Nëse nuk e keni menduar paraprakisht se si të kaloni fundjavën, lehtë mund të bëheni prehë e rutinës së zakonshme. Gjërat duhen programuar me kohë. Afrimi i fundjavave, afron edhe pyetjen se ku duhet të shkojmë dhe si ta shpenzojmë kohën e lirë. … Natyrisht, opsionet mund të jenë shumë, por problemi është se shumica e njerëzve nuk duan të shpenzojnë shumë para për një fundjavë të zakonshme. Pra, nëse jeni duke përjetuar edhe vështirësi me krijimin e planeve për fundjavën, atëherë kjo listë e opsioneve do t'ju duket shumë reale dhe e mundshme për tu realizuar. Por kujdes, propozimet vlejnë kur jeni në shoqëri me miqtë, apo familjarë të rritur. Nëse jeni në çift, kjo listë nuk bën për ju, pasi në të ardhmen do sjellim një listë romantike vetëm për çiftet.

Përqafoni natyrën

Ka shumë vende ku mund të relaksoheni dhe të admironi bukurinë e natyrës falas. Çfarë duhet të bëni në fundjavë pa para? Bëni një shëtitje tek Parku i Liqenit ose ecni buzë Lanës. Aty do të ndeshni bukinistës apo artistët e rrugës. Me shumë pak lek, mund të blini një libër të përdorur, ndërkohë mund të dëgjoni tek luajnë muzikë artistë të rinj që presin të bëhen të famshëm. Natyra e qetë, pamja e bukur, e rregullon shpirtin dhe ju ngarkon për gjithë ditës me emocione pozitive.

Edhe nëse jetoni Tiranë, apo në qytet tjetër, ju gjithmonë mund të gjeni vendin ku ka një liqen, pyll apo bimësi. Duke ecur përgjatë rrugës me miqtë tuaj, mund të jetë një mënyrë e shkëlqyer për t'u ndjerë mirë. Do të ecni dhe të shkembeni biseda mes jush. Një shëtitje të tillë mund ta bëni të shtunën apo të dielën në mëngjes, të veshur me një palë tuta sportive dhe atlete. Nëse ecjen do e bëni nga liqeni, do keni mundësi të pushoni në shezlongjet e venë rishtas buzë bregut. Nëse nuk doni të ecni më, si grup mund të merrni biçikletat. Edhe nëse nuk e keni tuajën - ka pothuajse kudo stacione biçikletash, ku mund të marrësh me qira një biçikletë, për një kohë të caktuar, ose për një ditë të tërë.

Nëse ka ndonjë vinotekë, apo birrari, jo shumë larg jush, atëherë mund të hiqni dorë nga momenti i biçikletave dhe të provoni një gotë me miqtë. Kjo gjë, spontane në dukje, do t’ju argëtojë pa masë, madje do ju ndihmojë ta zgjeron rrethin tuaj me miq të rinj.

Për një eksperiencë më të fortë me natyrën, mendoni paraprakisht edhe për një piknik, një mënyrë e thjeshtë kënaqësie, pa shpenzime të mëdha. Mjafton të merrni nga shtëpia një mbulesë, një shportë me ushqime të lehta dhe ujë, ose pije. Mos harroni të merrni edhe diçka për argëtim, qoftë një libër, muzikë të mirë ose një top për të luajtur e gëzuar. Pothuajse çdo shtëpi ka letra, damë ose shah, ndoshta ju keni një monopolis ose lojëra të tjera që luhen ulur. Mos harroni t’i merrni as ato.

Peza është vendi ideal në periferinë e fshtarave të Tiranës, që me natyrën e bukur mes gjelbërimit, të fryëzon për një piknik në natyrë. Gjatë fundjavave, ky fshat është i mbushur me njerëz që e bëjnë diçka të tillë. Por ju mund të zgjidhni për piknik cilindo destinacion tjetër jashtë Tiranës dhe do të mahniteni nga variacionet e peisazhit rural. Në ndryshim nga qyteti modern dhe i gjallë i Tiranës, fshatrat dhe rrethinat janë vërtet të gjelbëruara dhe të qeta. Jeta këtu lëviz ngadalë si në kohët e vjetra. Mund të takoni vendasit dhe të bisedoni me ta. Nëse keni fat, mund të blini prej tyre ndonjë produkt të freskët bio, që për qytetin mbetet një ëndërr.

