Na ishte një herë një gjyshe përrallash, që fëmijët e viteve 80 ishin mësuar ta shihnin nga ekrani i televizionit, çdo të shtunë në emisionin “Në botën e përrallave”. Edhe pse asaj kohe, ishte e re në moshe dhe pa u bërë realisht gjyshe, ajo tregonte bukur përralla për fëmijë, si të ishte një gjyshe e mirë. Zëri i aktores Aishe Stari ishte si ninullë e ëmbël, që përcillte ëndrrat e fëmijërisë.

Sot aktorja Aishe Stari, sapo ka mbushur 81 vjeç. Ndërsa për një brez ajo mbahet mend si gjyshja e përrallave, për prindërit e këtyre fëmijëve, kujtohet si akorja e mrekullueshme e Estradës së Durrësit.

Aishe Stari i përket brezit të parë të aktorëve profesionistë shqiptarë, që mbaruan shkollën e lartë për aktorë, në vitin 1963. Ishte brezi i parë i aktorëve që nxori Insituti i Lartë i Arteve dhe si e tillë, Stari ishte ndër vajzat që guxoi të thyente tabutë e kohës. Të ishe aktore për mentalitetin e asaj periudhe ishte një guxim tepër i madh, që jo çdo kush mund t’ia lejonte vetes.

Sot kur mënçuria është bërë mbizotëruese, por bukuria e dikurshme ka lënë akoma gjurmë të forta në fizikun e saj, Stari kujton me nostalgji kohën e fillimeve si aktore:

“Mamës sime i kanë pasë thënë: Çudi, nga shtëpia juaj të dalë një artiste?!Do të prishet goca, i thonin. E mama I kishte thënë se, përderisa shteti e ka hapur shkollën….se shteti nuk i hap shkollat për t’i prishur fëmijët, përkundrazi, për të na i rregulluar dhe për t’i dhënë një drejtim.

Ne jemi viti i parë i shkollës për aktorë dhe shkolla jonë për fat u hap ku ishte Teatri Popullor dhe ne na kanë mbajtur shumë afër aktorët e Teatrit Popullor. Shpesh herë ne bënim edhe mbrëmje vallëzimi dhe zakonisht caktohesha unë dhe Edi Luarasi për të organizuar këtë mbrëmje. Aktorët e Teatrit Popullor, duke filluar nga Kadri Roshi e të tjerë, kishin një dëshirë të jashtëzakonshme që të vinin në mbrëmjet tona. Kanë qenë shumë të afërt, na mbanin shumë mirë, madje kur fillonim të kërcenim, na thonin: Ç’është ky kërcim kështu? Hajde hidhuni, hidhuni! Na stilmulonin që të ishim shumë të gjallë. Na kanë stimuluar që të ishim nëpër shfaqjet e tyre. Për shëmbull kur u vu “Hamleti” në skenë, unë dhe Edi kemi luajtur aty. Ne ishim shokë aty, shokë të një klase…”

Kështu nisi rrugëtimin e saj si aktore Aishe Stari, vajza e bukur dhe e talentuar që u bë aktore e Estradës së Durrësit, qyteti në të cilin jetoi dhe vazhdon të jetojë sot e kësaj dite. Siç tregon aktorja, prindërit e saj nuk ishte durrsakë, babi ishte nga Ulqini dhe nëna nga Bosnja, e megjithatë Durrësi e mirëpriti familjen e saj dhe i dha vendin e primadonës aktores së re. Në Estradën e Durrësit, ajo arriti të bëjë emër, përkrah një kasti regjisorësh dhe aktorësh të tjerë të talentuar.

“Estrada e Durresit ka qenë një estradë që e donte jo vetëm spektatori durrsak, por spektatori i çdo vendi të Shqipërisë ku kemi shkuar. Në atë kohë ne nuk kishim humor për humor, shfaqja duhej t’i shërbente një qëllimi. Ne kemi punuar me shumë kujdes që në fillim, “se edhe bukur nuk është me ba humor për humor”. Ne të gjithë e kishim kujdes këtë punë, por ka pasur raste përshembull, kur edhe mua më është hequr ndonjë material, ku edhe sot e kësaj dite jam e bindur që është hequr kot”, kujton aktorja.

