Gazetari dhe shkrimtari Enkel Demi është shpallur fitues i Çmimit Europian të Letërsisë 2021 për Shqipërinë.

Ishte pikërisht romani “Flama” që bëri Enkel Demin të rrëmbente këtë çmim të rëndësishëm letrar.

Enkel Demi

Enkel Demi

Libri që i dha çmimin Enkel Demit, në fakt nuk është i pari, por koha kur u shkrua është pak e veçantë. Romani “Flama” është krijuar në muajt e karantinës, por frymëzimi i autorit lidhet me Tiranën e para 1 shekulli.

Një polic, një varrmihës dhe një mjek që përballen jo thjesht me flamën që ka rënë në qytet, por edhe me një përbindësh.

Ngjarje të përshkruar bukur, me gjuhë të latuar, me një përzierje të këndshme të dialekteve gegë e toskë. Në këtë libër vihet re një Shqipëri e ngjashme me atë të romanit “Hide në kalldrëm”, romani i parë i botuar prej tij. Madje dhe disa nga personazhet, që sërish sillen rreth një krimi të pazbuluar, në një botë ku magjikja dhe realja shkrijnë kufijtë me njëra tjetrën. Vetë autori i librit, pas marrjes së çmimit, ka zbuluar sekretet që lidhen me procesin krijues të librit dhe raportet e tij me letërsinë.

“Ky është një libër që unë e kam shkruar gjatë fillimit të pandemisë”, kur na izoluan. Thjesht ndjenja e parë e izolimit ka qenë shumë e çuditshme për mua sepse nuk kuptoja pse duhej të qëndronim mbyllur në shtëpi dhe mbi të gjitha nuk ambientohesha dot me faktin që një fatkeqësi kaq e madhe na kishte përfshirë, jo vetëm ne si shqiptarë, por të gjithë globin.

Kopertina e librit

Kopertina e librit

Pikërisht këtu kam marrë fillesën dhe këtu kam nisur të shkruaj “Flamën”, i cili ka qenë një subjekt që në një farë mënyre parakaloi projektet për të cilët duhej të punoja logjikisht. Pastaj është një rrugëtim i gjatë që ka të bëjë me redaktimin, me kurimin e librit, me botimin dhe me fitimin e këtij çmimi.

E veçanta e këtij libri është se unë e shoh të keqen kolektive tek mëkati. Ne kemi bërë mëkate të mëdha prandaj jemi edhe në gjëma të kësaj natyre. Ka një personazh, që e dua shumë, në këtë libër, një personazh episodik që quhet Kumt Madhi dhe me këtë njeri do kisha qejf të pija ndonjëherë ndonjë kafe”, shton me humor autori.

Enkel Demi është një njeri i medias, gazetar i hershëm, përherë para publikut me projekte të ndryshme, i njohur me suksesin.

Në mengjes e shohim tek një televizion i rëndësishëm në një progmam mëngjesi me të ftuar, pasdite në një program në radio, në drekë ndan recetat e tij me ndjekësit në Facebook, si i apasionuar fort pas kuzhinës, ndërsa në fundjavë nuk lë cep të Shqipërisë pa eksploruar. E ndërkohë prezanton një roman të ri dhe për më shumë rrëmben edhe një çmim.

Por megjithë impenjimet e përditshme, ai tregon se gjëja që dëshiron më fort të bëjë, është letërsia dhe ëndërron për kohën kur do të jetë një profesionist i lirë.

“Unë kam kohë që nuk kam emocione të veçanta për sa i takon suksesit publik, mund të themi, madje me stilin tim të jetës kam kohë që mundohem të fshihem, të mos jem aq i pranishëm, përveç punëve që duhet t’i bëj, sepse unë jetoj duke dalë në televizor dhe duke folur në radio. Por mendoj që kur ti vlerësohesh për letërsinë, kjo është një lumturi e madhe dhe mbi të gjitha unë mundohem të përmbaj pikërisht këtë lloj lumturie të madhe, domethënë, është tjetër gjë të vlerësohesh si shkrimtar dhe është tjetër gjë ajo famë që ju i referoheni sepse prej kohësh ajo më ka lodhur dhe nuk është se më kënaq egot dhe kërkesat e mia. Unë dua të jem shkrimtar, unë dua të jem njeri që mundësisht të tërhiqem fare nga jeta publike dhe të jetoj me librat e mi. Dhe uroj që kjo të mos mbetet ëndërr, të mos ndodh që kur të dal në pension, të mos kem mundësi fizike”, thotë Enkel Demi.

