Histori

Krahina e Zagorisë njihet shumë pak, edhe pse roli i saj ka qenë gjithmonë strategjik. Ajo është një ndër krahinat më malore, por dhe ndër më të bukurat në rrethin e Gjirokastrës dhe rajonin Jugor të vendit dhe ka një popullsi kryesisht autoktone dhe me rrënjë nga lashtësia. Emri i saj vjen nga sllavishtja “Za goroj”, “Pas maleve”, por banorëve u flitet edhe sot “Pasmalas” gjë që dëshmon mbështetjen tek emrat e mëparshëm të sllavëve për vendosjen e emrave të rinj.

Gjatë periudhës otomane Zagoria përfshihej në rrethin e Tepelenës ose siç quhej atëherë kazanë e Tepelenës. Më pas rreth viteve 1918 u përfshi në rrethin e Përmetit, ndërsa qysh prej vitit 1923 e deri në ditët e sotme Zagoria është pjesë e rrethit Gjirokastër.

Sipas pozitës gjeografike, Zagoria është e ndarë në Zagorinë e Sipërme, ku bëjnë pjesë fshtrat: Sheper, Nivan, Nderan, Topovë, Koncke, dhe Zagoria e poshtme me fshatrat: Hoshtovë, Lliar, Vithuq, Doshnicë dhe Zhej. Këto fshatra ndodhen të vendosur në të dya anët e rrjedhës së lumit të saj. Deri në vitet e fundit fshati më i madh i Zagorisë ka qenë Sheperi me një rekord prej 600 shtëpish, thuhet në një dokument të vjetër turk.

Besimi është i kristian në të gjithë këta fshatra që përbëjnë zonën e Zagorisë. Në çdo fshat ka pasur mbi dy kisha me përmasa të mëdha dhe mjaft kisha të vogla. Në Hoshtovë ka pasur 18 kisha të vogla, njëra prej të cilave mendohet se daton në vitin 999. Ndërkohë Manastiri i Shën Mëhillit është ndër më të përmendurit, viti i ndërtimit të tij është viti 1777. Kishat dhe Manastiret në Zagori kanë vlera të veçanta

Para historia e krahinës së Zagorisë daton qysh në shekullin e X, ku popullsia e saj ishte autoktone dhe në vitin 1431-1432, ka pasur 188 familje me 1600 banorë. Sipas regjistrit të vitit 1583 numri i banorëve mësohet të ketë arritur deri në 3300 banorë dhe fshati më i madh rezulton të ketë qenë Sheperi me 600 shtëpi.

Deri në gjysmën e shek XIX popullsia arriti në 4300 banorë. Mungesa e tokës për prodhim bujqësor, vështirësitë e jetesës dhe ato natyrore, kanë qenë arsyet pse banorët e kësaj zone emigruan në Stamboll, Greqi, Francë, Misir dhe në fillim të shek. XX në Amerikë dhe Kanada, pa llogaritur këtu lëvizjet e ndryshme migratore. Poeti i madh i kësaj krahine, Andon Zako Çajupi, u ka shkruar me dhimbje këtyre plagëve të rënda që gërryenin edhe gurët.

Ndërkohë pas viteve 1960 në këtë zonë filloi të investohet nga drejtuesit e kohes, duke ndëruar rrugën automobilistike që e lidhte me Gjirokastën Gjatë viteve të emigrimit masiv, në Zagori u vendosen disa dhjetëra familje vllehe. Në ditët e sotme të ardhurit në këtë krahinë janë përshtatur dhe nuk bëjnë dallim nga vendasit autoktonë. Po ashtu u ndërtuan vepra të domosdoshme social-kulturore në shërbim të arsimit, kulturës, shëndetësisë dhe jetës shoqërore në të.

Kulturë dhe traditë

Zagoria shquhet në rrafsh kombëtar për nivelin e lartë intelektual të popullsisë. Qysh prej periudhës së Zogut përqindja e intelektualëve zagoritë në nivel vendi ka qenë ndër më të lartat. Por edhe më herët kjo trevë ka njohur personalite të mëdha. Nga Zagoria kanë dalë personalitete të shquara në fushën e letërsisë, artit kulturës, shkencës etj. Andon Zako Cajupi, Mihal Harito, Aristidh Ruci, janë tre nga personalitet më të shquara të kësaj treve, që përbëjnë kulme në historinë dhe kulturën kombëtare.

