e vëllimet që ai gjen të gatshme tek poetika e natyrës: gjithmonë perfekte.

"Zâni" nënkupton fëshfëritjen e pemëve, nënkupton bisedat njerëzore që zhvillohen rrotull, nënkupton edhe tingujt që mund të bëjnë ata. Eshtë zâni i natyrës, zâni njerëzor. Njerëzit janë të ftuar të bashkëveprojnë dhe të dialogojnë me këtë vepër. Njerëzit mund të ulen tek ai shesh, ta konsumojnë atë hapësirë, pse jo, të zhvillojnë edhe debate kulturore dhe artistike.

Mund ta përdorin si vendtakim, apo si pikë atraktive për fotografi si kujtim të vizitës në kryeqytetin shqiptar. Kjo është një vepër që kërkon të përcjellë paqe dhe harmoni mes natyrës e urbanes, apo si ndërlidhëse e tyre.

Vepra "Zâni" e Sadik Spahisë lëshon tinguj të fshehtë në prekjen e rrezeve të para të ditës, prodhon muzikë dhe dritëhije lodërtare për syrin e publikut. Zani ndodhet në Bulevaridin Zogu i Parë.

Lokomotiva

Lokomotiva

Lokomotiva

Nëse më lart folëm për dy vepra arti, të projektuara si instalacione, tani do të flasim për një objekt utilitar, të shndërruar në instalacion dhe atraksion historik dhe turistik njëkohësisht.

Si një simbol i rrugëtimit dhe zhvillimit të Tiranës nëpër vite, pranë Bulevardit të Ri, gjendet instalacion i një lokomotive me avull, për të risjellë në kujtesë të kaluarën.

Lokomotiva me avull e vendosur tek Bulevardi i Ri, e quajtur "Avullorja 02", u prodhua në 1951-shin në Poloni dhe ndaloi së funksionuari në Shqipëri rreth vitit 1986. Në fillim shërbeu për transportin e udhëtarëve e më pas për trenat e mallrave. Tani shërben për të rikthyer të kaluarën, duke vendosur kontakte me të tashmen, me Tiranën dhe Shqipërinë në zhvillim.

Restauratori Frederik Stamati ishte iniciator i vendosjes së këtij instalacioni në Tiranë, pikërisht aty kur dikur ka qenë Stacioni i Trenit. Vendosja e lokomotivës, është kthyer shpejt në një atraksion turistik për të gjithë nostalgjikët, por edhe brezin e ri, pasi po rriten në një Shqipëri pa trena.

Shqipëria ka humbur shumë nga sistemi i transportit hekurudhor, duke mos ruajtur asnjë nga kjo kategori, e cila ka qenë shumë e zhvilluar ndër vite.

Kemi pasur lokomotiva shekullore, kemi pasur vagona të vitit 1880, vagona pasagjerësh të tipave nga më të ndryshmet, por që nuk janë ruajtur. Po kështu nuk janë ruajtur as uniformat e personelit, mjetet e sinjalistikës, flamujt e fatorinove, biletat, bilbilat, etj. E vetmja gjë që na lidh me historinë e hekurudhave, është kjo lokomotivë, e kthyer në atraksion turistik, që nuk i shpëton syrit të kureshtarëve.

Neritana Kraja