Bowling, kalçeto dhe futboll, e diela pasdite me sport

Kur kalojmë gjithë ditën me njeriun tonë të zemrës, na duhet ta pranojmë edhe tolerancën e mendimit ndryshe sa i takon zgjedhjeve për kohën e lirë. Dhe të gjithë e dimë më së miri, se meshkujt nuk heqin dorë nga disa zakone. Prandaj, që fundjava të jetë e këndshme për të dy njëlloj, duhet të kthejmë sytë nga sporti, të thërrasim për skuadrën e tij të zemrës dhe pse jo, të luajmë Boëling, ose Bilardo me miqtë tanë të përbashkët. Në fakt, një nga gjërat që i shkon për shtat të dielave pasdite, janë lojrat e ndryshme në salla, apo kalceto. Këto janë vende të mira për të kaluar kohën në fundjavë. Një lojë interesante dhe emocionuese, do t’i mbajë përreth të gjithë miqtë tanë. Po kështu mund të prenotoni një lojë në kalceto dhe të paguani nga 300 lekë personi, për një orë, nëse jeni 10-12 persona. Apo mund të ndiqni ndeshjet e ekipeve profesioniste, të ekipit të zemrës, në sportet që pëlqehen më shumë, kundrejt një pagese mjaft ekonomike. Në studiumin e ri Air Albania, ku ndjesia është totalisht ripërtëritëse, në pallatin e Sportit apo fushta e tjera sportive që Tirana ofron. Pavarësisht nëse luhen ndeshje rutinë, apo ndeshje të rëndësishme, gjithmonë aty gjendet publik i interesuar për rezultatin. Nëse i bashkohemi thirrjeve dhe tifozerisë së tyre, do ta ndiejmë andrenalinën se si rritet brenda nesh. Pasdite të tiilla na lidhin më shumë me miqtë dhe qytetin e zemrës. Do të ndiejmë se i përkasim të njëjtës skuadër dhe të njëjtës frymë. Mund të marrim edhe spunton për të nisur në mënyrë amatore ushtrimin në një sport, për një jetë më të shëndetshme.

Pas këtij aktiviteti, ia vlen një birrë me miqtë. Ka shumë vende për ta bërë këtë, ne ju rekomandojmë një nga zgarat e shumta në Tiranë: Zgara Korçare, Tiranase, Beratase, etj. por ku mund të pini ndonjë birrë e të konsumoni produkte zgare, brenda një buxheti të limituar, nëse aq është mundësia juaj.

Çasje shpirtërore dhe artistike

Çfarë tjetër mund të bëjmë në një fundjavë pa para? Në Tiranë ka shumë muze, por jo të gjithë e dinë se krahas muzeve publike ka edhe muze dhe galeri private, shumë interesante për tu vizituar, që mund t’I shtoni në listën e fundjavës? I tillë është Muzeu i Grave në Tiranë, në një apartament të vjetër e të vogël në zemër të Myslym Shyrit. Veshjet, objektet personale, çantat dhe kapelat, janë një zbulim i këndshëm për ata që nuk njohin Shqipërinë e viteve ’20-’30. Një përqasje paralele si ide, me “Muzeun e pafajësisë” së Orhan Pamuk në Stamboll. Një kurajo e madhe për ta realizuar. Dhe një oferët mjaft joshëse për fundjavën.

Objektet e kultit gjithashtu janë shumë interesante për tu vizituar. Hyrja e tyre është absolutisht e lirë. Atje do të zhyteni në bukurinë e krijuar nga dora e njeriut dhe frymëzimit nga Zoti. Gjithashtu në to mund të luteni për një të dashur, të lexoni lutje, të ndizni një qiri apo të faleni para zotit.

Një tjetër ide: mund të ndiqni mësime të kërcimit e të mësoni ritme të reja. Edhe kjo është një mundësi shumë e mirë, për të mbushur pasditen e së dielës. Mund të merrni mësime nga profesionistë të vallëzimit, në kategori si salsa, vals, tango, valle popullore të trevave të ndryshme. Ka disa të tilla në Tiranë, por ne ju rekomandojmë njërën që është në mes të bllokut, në mënyrë që pas seancës, ta përfundoni ditën me një shëtitje në Bllok.

Në përgjithësi, Tirana, megjithëse konsiderohet një qytet mjaft i shtrenjtë, në krahasim me rajonin, por si për kontrast, është një qytet ku mund të relaksoheni edhe pa para.

Gjëja kryesore është të kemi një dëshirë dhe qëndrim optimist.

Por mos harroni të bëni edhe diçka tjetër: të fotografoni arredimin, urbanistikën, natyrën, veten, pjatën, pijen dhe miqtë tuaj. Këto foto do t’ju kënaqin e do ju frymëzojnë për fundjavën e ardhshme.

Neritana Kraja