Vetëm pak kilometra larg kryeqytetit, gjendet një vend fantastik, me liqen, gjelbërim, freski, bukuri e gjithçka që duhet për të kaluar një fundjavë të mrekullueshme!

Për banorët e Tiranës fshati është njohur për vite me radhë, për liqenin dhe për fushën e regjimentit të helikopterëve. Po sot, për çfarë e njohim Farkën dhe a mund të shërbejë si destinacion turistik i fundjavës? Pa dyshim që po. Prandaj, le ta nisim guidën tonë të një fundjave me mot të mirë në Farkë, ku kemi gjetur tre alternativa mjaft të mira për ta shijuar deri në fund atë.

Turist në Farkë

Në Farkë shkoni shumë kollaj, fshati ndodhet në periferi të Tiranës, ekzaktësisht në juglindje të saj.

Për të shkuar në Farkë mund të kalohet nga zona e Shkozës ose ajo e Saukut. Më i përshtatshëm është segmenti: Rr. Ali Demi-Shkozë-Farkë si më pak e ngarkuar me trafik. Google maps vjen në ndihmë në çdo rast, nëse kemi vështirësi për t'u orientuar. Mund të shkoni me makinën personale, por nëse nuk doni të shpenzoni lekë për benzinë, merrni një urban dhe me 80 lekë shkoni e ktheheni sërish.

Nëse kërkoni që të bëni edhe pak ecje, ju sugjerojmë të mos përdorni automjetin, por transportin urban. Merrni linjën "Ish Uzina e Autotraktoreve"- Qendër ose Farkë-Tiranë.

Do të ndaloni 100 metra larg Liqenit. Pak ecje dhe do të mbërrini tek liqeni. Rruga është e shtruar me asfalt dhe kjo e bën më të lehtë shkuarjen atje. Por ka edhe një mënyrë tjetër për të shkuar në Farkë. Një udhëtim me biçikleta nga Tirana në Farkë është ideal nëse jeni duke kërkuar këtë lloj aventure në fundjavë. Ne ju rekomandojmë këtë tur për shkak të afërsisë me qytetin e Tiranës. Ky është një udhëtim që do t’ju njohë jo vetëm me pamjen piktoreske të fshatit, por edhe me traditën e tij.

Fshati i Farkës është 8 km larg qendrës së Tiranës, emrin Farkë e ka marrë nga fjala “farkëtar”, si fshati i farkëtarëve. Në zemër të fshatit është dhe një liqen i bukur, që ka të njëjtin emër, Liqeni i Farkës. Liqeni i Farkës furnizon me ujë herë pas here edhe liqenin artificial të Tiranës, të lidhur midis tyre me anë të digës.

Ky liqen tashmë është i rrethuar nga një pedonale shumë moderne, ku njerëzit mund të ecin për kilometra rreth liqenit dhe të shijojnë pamjen 360 gradë të tij. Ju mund të uleni dhe të qetësoheni për pak kohë në stolat rreth liqenit dhe të vazhdoni udhëtimin tuaj.

Është një vend ideal për piknik. Gjithë zona është e gjelbër, kështu që ju mund të uleni në bar dhe të hani një drekë fshati me familjen. Gjatë fundjavës është një nga zonat më të populluara. Por ne nuk e sugjerojmë vetëm për familjarët, por dhe për të rinjtë pasionantë të biçikletave të cilët mund të bëjnë xhiro rreth liqenit në pedonalen e gjatë.

Nuk ka bare dhe restorante pasi Bashkia nuk do që të ndotet zona. Kështu që sigurohuni të merrni me vetë ujë dhe ushqime, pasi gjithçka që rajoni i liqenit të Farkës mund t’ju ofrojë është qetësia dhe një mjedis i paqtë. Buzë liqenit keni edhe një kafe. Mund të pini një kafe për 70 lekë. Nëse nuk doni të uleni te kafja, mund të rrini edhe në bar, të bëni piknik, ose të peshkoni, ashtu siç bëjnë shumë prej vizitorëve dhe banorëve të Farkës. Nëse vendosni të peshkoni, mos harroni të merrni dhe zgarën me vete. Dhe në fund një lojë shahu, do ju duhet patjetër.