Enkel Demi dhe libri i tij

Enkel Demi dhe libri i tij

Nuk është më i fshehtë fakti se pas pseudonimit letrar Tom Kuka qëndron Enkel Demi. Për herë të parë ai e përdori psedudonimin Tom Kuka në publikimin e romanit të parë “Hide mbi kalldrëm”, më shumë si provë për të testuar librin e tij tek audienca dhe kritika. Me ndrojën e njeriut që kishte vite që shkruante në heshtje, si një murg, pa e përballur veprën e tij me të tjerë, ai e kishte prezantuar romanin e parë tek botuesja, si vepër e Tom Kukës, njëri nga personazhet e romanit. Botimi i romanit ishte një sukses, shumë shpejt u zbulua se cili qëndronte pas këtij pseudonimi letrar dhe dy vite më pas erdhën edhe dy romane të tjera “Gurët e vetmisë” dhe fill më pas “Ora e ligë”. Por edhe pse u zbulua enigma, Enkel Demi vazhdon të botojë prap me emrin e tij të artit: Tom Kuka:

“Arsyeja është se unë i frigohem shumë kësaj famës televizive mediatike që krijohet në Shqipëri, sespe nuk dua të humb lexues. Ne dalim të televizor dhe jo të gjitha gjërat që bëjmë, opinionet që ndajmë janë të pëlqyeshme. Madje aktivitetet tona shpesh herë janë të paragjykueshme dhe nuk doja që krijimtari ime të paragjykohej nga aktiviteti im si gazetar. Prandaj zgjodha pseudonimin dhe kjo nuk është një risi në letërsinë shqiptare, e kanë bërë shumë të tjerë para meje dhe kështu që tani jam Tom Kuka”.

Duke folur për librin e tij, gazetari thotë se ky çmim në fakt është një derë për autorët e vendeve të vogla për të prezantuar librat e tyre në gjuhë të ndryshme. Së shpejti ky libër pritet të publikohet në gjuhën italiane.

“Ajo çka për ne ka shumë rëndësi, ngaqë operojmë në gjuhë të vogla, këto janë ngjarje të rëndësishme për karrierën e një shkrimtari, sepse tani ke mundësi të kontaktosh me shtëpi botuese nga vende të ndryshme”, thotë Demi.

Vendimi shpalljes se fituesve

Vendimi shpalljes se fituesve

Çmimi është një derë që BE iu jep autorëve të këtyre vendeve, për më tepër frymëmarrje dhe pjesëmarrje në letërsinë botërore. Por dhe për të shpërndarë vlera, për të njohur njëri-tjetrin.

Çmimi i Bashkimit Europian për Letërsinë (European Union Prize for Literature #EUPL2021) jepet për shkrimtarë nga e gjithë Europa. Çmimi përfshin 41 vende që janë pjesë e programit të Europës Krijuese – një iniciativë që synon të forcojë sektorët kulturorë dhe krijues të Europës. Çdo vit, EUPL vlerëson një fitues për çdo vend nga një e treta e vendeve pjesëmarrëse.

Shkrimtarët e listuar si fitues të këtij programi për vitin 2021 janë përzgjedhur nga juri kombëtare ekspertësh në fushën e literaturës dhe botimit. Të 13 shkrimtarët fitues të zhanrit “Fiction” u prezantuan gjatë një konference virtuale.

Për Çmimin Europian të Letërsisë, ky i këtij viti ishte edicioni i trembëdhjetë. Ky është çmimi i dytë i rëndësishëm për Enkel Demin, pas çmimit kombëtar të letërsisë në vitin 2018.

Neritana Kraja