Një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar, Pirro Mani, është ndarë nga jeta. Aktori ka ndërruar jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetonte prej disa kohësh së bashku me familjen e tij. Jeta prej vitesh në kontinentin tjetër, modestia me të cilën jetoi me familjen e tij në Amerikën e largët, e bëri edhe më të trishtë ikjen e artistit, i cili prej gati dy dekatash, nuk ishte më prezent në jetën artistike shqiptare, por flinte brenda nesh, me rolet dhe veprat që i dhuroi skenës shqiptare të teatrit.

Për publikun e zakonshëm, ndonëse aktivitetin kryesor e kishte në teatër, ai do të mbahet mend me personazhin më të njohur që skaliti përjetësisht në memorien e shqiptarëve në kinema, me rolin e Sali Protopapës, në filmin “I teti në bronx”.

Ndërsa për rrethin e artistëve shqiptarë të skenës, për aktorët dhe regjisorët, do të kujtohet si artisti i madh që i dha shpirtin e tij teatrit.

Edhe pse në moshën 89 vjeçare, ndarja nga jeta e Piro Manit, i ngjan një peshë të rëndë mbi supet e brezave të aktorëve që punuan apo mësuan prej tij.

Regjisori Edmond Budina në bisedat e zhvilluara në media, e ka cilësua Piro Manin, si shtyllë e teatrit shqiptar dhe si një humbje të thellë për kulturën shqiptare.

“Padiskutim është një trishtim i madh sepse kemi të bëjmë me një personalitet të vërtetë të kulturës shqiptare. Në këto kohëra kur emrat ose epitetet vihen lehtësisht, se është i madh, ose është i shkëlqyer, është i jashtëzakonshëm, Piro Mani ishte ai njeri që i meritonte të gjitha këto superlativa, sepse me të vërtetë ka qenë një nga shtyllat e teatrit shqiptar, e kulturës shqiptare, për atë që ai ka bërë në teatër dhe them që është një humbje e pazëvendësueshme. Arti shqiptar ka humbur një copë të rëndësishme të tij dhe do të mbetet përherë një nga shtyllat e artit skenik shqiptar. Ajo çfarë është më e rëndësishme është se ai ka bërë shfaqje që nuk harrohen lehtë, “Arturo Ui”, “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, që për mendimin tim është një ndër majat më të larta të regjisurës shqiptare”, është shprehur ai.

Piro Mani kishte lindur i talentuar. Askush nuk dinte t'i vizatonte më mirë skenat masive. Askush nuk arrinte të krijonte atmosferën që dinte të krijonte ai. Dhe askush nuk i sugjestiononte aktorët më fort se ai. Për këto arsye, ndihen me fat të gjithë ato regjisorë apo aktorë që kanë mundur ta shohin sado pak duke punuar në skenë.

Deri në fund, ai mbeti mirënjohës ndaj kolegëve, sidomos ndaj atyre të Teatrit "A. Z. Çajupi" dhe Teatrit Kombëtar me të cilët ndau karrierën e tij artistike.

Edmond Budina në kujtimet e tij vë në dukje mjeshtërinë e padiskutueshme të Piro Manit në lëmin e regjisurës.

“Piro Manin e kam njohur në moshë fare të njomë, kur isha në qytetin e Korçës dhe e kam parë tek “Pamje nga ura”, tek “Këneta”… Gjithsesi ishte ai njeri që më nxiti ëndrrën për t’u bërë aktor. Nëqoftë se kam mësuar diçka sa i përket regjisurës, atë e kam mësuar nga Piro Mani. Këtë e them me bindje absolute dhe kudo që kam shkuar, ato që kam mësuar prej Piros, i kam vënë në jetë. Ai ishte një mjeshtër i jashtëzakonshëm, sa i takon mënyrës se si punonte me aktorin, se si punonte me mizanskenën dhe pa dashjen tënde ai ishte një profesor i jashtëzakonshëm….”

Piro Mani lindi në Korçë në vitin 1932 për t’u shquar si një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar.

Studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i Teatrit “A. Z. Çajupi”, Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për rreth tetë vjet. Më pas, për 25 vite punoi si regjisor dhe pedagog i shkëlqyer në Teatrin kombëtar dhe Akademinë e Arteve.

Me bashkëshorten e tij, aktoren më të bukur të kohës, Pavlina Mani, me të cilën u dashuruan që kur ajo ishte studente dhe ai pedagogu i saj, i lidhi një jetë e bukur profesionale dhe familjare, përherë mes rolesh, kinemasë dhe teatrit.

Ky artist i madh i skenës dhe ekranit, i arritjeve, i sukseseve, i çmimeve, i titujve dhe ndereve, ishte i çiltër në punën e tij profesionale, ishte emocional, entuziast, shpërthyes, i lumtur dhe i gëzuar, një regjisor i madh që e donte teatrin me shpirt.

Breza të tërë aktorësh dhe regjisorësh i janë mirënjohës punës dhe përkushtimit të Piro Manit dhe ia dedikojnë suksesin e tyre, kontributit të mjeshtrit të madh. Regjisori Armando Bora, e kujton kështu pedagogun dhe regjisorin Piro Mani:

“Profesor Piro ka qenë ndër të rrallët që nuk e ndante shtëpinë me skenën. Besoj se jo vetëm unë por edhe shumë student të tjerë janë ftuar në shtëpinë e tij dhe kemi fjetur. Ne në shtëpinë e tij vazhdonim diskutimet, provat. Gjithë familjarët e tij bëheshin pjesë e shqetësimit të provimeve tona. Pavlina, gruaja e tij ka marrë pjesë në shfaqjet tona si aktore. Kjo ishte një çudi e madhe për ne. Një suport dhe një gjë e veçantë ishte se Piro nuk dinte të bënte dallime. Ne ishim 11 vetë në grup dhe ai nuk bënte ndarje midis “këtij të talentuarit” dhe “këtij të patalentuarit”. Dhe kjo ishte padyshim një lloj aftësie e tij për të frymëzuar të gjithë, për t’i bërë që të ndiheshin mirë. Padyshim profesor Piro ka qenë ndër ata që nuk e ndërpritshin kujdesin për ty në momentin që të nxirrnin në jetë. Profesori është larguar nga Shqipëria para shumë vitesh por ju siguroj se nuk ndodh produksion në Teatër, kur në një moment të caktuar, aktorët apo regjisorët të mos i referohen Piro Manit. Ai ka qenë prezent dhe unë them se ashtu ka për të vazhduar, me të njëtën mënyrë, me të njëjtin intensitet, brezat do të vazhdojnë t’i referohen këtij artisti të madh, por që mbi të gjitha ishte një njeri, një prind, një edukator, një artist me shpirt të madh që sa i ka dhënë artit i ka dhënë edhe njerzillëkut, i ka dhënë edhe qytetarisë së komunitetin e artistëve. Janë elementë që për hir të së vërtetës, edhe kanë filluar të zbehen në realitetin shqiptar dhe kemi nevojë t’i kthehemi herë pas here këtyre figurave të mëdha që kanë sakrifikuar jetën dhe familjen e tyre për artin shqiptar”.

Në karrierën e tij artistike numëron mbi 80 shfaqje. Është nderuar me shumë çmime. Është mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i mizanskenës. Shfaqjet kulminante janë “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të”, “Prometeu”, etj. Është angazhuar edhe në disa filma artistikë. Ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”.

Neritana Kraja