Një ditë pikniku pranë liqenit, mund të jetë e përshtatshme për një familje me fëmijë, por edhe për të kaluar bukur në prani të një grupi shoqesh dhe shokësh. Kjo e fundit po aplikohet gjithmonë e më shumë në Farkë.

Poçeria, tradita e vjetër tiranase

Pasi të arrini në qendrën e fshatit, bëni një vizitë në poçerinë e vjetër të fshatit. Ka disa të tilla në Farkë, por ne ju propozojmë “Poçeri Plaku”, ku artisti i poçerive ju mirëpret në punishten e tij.

Poçeria është një nga shpikjet më të vjetra të njerëzimit, që daton që nga koha e Neolitit. Poçeria është një art që nuk ka nevojë për makineri, por vetëm duart e një artisti për t’i dhënë formë baltës. Bëhet me baltë, rërë dhe ujë, duke i dhënë formë me anë të duarve dhe më pas duke i pjekur në një temperaturë të lartë për të ruajtur rezistencën dhe fortësinë. Njerëzit e këtij fshati e kanë patur të zhvilluar poçerinë si traditë para shumë vitesh dhe vetëm disa familje e kanë ruajtur ende edhe sot.

Poçeritë përdoren për të ruajtur ujin e ftohtë, për të zier fasulet dhe për gatuar ushqime të tjera të shijshme. Tava e Dheut, një pjatë tradicionale e Tiranës, procesin e fundit të gatimit e ka vetëm në tavë balte. Prandaj edhe receta quhet Tavë Dheu, pasi gatuhet në një enë të tillë që vjen nga dheu, nga balta. Cilësia e veçantë e tavës është se e bën ushqimin më të shijshëm dhe i mban temperaturën e lartë shumë gjatë. Këto dhe shumë sekrete do t’ju tregojë artisti i poçerisë.

“Poçeri Plaku”është punishte e trashëguar si një repart që para viteve ‘90 dhe vijon të zhvillojë aktivitetin me prodhimin e produkteve si vorba, tava dheu, gota, shtamba, etj. Kryesisht këtu kryhen porosi për restorante, por dhe për shitje. Ju mund të ktheheni në shtëpi me disa pjata të tilla dhe të provoni përmirësimin e shijes së Tavës së Dheut, në enën e re të gatimit!

Vreshtat

Pas kësaj ju sugjerojmë të vizitoni dhe vreshtarinë dhe kantinën e verës “Shehi”. Ferma ndodhet 2 km nga Liqeni i Farkës, prandaj është një mundësi mjaft e mirë për vizitorët njëditorë, të cilët mund të lahen në liqen e të çlodhen në fermë.

Vreshtaria është në pronësinë e pesë vëllezërve. Kantina e fermës ndodhet në territorin e vreshtave dhe ka një sallë të madhe shërbimi me të gjithë aksesorët e nevojshëm, për pritjen e vizitorëve, drekë, degustim, mundësi për shëtitje rreth vreshtave, me pamje tërheqëse tipike të fshatit buzë përroit, mundësi dëfrimi për vizitorët e lodra fëmijësh.

Familja e tyre do t’ju dedikohet dhe t’ju shërbejë verën e tyre të mirë, të shoqëruar me produkte të freskëta të fshatit. Mund të shëtisni nëpër vreshta, të kqyrin hardhitë dhe shijoni verën e shtëpisë.

Nëse keni zgjedhur biçikletën për të shkuar në Farkë, një nga gjërat fantastike të udhëtimit, është se mund ndaloni dhe të bisedoni me banorët e fshatit. Pasi të keni vizituar poçerinë dhe kantinën e verës pushoni pranë liqenit të bukur të Farkës.

Në fund të ditës mund të zgjidhni të largoheni, ose të bëni edhe një xhiro në qendrën e fshatit dhe të shikoni pistën e helikopterëve. Në fund, mos harroni diçka të rëndësishme: "Mos lini mbeturina në lëndinë, apo t’i hidhni në liqen"!

Neritana Kraja