I gjendur në zemër të Alpeve Shqiptare dhe me një bukuri të papërsëritshme, Thethi zë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar. Ai ndodhet 70 km nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre malet Radohima, Sheniku, Papluku, me lartësi rreth 2500m mbi nivelin e detit. Lugina e lartë e Thethit është një nga zonat më të veçanta të këtyre alpeve. Duke u nisur nga veçoritë e tij dhe nga vendndodhja pranë kufirit, Parku Kombëtar i Thethit është propozuar të jetë pjesë e një parku ndërballkanik të quajtur “Parku i Paqes” , ku të përfshihen territore nga Kosova dhe Mali i zi.
Histori
Historia e Thethit dhe e Shalës është e lidhur me atë të fisit ilir të Labeatëve. Duke u bazuar tek të dhënat historike dhe zbulimet arkielogjike, Thethi është një vendbanim shumë i hershëm. Për herë të parë, ai shfaqet i dokumentuar në Defterin e regjistrimit të sanxhakut të Shkodrës, në vitin 1485, me emrin Fusha dhe në atë kohë kishte vetëm 7 shtëpi të mëdha. Në shekullin e XVI–të, turqit e izoluan këtë zonë nga Shkodra dhe Malësia e Madhe, duke e bashkuar në mënyrë administrative me Sanxhakun e Dukagjinit me qendër në Pejë.
Që nga ajo kohë Thethi konsiderohet pjesë e Dukagjinit. Më pas, në fillim të shekullit të XIX-të, fisi i Ahcajve nga Thethi arriti ta bashkojë këtë zonë me Bushatëllinjtë e Shkodrës. I pari që e përmend Thethin në hartën e vitit 1668, është Cornelli, ndërsa në vitin 1916-1917 shkon në fshatin Theth at Shtjefën Gjeçovi, i cili shkruan për të dhe e bën të njohur.
Viti 1921 e gjen Thethin me shkollë të ndërtuar nga Kryqi i Kuq Amerikan dhe më pas në 1936 hapet rruga automobilistike që shoqërohet një vit më vonë me hapjen e një agjencie turistike. Me kalimin e viteve që nga viti 1968 e në vazhdim do të hapen disa qendra të tjera turistike dhe do të ndërtohen godina, hotele e shumë objekte të tjera, që do të prisnin vizitorë të shumtë nga e gjithë Shqipëria dhe Evropa Lindore për 35 vjet me radhë. Në vitin 1976, Thethi shpallet “Park Kombëtar” .
Ndërkohë origjinën e këtij emri mund ta kërkojmë: nga emri “thep”. I ndodhur midis maleve të larta dhe të thepisura, njerëzit në kohë të hershme , teksa punonin, kullotnin bagëtinë e të tjera, shpreheshin: “Në ata thepa kullota bagëtinë”, “Po shkoj në ata thepa për të gjuajtur”, duke i mbetur kështu edhe emri Theth.
Pas viteve ‘90–të, kjo zonë pati shumë ndryshime dhe sot është një nga pikat turistike më të frekuentuara nga vendasit dhe turistët e huaj. Aty ndodhen hotele dhe bujtina që presin dhe strehojnë vizitorët dhe pushuesit.
Kultura
Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas.Kultura e zonës është vërtetë e vecantë me veshjet e saja tradicionale. Të huajt befasohen nga kostumet tradicionale, mijëra vjeçare të vendesve. Ato janë të pranishme sidomos në ditë festash. Xhubleta për gratë është një veshje e leshtë në pjësën më të madhe. Ajo ka ngjyrë të zezë dhe është e zbukuruar me stoli të arta. Gratë i endin dhe qendisnin vetë me duart e tyre dhe i ruajnë ato, brez pas brezi. Veç këtyre, gratë e fshatit në Theth vazhdojnë të bëjnë punë dore, të endin qilima, të rehabilitojne xhubleta, të thurin çorape etj.
Veshjet e burrave janë gjithashtu të vecanta por ato nuk përdoren më. Ndërkohë tradita e ndërtimit të shtëpive me gur, vazhdon edhe sot. Një mënyrë kjo për t’u bërë ballë kushteve të këqia klimaterike, ndërsa për shkak të borës së dendur, çatitë janë ndërtuar me një pjerrësi të dukshme për rreshqitjen e borës.Familja luan rol te rëndësishëm – zakonet e vjetra dhe festat u kanë rezistuar shekujve dhe vazhdojn të mbahen gjallë edhe sot e kësaj dite në krahinën e Thethit..
Këtu ka lindur “Kanuni i Lek Dukagjinit” që është dhe libri i parë që përshkruan rregullat e jetesës në këtë pjesë të Shqipërisë së atëhershme. Ky libër më vonë u bë “Ligji” i të gjithë shqiptarëve. Në këtë libër një pjesë të rëndësishme e zë edhe mikpritja si normë e detyruar por që tani është bërë pjesë e karakterit të gjithsecilit shqiptar por në mënyrë të vecantë e banorëve të kësaj zone.
Turizëm
Thethi në vetvete është një pasuri e veçantë e kulturës, por në mënyrë të veçantë e natyrës, një peizazh që të magjeps sapo takohesh me të. Të vizitosh Thethin është pa më të voglin dyshim një nga gjërat e domosdoshme për çdo turist që prek tokën shqiptare
Ai shquhet për kontrastet e relievit, ujëvarave, bimësisë së dendur, livadheve e sidomos i ngjyrave. Mjaft tërheqese janë dhe burimet e ujërave të Okolit.
Një nga vendet piktoreske në këtë mrekulli natyrore është Vorri i Riecit, një pikë nga e cila vihesh përballë Okolit, Qafës së Pejës dhe ku majtas ngrihet madhështore, kalaja natyrore dhe Shtegu i Dhenve apo dhe Bregu i Bubës, sipër lagjes Gjelaj.
Këto resurse i dallon çdo vizitor sapo le Grykën e Ndërlyses dhe ballafaqohet me mrekullinë e kanionit të Grunasit që ëshët rreth 2 km i gjate, 40 deri 60 m i thelle dhe vetem 2- 3 metra i gjerë.
Përvec kanionit, në Theth gjenden një numër i konsiderueshëm shpellash, që janë shumë të vecanta, si Shpella e Harapit dhe Bira e Rrathëve, të cilat me përmasat e tyre dhe dukuritë interesante që mbartin brenda tyre si liqenet nëntokësore, galeri etj... Një bukuri natyrore të bjeshkëve të veriut shpalos në këtë zonë edhe Ujëvara e Thethit me 25 m lartësi, ku së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojes formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar.
Por jo më pak tërheqës është edhe vendburimi i lumit të Shalës në Okol, burimet e të cilit nxjerrin 2,5 – 3 m kub ujë, që vë në punë një hidrocentral të vogël dhe 12 mullinj që shërbejnë për ujë të pijshëm, cilësia dhe pastërtia e të cilit është për t’u admiruar.
Ndërsa të apasionuarit pas sporteve në natyrë , mund të organizojnë aktivitete të ndyshme si ngjitjet malore, eksplorimin e shpellave, peshkimin sportiv, malor etj.
Ndërkohë, turistët që vizitojnë këtë zonë, nuk mund të largohen pashijuar dhe kuzhinën tradicionale, e cila përbëhet nga ushqimet bio, si mish i pjekur, gatimi i troftës së përroit të Thethit, si dhe nënproduktet e qumështit , djathrat e ndryshëm, gjizën, kosin e freskët, etj...