Programi i Universitetit të Hapur të Kinës “Një student kolegji për çdo fshat” është dekoruar me Çmimin e Mbretit Hamad Bin Isa Al-Khalifa 2020 të UNESCO-s për Përdorimin e Teknologjive të Informacionit dhe të Komunikacionit (ICT) në Arsim, shpalli në fillim të prillit selia e UNESCO-s në Paris. Kjo është hera e dytë që një institucion kinez fiton këtë çmim qysh nga viti 2008.

Çmimi i UNESCO-s për Përdorimin e ICT-së në Arsim, çmimi më i lartë në këtë drejtim në sistemin e OKB-së, vlerëson individët, organizatat dhe organizatat joqeveritare që përdorin teknologjitë digjitale në përmirësimin e mësimdhënies e të të nxënit dhe në arsimin në përgjithësi. Tema e edicionit të vjetshëm të këtij çmimi ishte “Përdorimi i inteligjencës artificiale për nxitjen e të mësuarit të vazhdueshëm dhe cilësor”. Universiteti i Hapur i Kinës u shqua ndër afro 100 aplikuesit institucionalë në mbarë botën, falë programit të vet “Një student kolegji për çdo fshat”.

Sipas UNESCO-s, ky program përdor inteligjencën artificiale për t’u ofruar mundësi të mësuari cilësor studentëve nga zonat rurale dhe të largëta. Programi bazohet në një platformë të mësimit të zgjuar, e cila përdor analizën fonetike dhe semantike, reagimin automatik, vlerësimin automatik të esesë dhe analizën e të dhënave të mëdha dhe lejon studentët nga zonat rurale dhe të largëta, numri i të cilëve është shtuar gjithnjë e më shumë, të përfitojnë nga përvoja e mësimit cilësor.

Universiteti i Hapur i Kinës/ foto nga VCG

Universiteti i Hapur i Kinës/ foto nga VCG

Misioni i Universitetit të Hapur të Kinës është promovimi i të mësuarit gjatë gjithë jetës, të mbështetur nga teknologjia moderne e informacionit. Ai është një universitet i tipit të ri që u ofron arsimimin e hapur studentëve në mbarë vendin. Universiteti është marrë me ofrimin e arsimit në Kinë gjatë 41 vjetëve të kaluar, veçanërisht në zonat rurale dhe të largëta, dhe vitet fundit ka përdorur plotësisht teknologjinë e informacionit, përfshirë IA-në, për të ofruar shërbimet e edukimit cilësor për zonat e pazhvilluara dhe fermerët.

Në vitin 2004, Ministria e Arsimit e Kinës nisi programin “Një student kolegji për çdo fshat”, i cili organizohet dhe zbatohet nga Universiteti i Hapur i Kinës, nëpërmjet sistemit të tij të funksionimit në mbarë vendin. Programi “Një student kolegji për çdo fshat” bazohet në konceptin e “ndihmës ndaj të varfërve nëpërmjet përmirësimit të njohurive të tyre dhe mbështetjes për përsosjen e intelektit të tyre me anë të arsimit.” Nëpërmjet arsimit modern në distancë dhe teknologjisë së informacionit, programi synon mbledhjen e burimeve cilësore mësimore, ndërtimin e një modeli hibrid të mësimdhënies në bazë të kombinimit të mësimit autonom në internet me mësimdhënies ballë për ballë, si edhe kultivimin e talenteve vendore që dëshirojnë të qendrojnë në zonat rurale dhe të punojnë për zhdukjen e varfërisë.

Qysh nga viti 2017, Universiteti i Hapur i Kinës filloi të eksploronte integrimin e teknologjisë IA me mësimdhënien, administrimin arsimor dhe hallkat e tjera të procesit arsimor, duke e përdorur këtë teknologji për të hartuar plane të posaçme mësimore për studentët, për të nxitur saktësisht burimet arsimore me cilësi të lartë, për të forcuar shërbimet e mbështetjes ndaj të mësuarit dhe për të zbatuar vlerësimin automatik të të mësuarit. Të gjitha këto përpjekje kanë nxitur konkretizimin e programit “Një student kolegji për çdo fshat” dhe kanë ofruar referencë e rrugëzgjidhje të praktikueshme edhe nga të tjerët për zhvillimin e zonave të pazhvilluara dhe të grupeve të paprivilegjuara në arsim në mbarë botën.

Deri tani, në kornizën e këtij programi, janë ndërtuar 1513 qendra mësimore në 29 krahina në rang province në Kinë. 830 mijë studentë kanë marrë pjesë në këtë program dhe 530 mijë të diplomuar janë bërë talente për zhvillimin e zonave rurlae dhe për shkëputjen nga varfëria.

Luo Zhigang/ foto nga CMG

Luo Zhigang/ foto nga CMG

Luo Zhigang-u është një prej tyre. Në vitin 2013, ky i ri u kthye në vendlindje në fshatin Xinnong të provincës Sichuan dhe u zgjodh kryetar i fshatit. Përballë zhvillimit të fshatit në etapën e re, ai ndjeu se niveli i tij arsimor i shkollës së mesme profesionale nuk mund të përshtatej me gjendjen e re. Edhe përvoja e kaluar nuk ishte e mjaftueshme për trajtimin e punëve të mbarë fshatit të tij. Duke shfrytëzuar kohën e lirë, ai mori pjesë në programin “Një student kolegji për çdo fshat” në vitin 2017. Nëpërmjet platformës së Universitetit të Hapur të Kinës, ai ndoqi kursin dyvjeçar në degën e administrimit të fshatit. Nën udhëheqjen e tij, fshati ka zhvilluar sektorin e rritjes artificiale dhe fermerët janë pasuruar.

Luo Zhigang-u nuk mjaftohet me diplomën e tanishme të kolegjit. Tani ai ndjek edhe mësimet universitare gjithashtu në programin “Një student kolegji për çdo fshat”. Ai dëshiron t’i drejtojë fermerët drejt një jete më të pasur. (Wang Lei/ Artani)

Luo Zhigang dhe fermerët në fshatin e tij./ foto nga CMG

Luo Zhigang dhe fermerët në fshatin e tij./ foto nga CMG