Këtë sezon përgjatë gjithë bregdetit turistik do të ketë festa të traditës dhe të tendencës, për t’u demostruar turistëve mikpritjen shqiptare, bukuritë e natyrës dhe shpirtin artistik. Në rubrikën tonë 3 në 1 do ju njohim me tre festa të cilat i paraprijnë hapjes së sezonit turistik në Shqipëri dhe e promovojnë atë.

Festa e Midhjes

Festa e Midhjes, është një festë që mbahet në fillim të verës dhe zakonisht promovon hapjen e sezonit të ri turistik në Sarandë.

Festimet bëhen në Sarandë, por spostohen edhe në Klasmil, vendi ku midhja prodhohet. Jo më kot, midhja është konisderuar simbol i festës. Ajo njihet si “mbretëresha” e Butrintit. Thelbi i kësaj feste është që midhja të promovohet në qindra receta gatimi, të shijohet dhe të konsumohet. Kjo festë lidhet edhe me hapjen e sezonit turistik për Sarandën, e cila vazhdon të mbetet “mbretëresha” e turizmit shqiptar. Nuk ka rast më të mirë për promovimin e turizmit vendas dhe hapjen e sezonit turistik, sesa një festë e tillë me këngë e valle tradicionale, shoqëruar me shijen e midhjes së freskët.

Të pranishëm në këtë festë janë jo vetëm qytetarët sarandiotë, por dhe qytetarë nga gjithë vendi, diaspora dhe turistë. Mbretëresha e Liqenit, mbledh në shesh të gjithë kuzhinierët më të mirë të Sarandës dhe jo vetëm, të shpalosin fantazinë e tyre në dhjetëra qindra gatime të shijeve nga më të larmishmet, për t’i bërë vizitorët të shijojnë më të mirën.

Në sezonin turistik midhjet janë specialiteti më i kërkuar nga turistët, pasi ato janë të pasura në shije dhe në vlera gjithashtu.

Butrinti ka potencial në prodhimin e mbi 10 000 ton midhje në vit. Prodhimi në lagunën e Butrintit është një traditë, ndërkohë që vendasit e cilësojnë lagunën si vendin ideal për prodhimin e midhjeve, jo vetëm në aspektin e temperaturës së ujit por edhe në nivelin e duhur të kripës. Laguna furnizohet me ujë të freskët nga lumenjtë që derdhen në të. Një strukturë e tillë lejon përzierjen e ujit të ëmbël dhe atij me kripë duke krijuar kështu kushtet ideale për kultivimin e midhjeve.

Tashmë festa e Midhjes përfaqëson një festë tipike të Sarandës.

Ata që zgjedhin të jenë prezent në këtë festë, mund të bëhen pjesë e këngëve dhe valleve tradicionale të jugut, që këndohen dhe kërcehen gjatë gjithë ditës. Po ashtu ato mund të shijojnë midhje të freskëta, në tezgat e ushqimeve, të cilat ofrojnë receta nga më të ndryshmet të përdorimit të midhjes. Për më tepër, sarandiotët mund t’ju mësojnë t’i hani edhe të gjalla, me pak kripë e limon. Një shije befasuese dhe e guximshme!

Festa kulmon në orët e mbrëmjes ku muzika ngre tonet, argëtimi ngre peshë entuziazmin, ndërsa aroma e midhjeve të gatuara, hap oreksin dhe dëshirën për pushime në këtë kënd të mrekullueshëm të Shqipërisë.

Festa e Liqenit të Shkodrës

3 qershori shënohet si festa e Liqenit të Shkodrës, liqenit më të madh në Ballkan. Buzë liqenit të Shkodrës, shtrihen disa fshatra liqenor, por më i rëndësishmi prej tyre, më i arritshmi në distancë dhe kohë dhe më i frekuentuari ndër vite, është fshati turistik i Shirokës, i cili celebron prej vitesh festën e liqenit. Ndonëse Shkodra ka një plazh të madh bregdetar, Velipojën, festa e Liqenit, mbetet më e pëlqyera për të hapur sezonin e ri turistik. Në fillim të çdo sezoni këtu festohet Dita e Liqenit, një festë e dashur për vendasit, ku grupe folklorike performojnë këngë dhe kërcime të zonës, bëhen gara me biçikleta, gara me kanoe nëpër liqen, prezantohen produkte ushqimore të zonës, peshk i freskët i sapo zënë nga peshkatarët, apo prezantohen punime artizanale të grave.

