“Përshëndetje fëmijë!” është një album fotografik i botuar nga fotografi japonez Akiyama Ryoji. Në album përmblidhen rreth 100 fotografi fëmijësh në krahinat e ndryshme të Kinës të bëra në vitet ‘80 të shekullit të kaluar. Fotografitë e gjalla shfaqin imazhin e pastër të fëmijëve kinezë dhe pamjen e Kinës në ato vite, duke zgjuar kujtimet e bukura të shumë kinezëve për fëmijërinë e dikurshme.

Akiyama Ryoji ka lindur në vitin 1942 në Tokio. I ati ishte një fotograf i famshëm dhe që nga fëmijëria Akiyama Ryoji filloi të ketë kontakt me aparatin dhe me artin fotografik. Me rastin e 10-vjetorit të normalizimit të marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Japonisë, nga tetori i vitit 1981 deri në qershor të vitit 1982, Akiyama Ryoji vizitoi pesë herë Kinën për të fotografuar fëmijë kinezë në krahina të ndryshme. Çdo herë ai qëndroi dy-tre javë në Kinë e shkoi në Pekin, Shangai, Guangzhou, Urumqi, Hohhot, Hainan etj.

Atëkohë Akiyama Ryoji përdorte aparatin fotografik “Rolleiflex” dhe një rrotull filmi mund të bënte vetëm 12 fotografi, prandaj fotografi duhej ta ndryshonte shpesh filmin. “Çdo herë sillja në Kinë mbi 200 rrotulla filmi dhe i përdorja të gjitha,” kujton Akiyama Ryoji.

Ai regjistroi me aparat fëmijërinë e çmuar të fëmijëve kinezë. Në vitin 1983 u botua në Japoni albumi fotografik “Përshëndetje fëmijë!”. Albumi pasqyronte jetën e përditshme të fëmijëve kinezë të krahinave të ndryshme, duke përfshirë udhëtimin me makinë në periferi për shëtitje, bërjen e detyrave të shtëpisë ulur në karrige, luajtjen e “lojës luftash”, pirjen e pijeve freskuese në verë, pjesëmarrjen në shfaqje artistike etj.

Turneu në Kinë i ka lënë i Akiyama Ryoji-së përshtypje të paharrueshme. Fotografi kujton: “Në shumë krahina fëmijët ishin kuriozë për aparatin tim. Për të bërë fotografi sa më të gjalla, unë zakonisht luaja së pari me fëmijët. Buzëqeshjen e tyre të pastër nuk mund ta harroj as sot.”

Imazhi i gjallë i fëmijëve kinezë në fotografitë e Akiyama Ryoji-së dëshmon pamjen e Kinës në ato vite. Çdo fotografi rrëfen një hisori. Albumi zgjoi kujtimet e shumë kinezëve për fëmijërinë e humbur. Me kërkesën e publikut, në vitin 1999 albumi “Përshëndetje fëmijë!” u ribotua. Më 2020 Akiyama Ryoji përzgjoi rreth 100 fotografi të pabotuara dhe botoi versionin në gjuhën kineze të albumit të dytë “Përshëndetje fëmijë!”. Akiyama Ryoji bëri përsëri vizitë në Kinë dhe u takua posaçërisht me fëmijë të fotografuar prej tij që ishin rritur tashmë.

“Nuk e mendoja se fotografitë e mia do të kishin një ndikim kaq të madh. Për mua, këto fotografi janë grumbullimi i momenteve të çmuara,” shprehet Akiyama Ryoji. (Fani)