Pejsazhi i mrekullueshëm në Lagunën e Patokut, të bën të mendosh se disa vende, duket sikur janë krijuar enkas për të na forcuar bindjen se “Parajsa” ekziston. I tillë është Patoku.

Shtrihet gjatë bregut të Adriatikut dhe quhet “Kompleksi Ligatinor i Patokut” që përfaqëson një nga bukuritë natyrore më interesante të këtij bregu, në Shqipëri. I ndodhur ndërmjet Lumit Mat në Veri dhe Lumit Ishëm në Jug, ky kompleks përfshin një llojshmëri të lartë habitatesh.

Qëndron pakëz ‘fshehur’ nga autostrada Tiranë-Kurbin, por mjafton të ecësh vetëm gjashtë kilometra, për të gjetur këtë mrekulli të pamasë, në bashkinë Matit, në veriperëndim të Shqipërisë. Përballë qytetit të Laçit, përtej autostradës, shtrihet Patoku si një krijim perfekt i natyrës.

Laguna e Patokut është një nga pesë lagunat e jashtme në brigjet shqiptare, nga më interesantet dhe nga më të populluarat me faunën ujore.

Këto karakteristika dhe shumëllojshmëria e habitateve janë të lidhura ngushtë me biodiversitetin e lartë të Kompleksit Ligatinor të Patokut. Shumëllojshmëria e bimësisë është një nga karakteristikat më të spikatura të këtij kompleksi nga bimët detare, në pjesën perëndimore, ku më të zakonshmet janë livadhet nënujore.

Pozicioni i favorshëm dhe shumëllojshmëria e habitateve rreth lagunës kanë krijuar kushte të përshtatshme për faunën ujore. Inventarizimi i shpendëve ka regjistruar numër të lartë llojesh, që i përkasin shpendëve të ujit, shkurretave, pyjeve, kullotave, dunave dhe tokave bujqësore. Në Kompleksin Ligatinor të Patokut është regjistruar numër i madh llojesh te shpendëve të kërcënuar në shkalle botërore si pelkani dhe specie të tjera që tashmë janë rikthyer.

Peshkimi është përparësi për zhvillimin e lagunës dhe zonës. Bregdeti, laguna dhe 2 lumenjtë Mat dhe Ishëm që e lagin, krijojnë kushte të përshtatshme natyrore për zhvillimin e peshkimit me interes të madh ekonomik. Kompleksi i Patokut karakterizohet nga një shumëllojshmëri e peshqve. Pozicioni gjeografik i kësaj zone lehtëson komunikimin me tregjet e shitjes, gjë që përbën një tjetër faktor për perspektivën e mirë të zhvillimit të peshkimit. Aty gjenden dhe disa komplekse turistike, por kryesisht në Lagunën e Patokut zhvillohet turizmi i natyrës, vëzhgimit dhe kulinarisë.

Turizmi ekologjik është një nga potencialet më të rëndësishme për zhvillimin e zonës. Karakteristikat e saj natyrore me llojshmërinë e larte të habitateve (det, lagunë, pyll, lumenj, tokë bujqësore), biodiversitetin e pasur me shumë grupe të florës dhe faunës, ekzistencën e bujqësisë dhe peshkimit tradicional janë faktorë kryesore për zhvillimin e eko-turizmit. Pozicioni i kësaj zone pranë Tiranës dhe rrugëve nacionale e lehtëson ardhjen e turisteve. Patoku është kthyer në një destinacion për turizmin familjar dhe atë të kulinarisë detare.

