“Fillimi i verës” (Lixia) është një nga 24 fazat diellore sipas kalendarit hënor kinez. Lixia është faza e parë diellore në verë dhe do të thotë "fillimi i verës së nxehtë". Data e “Fillimit të verës” është zakonisht 5 ose 6 maj sipas kalendarit gregorian dhe sivjet ra më 5 maj. Që nga kjo ditë, në jug të Kinës temperatura u ngrit shpejt dhe u shtuan dukshëm reshjet e shiut.

“Fillimi i verës” është gjithashtu një fazë e rëndësishme diellore për rritjen e të korrave. Në gjuhën kineze, vera quhet "xia tian", që fjalë për fjalë ka kuptimin “dita e gjatë”, pra "xia" ka edhe kuptimin "e gjatë" dhe do të thotë "rritje e shpejtë e bimëve". Kësisoj, që nga lashtësia në krahinat e ndryshme kineze u formuan shumë zakone me rastin e kësaj faze, duke përfshirë ceremoninë e pritjes së verës, shijimin e ushqimeve të freskëta, luftën me vezë, matjen e peshës së trupit etj.

Ceremonia e pritjes së verës

Kinezët e lashtë i kushtonin rëndësi të madhe fazës diellore “Fillimi i verës”, sepse kjo fazë shënon rritjen e fuqishme të të gjitha gjërave. Prandaj, kinezët e lashtë zhvillonin ceremoninë e pritjes së verës me rastin e “Fillimit të verës”.

Shijimi i ushqimeve të freskëta

Në provincat Jiangsu, Zhejiang etj. në jug të Kinës është zakoni i shijimit të ushqimeve të freskëta me rastin e “Fillimit të verës”. Këto ushqime të freskëta përfshijnë perimet, bishtajat e frutat e sapopjekura, si fasulet, kastravecat, qershitë, kajsitë etj., si edhe peshkun. Kurse në Zhejiang, Jiangxi etj., banorë vendorë hanë edhe oriz të zi në këtë ditë. Orizi gatuhet i përzier me lëngun e gjetheve të pemës “wujiu” (Sapium sebiferum) dhe merr ngjyrë të zezë pasi është zier.

Lufta me vezë

Lufta me vezë është zakonisht një lojë fëmijësh me rastin e “Fillimit të verës”. Fëmijë mbajnë në dorë një vezë të zier të paqëruar dhe i përplasin vezët me njëra-tjetrën. Veza lëvozhga e së cilës nuk thyhet, është fituese. Kinezët e lashtë besonin se, nëse u varnin një vezë në gjoks me rastin e “Fillimit të verës”, fëmijët nuk do të sëmureshin.

Peshimi

Në disa krahina kineze është gjithashtu zakoni i matjes së peshës së trupit me rastin e “Fillimit të verës”. Ky zakon ka kuptimin e kërkimit të fatit të mirë nga Zoti. (Foto nga VCG)