Pas një periudhe të gjatë të mbylljes nga pandemia, kanë nisur edhe përpjekjet e para për gjallërimin e jetës artistike. Pjesë e këtyre përpjekjeve është edhe hapja në Galerinë e Arteve Figurative në Shkodër e ekspozitës së Ardian Isufit “Pasqyrat duhet të mendojnë më gjatë para se të reflektojnë”. E kuruar me kujdes nga Vladimir Myrtezaj, ekspozita është një mundësi për reflektim dhe meditim.

Vetë autori thotë se pandemia i ka futur artistët në disa reflektime të reja humane dhe të ndërsjellta të natyrës njerëzore, pasi artistët e izoluar u fokusuan në territoret e tyre individuale, duke krijuar një territor të ri. Padyshim, që vepra e artistit nuk i jep mesazhet në mënyrë direkt, por i sjell në forma të alternuara. Për një publik shumë të interesuar por edhe për kritikën dhe median, gjatë ditë të ekspozimit, piktori Ardian Isufi ka treguar për marrëdhënien e tij me pandeminë, artin dhe njerëzit.

“Pandemia ka një reflektim shumë të madh edhe tek mua si artist dhe në përgjithësi, po të shikosh në sistemin e artit, ka një kapitull të ri të mënyrës dhe të marrëdhënies që ka vepra e artit me publikun, por gjithsesi unë kam një pavion të tërë në Galerinë e Artit këtu në Shkodër, ku e jap këtë element nëpërmjet mitit dhe rënies së mitit”, thotë Isufi.

Instalacioniet e Isufit vijnë përmes një narrative filozofike, ku miti vjen si një figurë e fortë që është rrëzuar, ku pas çdo miti të rrëzuar, ngrihet pyetja se ku do të shkojmë. Punimet e ekspozuara janë vepra të krijuara në vite. Me përzgjedhjen e veprave Isufi ka synuar një qëmtim artistik i cili kërkon një përballje reale.

“Në këtë kontekst unë e kam menduar gjatë raportin që duhet të kenë veprat me historinë, me qytetin, por jo vetëm, edhe atë që ne kemi ndërmjet asaj që është në periferi dhe asaj që është mbarë botërore. Pra, të bëhemi një lloj ure diskutimi konceptual, por mbi të gjitha të diskutimit të fenomenit që ka shoqëria, siç janë fenomenet politike, apo shumë çështje të tjera. Ky është momenti i parë. Momenti i dytë është hapësira. Edhë në bashkëbisedimet tona ne kemi thënë që vepra e artit dhe hapësira sot kanë një kontekst, kështu që edhe në këtë rast, kam menduar një kontekst ku hapësira të jetë pothuajse si një vepër, kjo ndodh edhe brenda pikturës, fotografisë, instalacionit, etj. Ka shumë vepra që vijnë si dëshmi e arkitekturës dhe e urbanistikës. Përshembull, një vepër e rëndësishme që unë e kam ekspozuar edhe në Neë York ka qenë “Xhamia, ose Minarja e Fabrikës së Qelqit”, që është kthyer sot në minare. Pra, luhet me këto kontekstet e Shqipërisë, si ka qenë, si është dhe ku do të shkojë. Gjithashtu kemi një “Bunker - Kishë” në Lin të Pogradecit”, përmbledh ai.

Tematika që sjell në veprat e tij Ardian isufi dëshmon për një artist qytetar të angazhuar. Ai me veprën e tij pozicionohet mes publikut dhe insitucioneve, publikut dhe artit dhe në mes të vetë njerëzve që jetojnë realitetin duke na ndihmuar ne, në të përditshmen tonë, të kuptojmë realitetin. Përmes veprës së tij ai përcjell mesazhe që lidhen me rrjedhojat shkak pasojë, të periudhës së pas viteve 90 si dhe me mesazhe mbi uzurpimin urban dhe rifunksionalizimin e çuditshëm të objekteve.

Njeriu gjen pikëpyetjet dhe reflektimet e tij përsa i përket elementeve të religjionit, historisë, politikës së të shkuarës dhe së tashmes si dhe të marrëdhënieve të individit me komunitetin në periudhën para dhe pas pandemisë.

Autori thotë se përmes kësaj ekspozite ka dashur të dialogojë me publikun për çështje të rëndësishme shoqërore dhe politike të cilat përjetohen në jetën e përditshme.

“Kjo ekspozitë që është një ndërhyrje artistike flet më shumë për të reflektuar mbi disa shkak pasoja që ne në jetën tonë të përditshme na kufizojnë, na fusin në një lloj rrethi vicioz mental dhe natyrisht marrin shpesh elemente që duken lokale, që duken në periferi, por që në një farë mënyre janë një urë e një diskutimi mbarë botëror sot, ashtu siç ndodh në artin bashkëkohor”, nënvizon ai.

Artisti ka zgjedhur për të ekspozuar në Shkodër, pasi ky qytet, siç thotë edhe vetë, e afron më së shumti me misionin e kësaj ekspozite.

“Eshtë një nga qytetet që më pëlqen jashtëzakonisht shumë. Ndoshta Shkodra dhe Korça kanë për mua një lloj energjie dhe sinergjie që të thithin me arkitekturën, pjesën urbanistike, një ndërthurje e asaj që unë në fakt mendoj edhe për këtë qytet, sepse aty ka një përthyerje të fortë të religjonit, ka pasur një kontekst politik të vrazhdë, para dhe pas 90 –ës, kështu që janë shumë elementë që bëjnë që vepra ime të përthyhet në një qasje edhe politike, edhe sociale edhe shoqërore, brenda kontekstit që ka qyteti, Shqipëria, pastaj edhe rajoni”.

Ardian Isufi ka lindur në Tiranë në vitin 1973. Ai është një artist shumë dimensional i cili vëzhgon me shumë kujdes realitetin që e rrethon dhe njeriun. Ardian Isufi mund të konsiderohet edhe si “antrapolog, psikolog dhe gazetar” i arteve pamore. Ai është i interesuar dhe ka studiuar shumë mirë psikologjinë, antropologjinë njerëzore dhe realitetin në kontekstin historik dhe social. Ardian Isufi i dha një dimension tjetër paradigmës së arteve pamore, duke sjellë forma të reja të përdorimit të simbolikës dhe mesazhit të ngjyrave dhe imazhit të prezantimit të pikturës dhe artit multimedial.

Ai është një artist avangard që punon që punon me metoda eksperimentale dhe multimediale. Në punimet e tij ka shumë rituale shqiptare, universale si dhe elementë të ekzistencializmit.

Një pjesë e krijimeve të Ardian Isufit janë përfshirë brenda e jashtë Shqipërisë, përfshi Bienalen e Venecias, apo Galeritë e Italisë, Hungarisë dhe SHBA.

Puna e tij është gjithashtu në koleksionin e përhershëm të ‘pas 90’ në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Që nga viti 1996, është profesor në Atelierin Grafik në Akademinë e Arteve, gjithashtu pjesëmarrës në shumë aktivitete artistike. Tani për tani, jeton dhe punon në Tiranë.

Neritana Kraja