Vangjush Mio radhitet në mesin e piktorëve më të mëdhenj të traditës. Në të gjallë, Vangjush Mio konsiderohej si piktor me shumë vlera dhe personalitet në pikturën realiste shqiptare. Në ditët e sotme, konsiderohet si autori fillimtar i historisë së artit profesionist të shekullit të XX.

Por një gjë është e pranuar në të dyja kohët e nga të gjithë njohësit e artit: Vangjush Mio, është ati modern i peizazhit shqiptar

Krijimtaria e Mios u bë e njohur për publikun shqiptar dhe u promovua shumë nga mesi i viteve 20 të shekullit të XX, në elitën korçare. Madje edhe sot emri i Vangjush Mios është më i njohuri si piktor, nga një publik i gjërë.

Vangjush Mio u lind në Korçë më 1891. Mësimet e para i mbaroi në vendlindje. Në vitin 1915 u regjistrua në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura në Bukuresht të Rumanisë, pasi ishte shumë i talentuar dhe kishte dëshirë të madhe të pikturonte. Vëllai i tij i madh kishte shkuar në Bukuresht si emigrant ekonomik, por vëllain e vogël e futi në shkollë për pikturë. Në këtë shkollë Vangjush Mio mësoi shumë rreth artit. Kjo gjë i mundësoi atij që të merrte pjesë në veprimtaritë artistike që organizoheshin në koloninë shqiptare, ku bënin pjesë Asdreni dhe Lasgush Poradeci, nga të cilët mësoi për rrjedhat e artit në përgjithësi.

Vangjush Mio merrte pjesë në veprimtaritë artistike në kor dhe teatër, duke luajtur edhe si aktor në disa pjesë teatrale. Por talenti i tij kryesor ishte piktura. Vizatimet dhe tablotë e Vangjush Mios, të realizuara në këto vite, shprehin qartë prirjen e tij drejt peizazhit.

Me 1919, pasi mbaroi studimet në Bukuresht, hapi ekspozitën e parë vetjake në Korçë, me piktura që i kishte sjellë nga kryeqyteti rumun. Kjo ekspozitë vlerësohet si ekspozita e parë e arteve figurative në Shqipëri. Me paratë që fitoi nga shitja e këtyre pikturave dhe një bursë nga shteti, mundi të fillonte studimet në Romë, në vitin 1920, në Institutin e Arteve të Bukura, ku u diplomua përveçse piktor dhe si piktor restaurues.

Gjatë viteve të qëndrimit në Itali, Mio vizitoi qendrat më të rëndësishme të artit, duke realizuar mjaft vizatime dhe peizazhe interesante. Ai është admirues i realizmit italian të shekujve XIX- XX-të dhe i impresionizmit. Madje ai konsiderohet edhe vetë si piktor impresionist.

I formësuar mirë si artist, nga dy shkolla arti të ndryshme, e Bukureshtit dhe e Romës, por shumë të rëndësishme në formimin e tij si artist, pas studimeve të larta, u kthye në Korcën e tij të dashur, të kulturuar dhe artdashëse, ku krijoi studion e punës dhe iu përkushtua pikturës. Nga Korça nuk iu nda asnjëherë shpirti. Ai punoi si mësues në Liceun e qytetit, ku ngriti familjen dhe pikturoi gjithë thesarin e tij figurativ.

Në fillim Mio vizatoi me laps, portrete, figura, kompozime, nudo dhe peizazhe. Më pas filloi të kompozonte nga jeta e njeriut në përditshmërinë e zakonshme, figura dhe portrete familjare, fshatin, liqenin, karvanë dhe kalorës. Por Mio ishte i dashuruar me peizazhin e vendit ku lindi, me natyrën e tij të ftohtë me dëborë, vjeshtën e shpejtë dhe pranverën e vonë, me rrugicat dhe oborret e shtëpive të Korçës, të cilat i pikturoi plot dëshirë.

Ai vizatoi edhe mjaft site arkeologjike, kisha apo kala, në Romë, Venezia, Bolonja, Piza, Firence, Durrës, Butrint, Shën Naum. Pikturoi liqenin në Pogradec e Shkodër, rrugë e rrugica në Përmet, Gjirokastër e Berat.

“Dimri në Korcë”, “Aspekte nga Drenova”, “Dishnica”, “Boboshtica”, “Vithkuqi” (nga e kishte origjinën familja e tij), “Manat e Drenovës”, “Kositësit e barit”, e shumë të tjera, janë vetëm disa nga titujt e peizazheve të tij më të njohur.

Në vitin 1926 Mio hapi ekspozitën e dytë vetja me punët e tij të reja, që janë kryesisht peizazhe nga Korça dhe Pogradeci, ndërsa në vitin 1928 ekspozoi për herë të parë në Tiranë, ku u prezantua me peizazhe të realizuara nga zona të ndryshme të vendit (Korça, Pogradeci, Elbasani, Durrësi, Tirana etj.). Në ekspozitën e hapur në kryeqytet, Vangjush Mio mori vlerësime të larta, gjë që vihet re në vendin që iu la piktorit në ekspozitën e parë kombëtare të vitit 1931, ku ai paraqitet me 29 punime.