Relievi i sheshtë i gjithë zonës, të jep një perceptim të qartë deri në kufijtë e horizontit, aty ku pastaj uji shkrihet në një me qiellin. Gjatë gjithë rripit të rrugës, të cilën uji e ka pushtuar deri në kufijtë e mbijetesës, sheh ngrehina rrjetash gjigante, të gjitha në aksion për të kapur speciet e veçanta që shkarkon lumi dhe deti njëkohësisht në lagunë. Niveli i ulët i ujit, që shtrihet përreth një sipërfaqeje prej 400 hektarësh, u ka krijuar mundësinë bimëve të ngrenë kryet mbi sipërfaqe. Aty ku uji s’ka mundur dot të mbulojë, janë krijuar zona të vogla ishullore, toka e të cilave ka harlisur të tjera shkurre e lule të egra, të cilat nën efektin e vjeshtës, i kanë krijuar lagunës një aureolë shumëngjyrëshe që lëviz midis tonaliteteve të së kuqërremtës. Sapo shkel këtu, ndjen menjëherë se, kjo pikë e vogël mrekullie, është një doze e fortë esence, e cila të pastron trupin dhe mendjen nga ndotja e jetës së përditshme.

Para pak vitesh, për Lagunën e Patokut mund të dëgjoje të flitej shumë pak dhe të paktë kanë qenë ata që e vizitonin këtë vend për të kaluar një ditë ndryshe. Por, ata vizitorë që e kanë parë së paku një herë të vetme këtë minioazë, janë joshur të rikthehen sërish,për shumë arsye. Përgjatë vijës bregdetare 8-kilometërshe të Patokut, gjen qetësinë e pakrahasueshme, që shpohet hera herës nga zhurmat e motorëve të varkave, të cilat nisen për peshkim, dhe tufave të pulëbardhave, që më së shumti sillen rrotull qiellit, në këtë cep parajse të veçuar nga rrëmuja urbane.

Të dyja anët e rrugës që të çojnë përmes kësaj lagune, shumë biznese private, lokale dhe hotele të ndryshme, i janë përshtatur edhe natyrës, që kohët e fundit ka patur zhvillim, për t’i kthyer tjetër panoramë lagunës.

E nëse të paktë janë ata që e kanë zbuluar këtë vend mrekullie, edhe më të paktë janë ata, të cilët dinë se në këtë lagunë fshihet një ishull. Ishulli, zemra e lagunës, ndodhet vetëm dy kilometra e gjysmë larg bregut. Sigurisht që për të shkuar deri aty duhet të shfrytëzosh një nga varkat me motor që përdorin peshkatarët e zonës. Ky udhëtim për të vizituar ishullin, është një nga gjërat më të veçanta që mund të shihni. Shtegu ujor që të çon aty, kalon perms një ngushtice të rrethuar nga kallamishtet. Gjithë rruga, e cila të drejton për në grykëderdhjen e lumit Mat, të krijon përshtypjen e endjes përmes një xhungle, ndërsa përreth, syri të rrok një mori livadhesh ujore të populluara me bimë mahnitëse. Pasi mbërrin në destinacion, në breg të ishullit mund të takosh peshkatarë të lokalizuar aty, apo të shijosh pamjen e bukur lagonore nga një këndvështrim ndryshe.

Laguna e Patokut, frekuentohet më së shumti nga vizitorë që vijnë nga Tirana, Lezha, Durrësi, Kavaja, etj. Veç pamjes së mrekullueshme që të ofron ky vend, vizitorët e turistët njihen me kuzhinën e pasur të zonës, ku karakteristikë janë prodhimet e detit të zëna në Lagunën e Patokut që ofrohen me çmime të arsyeshme.

Restorantet e ndërtuara vitet e fundit kryesisht mbi ujë, të ofrojnë peshkun më të mirë dhe gatimet tradicionale më të veçanta që mund të keni provuar ndonjëherë. Në Patok, mund të gjesh peshk të disa llojeve, si: qefull, levrek, gjuhëz, çafra, ngjala etj. Në çdo stinë të vitit është e sigurt që do të sigurosh në pjatë peshkun e freskët, të cilin laguna “ia tërheq” lumit dhe detit.

Vetëm pesëdhjetë kilometra larg kryeqytetit, Laguna e Patokut është një mundësi e mirë relaksi, një atraksion i veçantë, mes qetësisë së pazëvendësueshme dhe biodiversitetit të mrekullueshëm natyror.

Etleva Xhajanka