Starin sot shqetëson banaliteti në humor dhe në skenë. Nuk e pranon kurrsesi që humori të mbështetet në batuta apo fabula banale, prandaj u bën thirrje aktorëve të rinj të humorit që të jenë të kujdeshmë për ta shmangur banalen dhe vulgaren.

“Humori është shumë i zorshëm për t’u bërë, por është aftësia e aktorit për ta bërë, edhe dramën, edhe humorin. Ka që edhe pse punojnë, studiojnë, lexojnë e përpiqen sa të duan, nuk u del humori. Sot ka edhe humor të mirë, por duhet edhe një çikë kujdes. Nuk duhet të kërkojmë të korrim të qeshura nëpërmjet banaliteteve. Mua përditë më kapin njerëz që më thonë: Shyqyr që kemi stacione ku shohim materialet e juaja. Mua, më thënë të vërtetën, më vjen keq që ma thonë këtë fjalë. Jo, nuk dua. Unë dua që njerëzit të ecin me kohën, të shohin material të reja, dua që estrada të eci, të evulojë…”, shprehet ajo.

Ndërkohë, në kujtimet e shumë vite karrierë dhe emrit të skalitur në kujtesën e publikut, thotë se asnjë sukses nuk vjen rastësisht, gjithçka vjen nga angazhimi serioz dhe këmbëngulja në punë.

“Kur më dha regjisori Gjergj Vlashi, poemën e Dritëro Agollit “Pleshti”, unë kam këmbëngulur shumë që të mos e bëj. Dhe ngaqë aty thuhet: “Pleshti me xixëllonjën ranë në dashuri/pleshti xhuxh edhe i zi”, i thoja për t’ia mbushur mendjen atij: O Gjergji, kjo bën edhe aludim rracial…. S’ka gjë, më thonte ai, ti vazhdo punë edhe bëje. Kur u afrua premiera dhe donte edhe një javë të dilte dhe unë e pashë këmbënguljen e regjisorit për të mos e hequr, atëherë u detyrova, shkova te fonia, mora një manjetofon, u mbylla në kabinën time dhe aty fillova ta studioj tamam. Që ta bëj më të lehtë, më të kuptueshme, më simpatike, mu desh që të ndaj personazhet, t’i ngjyros secilin me ngjyrat e veta që i takon dhe në fund “Pleshti doli një poemë që u mirëprit shumë”, vazhdon rrëfimin aktorja.

Në Durrës e njohin dhe e duan të gjithë brezat, falë angazhimit të saj edhe në shfaqjet për fëmijë gjatë dekadës së fundit.

Aishe Stari lindi në Durrës, në vitin 1940. Kreu studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve, dega e dramës dhe menjëherë filloi punë në Estradën Profesioniste të Durrësit, duke u bërë një nga aktoret më simpatike të kësaj trupe si dhe në mbarë vendin. Luajti mjaft role në zhanre e lloje të ndryshme të teatrit të estradës, si në komedi, skeçe, monologë, pantomimë, kuplete e parodi.

Përveç skenës së estradës dhe teatrit, ajo ka luajtur edhe në kinematografi, ku më interesanti është tek filmi “Fije që priten”, por edhe tek “Udhëtim në pranverë”, “Fundi i marrëzizë”, “Dashuri me krisma”, etj. Mban titullin “Artiste e merituar”.

Në ceremoninë e 81 vjetorit, drejtuar nga regjisori i mirënjohur Haxhi Rama, morën pjesë miq dhe familjarë të aktores. Nuk munguan batutat dhe as torta e ditëlindjes që mbante numrin 18, aq sa ndjehet dhe aktorja, që konsiderohet hijeshia ndër vite e skenës së Estradës dhe Teatrit të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.

“Kur bëhet ditëlindja apo festa mes shokëve dhe miqve shkon shumë bukur. Vërtet i jep dashuri, por edhe merr dashuri. Dashuria është gjëja më e bukur në jetë. Të gjithë njerëzit nuk duhet të përtojnë të japin dashuri, se do ta kalojnë më bukur”.

Aktorja Aishe Stari ka plot 40 vjet në skenë dhe plot 200 role humori. Ajo bën pjesë në ato aktore, të cilat ende nuk rreshtin së dëshiruari që të jenë përsëri në skenë. Gjithashtu nuk i ka thënë jo asnjë propozimi për role në teatër, film apo komedi, pavarësisht moshës.

Neritana Kraja