Mihal Harito ka qenë përfaqësuesi i Tepelenës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në vitin 1878. Ndërsa Aristidh Ruci po nga kjo zonë ka përfaqësuar Tepelenën në firmosjen e dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912. Ndërkohë Andon Zako Çajupi është një tjetër personalitetet nga më të nderuarit të kombit tonë. Ai zë një vend të rëndësishëm në letërsinë shqipe të kohës, në radhë të parë për qasjen realiste të përshkrimit të gjendjes dhe pozitës së shqiptarëve nën robërinë turke, por edhe gjendjen e rëndë dhe të nderë pas periudhës së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Por në veprat e tij vihet re dhe lidhja e veçantë që poeti ka patur me vendlindjen e tij, si me jetën, zakonet e mentalitetin e popullit të krahinës së Zagorisë, me veshjet tradicionale si dhe me natyrën e bukur të saj. Deri në gjysmën e dytë të shekullit të XIX, veshja e grave të Zagorisë përbëhej nga një këmishë e gjatë, mbi të cilën vendosej një cibun i zi ose i bardhë e me thekë nga brenda.

Kjo veshje dukej e ngjashme me ato të grave nga zona e bregdetit dhe Kurveleshit, çka dëshmonte një unitet në veshje në një trevë shumë të gjërë të Shqipërisë së Jugut.

Turizëm

E vendosur në lartësinë rreth 750 m, mbi nivelin e detit dhe me bukuritë e saja të shumta natyrore, Zagoria, vitet e fundit është kthyer në një atraksion të rëndësishëm turistik. Fshatrat e saj të bukur të ndërtuar me u gusto, e që u ngjajnë muzeve të hershëm antik, me shtëpitë e tyre karakteristike dykatëshe, me rrugët dhe sokaket të shtruar me kalldrëme të vjetra janë kthyer në destinacione të vizitueshme nga dashamirësit e natyrës dhe të peisazhit.

Fluksi i vizitorëve në Parkun Natyror të Zagoris vazhdon të rritet çdo vit me turistë të huaj dhe vendas, të cilët mund të përjetojnë aventurën, bukuritë natyrore dhe kulturën.

Një hijeshi marramendëse që nga malet e lartë, shkëmbinjtë e ashpër e të thepisur, oaze të gjelbra me pemë, lule e bar, vlerat e bio-diversitetit, vlerat kulturore dhe shpirtërore që ka kjo zonë shtojnë pasionin për të tërhequr në gjirin e saj shumë vizitorë e turistë të huaj. Një mrekulli tjetër natyrore në këtë zonë është dhe Fusha e Çajupit me një shumëllojshmëri lulesh e shpendësh të egra.

Në Zagori gjenden dhe shumë monumente të natyrës, që ia vlen të vizitohen nga turistët. Përmendim këtu, Rrapin e Shkollës, në fshatin Sheper, i cili mendohet të jetë 250 vjeçar. Janë gjithashtu rrapet e Nivanit me një lartësi 25 m të lartë e deri në 180 vjeçar. Ndërsa Rrapi i Ndërvanit mendohet të ketë një moshë 500 vjeçare.

Lisat e Manastirit Nivan me kurorë dhe moshë 200 vjeçare etj, duke kulmuar me ujëvarën impresionuse “Rrema e Doshnicës”. Në Zagori gjenden edhe monumente kulturore, historike dhe fetare që një turist ia vlen t’i vizitojë. Ato që po tërheqin më shumë turistë vitet e fundit, sidomos të huaj, janë udhëtimet me kuaj, duke u kthyer në kohë e duke ndjekur rrugët mesjetare të karvanit Zagoria në një vend mitesh, përrallash dhe baladash.

Peisazhi i bukur, kultura, kulinaria dhe mikpritja e kanë shndërruar zonën e Zagorisë në një detinacion të preferuar për vizitorët.

Elida Lazi