Me festën e liqenit, vendasit ftojnë turistët për të vizituar liqenin e tyre si dhe promovojnë vlerat e tij, që shkodranët ia njohin mjaft mirë.

Shiroka në çdo kohë ka tërhequr vizitorë, kryesisht ditorë; në mënyrë të veçantë qytetarët shkodranë që me biçikleta ose me motobarkën, që funksiononte fundjavave deri në vitin 1979, shkonin për të bërë plazh gjatë verës dhe për të shijuar peizazhin që krijohej nga liqeni, në një krah dhe mali i Taraboshit, në krahun tjetër.

Kjo traditë e dashurisë ndaj liqenit është trashëguar brez pas brezi. Sot bregu i liqenit të Shkodrës është shndërruar në sajë të projektit të riaktivizimit në një zonë edhe më shumë të frekuentuar nga mijëra qytetarë, që e përdorin për vrapim, shëtitje me biçikleta, por edhe për të shijuar një drekë tradicionale.

Tashmë Shiroka ka një shëtitore përgjatë gjithë bregut, me parmakë e ndriçim si dhe një shesh kryesor të rikonstruktuar, me pllaka me motivet popullore të qilimave që gratë e kësaj zone punojnë me plot pasion.

Në Festën e Liqenit, ju mund të bëni një shtëtije me biçikletë nga Ura e Bunës deri në Shirokë, mund të tregoheni edhe më të guximshëm, nëse vazhdoni deri në fshatin kufitar me Malin e Zi, në fshatin Zogaj, ku do të ndaleni e të sodisni një pamje të mrekullueshme, mund të bashkoheni me vallen e burrave të cilët kërcejnë e këndojnë vallen e peshkatarëve, mund të bëni një guidë me kanoe, mund të shijoni gjucën apo krapin në një nga lokalet buzë liqenit dhe mund të bëni dhjetra shkrepje fotosh perfekte për Instagram. Një drekë me gjucë, raki, sallatë të freskët, patate të skuqura, djathë dhie dhe bukë misri, kushton për dy persona kushton 15 mijë lekë të vjetra. Por jo çdo lokal, ofron çmim kaq ekonomik. Për një ofertë të tillë, zgjidhni lokalet e vogla, buzë ujit, ku dielli, liqeni dhe gjelbërimi, janë sfondi më i mirë i një dite festive.

Kala Festival

Dhe në fund do të flasim për një tjetër festë të Rivierës, mjaft tunduese për të rinjtë, që mirëpret turistë të gjeneratës së re nga e gjithë bota. Një festë trendy, që para disa vitesh, nisi si risi, me muzikë e DJ më të mirë të botës, me plazh, diell, skena dhe plot elektricitet.

Bëhet fjalë për “Kala Festival” si një konfirmim i një tradite, që zakonisht zhvillohet në muajin qershor, e që sjell me mijëra të rinj nga e gjitha bota në plazhet e Dhërmiut, duke u dhënë atyre mundësinë të argëtohen përmes muzikës por edhe të shijojnë dhe reklamojnë plazhet tona të mrekullueshme.

E veçanta e kësaj feste janë skenat që ndërtohen në të gjitha anët detit, e muzika që luhet në to përgjatë gjithë ditës e natës, muzikë që shkon nga eletronike, house apo techno, tek dance, soul, apo psikedelike. Në këtë festë vijnë të rinj me kombësi nga e gjithë bota, por dominojnë britanikët.

“Kala” është një festival që bën diferencën. Përgatijet për festivalin janë serioze dhe biletat për tu bërë pjesmarrës shiten që një vit, përpara në faqen zyrtare të eventit. “Kala Festival” ofron shumë më tepër se sa thjesht muzikë të mirë, apo skena sugjestive anës detit. Aktivitetet gjatë ditës përfshijnë joga, seanca meditimi, masazhe anës detit, apo edhe ture në plazhet e gjiret përrallore të jugut. Në Gjipe, luhet gjithashtu muzikë, me varkat që nisen përherë plot.

“Kala Festival” është një aktivitet që i kalon përmsat e aktiviteteve lokale, pasi ka marrë famë ndërkombëtare, për të cilin kanë shkruar edhe mediat e rëndësishme në botë.

Neritana Kraja