Një piktor i ri, një yll i peizazhit kishte lindur në Shqipëri.

Në vitin 1932, në të njëjtën veprimtari ai u vlerësua me çmim të parë në pikturë. Pas një viti ekspozoi përsëri në Korçë, realizime të reja nga Korça dhe Pogradeci. Më vonë, Mion e shohim të marrë pjesë në ekspozitën e Barit, Itali (1938) dhe vetëm para dy vitesh, nudot e tij dhe disa punë të tjera të panjohura për publikun, që ruheshin nga familja, u ekspozuan në Venezian, që dikur e kishte vizituar, pikturar dhe dashur aq fort.

Piktori Vangjush Mio, ishte piktori i dashur për publikun. Në pikturën e tij, vërehet përherë një nostalgji, përmes një note të lartë poetike, që nuk haset te asnjë piktor i traditës, si Kol Idromeno, Andrea Kushi, Simon Rrota, Ndoc Martini e Zef Kolombi. Ai ndoshta ishte piktori që në gjithë krijimtarinë e tij ruajti kontaktin e magjisë së ngjyrave të natyrës; në stinën e vjeshtës dhe dimrit.

Piktura e tij është një poezi e lartë dhe një muzikë e qetë shpirtërore. Jo më kot ai vlerësohet, si piktori më lirik shqiptar i shekullit XX-të.

Ashtu si Lasgushi, që është i papërsëritshëm dhe i pa arritshëm në poezinë e tij plot sharm dhe elegance edhe piktura e Vangjushit me peizazhet e tij, të mahnitin e të ëmbëlsojnë shpirtin.

Pas çlirimit të vendit, Vangjush Mio mori pjesë në Tiranë në shumë ekspozita kolektive.

Në maj të vitit 1957 Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë organizoi një ekspozitë retrospektive të Vangjush Mios, që është dhe ekspozita e fundit personale, sa ishte gjallë piktori dhe që vlerësohet si më e plota. Duke realizuar një peizazh në Berat, piktori u sëmur rëndë dhe ndërroi jetë në Tiranë, më 30 dhjetor 1957.

Me të drejtë është konsideruar si impresionist. Talenti dhe fisnikëria e tij si njeri, përherë u vunë në shërbim të artit. “...Unë krijoj se e kam për detyrë që me anë të artit të mund të kultivoj shpirtin e popullit tim ... duhet që popullit t'i shtojmë shijen për art, se atëherë do ta ndjejë nevojën e tij dhe do ta lakmojë”. Kjo ishte motoja, e cila bëri që peneli i tij i talentuar, gjithë jetën të vihej në dispozicion të artit. Gjatë 40 viteve të jetës së tij, Mio nuk u nda ng biçikleta dhe Korça e tij.

Puna e Vangjush Mios kontribuoi në edukimin e artistëve të rinj në kushtet e izolimit të egër kulturor, sepse ajo i përkiste një shkolle arti jashtë kornizave të kohës.

Veprimtaria artistike e Vangjush Mios është shumë e gjerë. Ai ka lënë një koleksion të madh veprash në gjininë e portretit, peizazhit e më pak kompozime.

Në fushën e portretit ku dallohen disa të tilla shumë interesante, si “Autoportreti”, “Portreti i gruas”, “Portret plaku”, “Cigani”, “Njeriu me gajde” etj.

E gjithë krijimtaria e tij mbulon rreth 500 piktura, 200 vizatime dhe 80 qelqe nga fotografimi i tij. Nga fotografi i njohur Kristaq Sotiri, Mio mësoi të fotografonte mjaft mirë dhe nisi të fotografonte klishe të natyrës shqiptare, të cilat më pas i përdorte për peizazhet e tij.

Punët e Vangjush Mios sot ruhen në shtëpinë Muze të piktorit në Korçë, në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë, në Galerinë e Arteve, Korçë, dhe në koleksionin e familjes Mio. Pas viteve 90 me ndryshimin e sistemit politik u shfaq edhe fenomeni negativ i vjedhjeve të veprave të artit, i cili preku thellë krijimtarinë e Mios.

Fatkeqësisht, në ditët e sotme nuk dihet ende se ku kanë përfundiuar 52 piktura të tij. Përgjatë 40 viteve veprat e tij u bënë pjesë e ekspozitave vetjake dhe në grup brenda dhe jashtë Shqipërisë si në Itali, Rumani, Kinë, në Bienalen e Aleksandrisë, Greqi, Egjipt, Kosovë, Turqi, Rusi, etj. Me dhjetëra vepra të tij, si pasojë e shitjeve të rregullta të familjes, janë pjesë e koleksioneve private të njohura, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Neritana Kraja