Kolë Mirakaj, ish ministër i brendshëm viteve ’30, thuhet se me mbështetjen e qeverisë së kohës, ka shpëtuar mbi 2000 hebrenj. Koha e ka zbehur emrin e firmëtarit shpëtimtar, por nuk ka mundur të fshijë firmën e tij në letrat përcjellëse, të hebrenjve për në Itali, duke siguruar shpëtimin e tyre. Këtë histori e tregon nipi i Kolë Mirakaj, Sokol Mirakaj, sot një burrë i thinjur, që ka ardhur në ekspozitën e hapur me dokumente të Arkivit Qëndror Shtetëror, ku shpalosen artefakte, për të parë të dokumentuar atë se çfarë shqiptarët bënë, për të ndihmuar hebrenjtë gjatë 11 viteve të zymta të Luftës së Dytë Botërore.
“Thuhet se ka shpëtuar mbi 2000 hebrenj, i ka përcjellë për në Itali, duke u dhënë urdhër të gjitha prefekturave të kohës, të gjitha institucioneve të kohës, që t’u japin pasaporta dhe t’i nisin menjëherë për në Itali, për të shpëtuar nga përndjekjet e Gjermanëve. Ka shpëtuar qindra jetë dhe s’është zënë në gojë kurrë ndonjëherë”, shprehet i emocionuar pasardhësi i ish- ministrit kurajoz, ndërsa gjen firmën e ish ministrit në dokumente.
Si Sokoli, ka me dhjetra njerëz të tillë që kanë diçka për të parë, treguar apo verifikuar përmes dokumentave që ekspozoi arkivi shtetëror. Njerëz të çdo moshe, kureshtarë për ngjarjen, apo protagonist të saj, u shfaqën para stendave plot interes.
Eshtë një pjesë e historisë që dëshmohet përmes dokumenteve të arkivit qëndror, me dokumente dhe fotografi, nga viti 33-45. Përmes 20 stendave u ekspozuan rreth 200 dokumente, të përzgjedhura me shumë finesë mes shumë e shumë dokumentash që ruhen në arkiv. Ekspozita mbante titullin “Hebrenjtë në Shqipëri 1933 – 1944” dhe qëndroi e hapur për 3 ditë për publikun.
Në këtë ekspozitë gjenden lista të familjeve hebreje që kanë gjetur strehim në Shqipëri, raporte të kufirit për kalimin e tyre, dokumente me rëndësi historike dhe fotografi të familjeve që i kanë strehuar hebrenjtë. Elsa Saka, drejtoresha e Evidencës në qendrën e komunikimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave thotë se kjo ekspozitë për herë të parë hapet në Shqipëri, pasi është hapur në Paris.
“Eshtë një ekspozitë që për herë të parë është hapur në Paris në 2008 dhe për herë të parë hapet sot në Shqipëri. Kemi zgjedhur muajin maj duke iu referuar 1500 trupave hebreje që u dogjën në gaz në kampin e Aushvicit. Jo pa qëllim e zgjodhëm, sepse duhet të marrim shkas pasi Shqipëria ka qenë një nga vendet që i ka mirëpritur ata. Ndërkohë që në vende të tjera vriteshin dhe persekutoheshin, në Shqipëri pavarësisht kushteve të vështira, sepse ishim të pushtuar nga Italia dhe Gjermania, i mirëpriti në familjet e tyre me aq kujdes sa i dha atyre edhe shtetësinë shqiptare, duke i paisur edhe me pasaporta”, u shpreh ajo.
Foto të qytetarëve hebrenj që pajisen me dokumente dhe gëzonin të njëjtat të drejta me shqiptarët, foto të shpërnguljes në kufi drejt Shqipërisë, udhëtimi i tyre drejt Greqisë si qytetarë shqiptarë, etj, urdhëra favorizues që përcaktojnë kohën e punës dhe ditët e pushimit për hebrenjtë, janë vetëm një pjesë e një volumi prej 2000 tituj dosjesh, të gjitha të publikuara edhe online. Vetëm një pjesë e tyre u ekspozuan ndërkohë që zonja Saka tregon se arkivi online është hapur në çdo moment për publikun
“Sigurisht që kjo pjesë ne na bën shumë krenar si shqiptar, sepse Shqipëria ka qenë gjithnjë zemër hapur. Kemi qenë vetë në kushte shumë të vështira dhe nuk i kemi lënë jashtë, por janë pritur në të gjitha familjet shqiptare, siç demostrohet edhe në dokumente. Një ndër misionet e drejtorisë së përgjithshme të arkivave vitet e fundit është që ta përcjellin historinë nëpërmjet dokumentave, që ruhen në Arkivin Qëndror Shtetëror, në forma të tilla siç janë stendat, apo dokumente origjinale”.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët dhanë një kontribut mjaft të madh pёr shpëtimin e hebrenjve, duke nxjerrë në pah vlerat e patjetërsueshme të shoqërisë shqiptare, të tolerancës dhe të bashkëjetesës së shkëlqyer fetare.
Në vendin tonë nuk u miratuan asnjëherë ligje antihebraike, por shqiptarët mbrojtën duke mos dorëzuar te gjermanët afro 2265 të ardhur në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nëpërmjet këtyre dokumenteve ne shikojmë se ka pasur mbështetje jo vetëm nga familjet e qytetit, por edhe nga autoritetet fetare edhe shtetërore.
Kjo është një copë historie shqiptare që na bën krenarë, kemi ç’të tregojmë, një histori që nuk është imponuar, që vjen biologjikisht tek shqiptarët dhe që është trashëguar në gojëdhënat e saj. Janë histori njerëzore, 11 vjeçare, të bukura për tu rrëfyer dhe interesante për tu shfletuar përmes dokumentave zyrtarë. Me qindra hebrenj, shqiptarët i pritën në familjet e tyre, kur një pjesë e madhe e Europës i përndiqte.
Dokumentat flasin. Ekspozita të tilla janë me shumë vlerë për publikun. Dokumentat e ekspozuar janë origjinale, autentike, ku vizitorët përballen me fakte reale dhe ndikojnë, sidomos tek brezi i ri, i cili kërkon të dijë dhe të jetë krenar për paraardhësit e tij, për këtë moment, që sot bota e vlerëson maksimalisht. Kjo ekspozitë përveçse në Tiranë, do të jetë edhe në Sarandë, Vlorë, Himarë e me radhë, për tu ngjitur më pas edhe në veri.
Shqipëria kishte rreth 200 hebrenj në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Ajo më pas u bë një strehë e sigurt për disa qindra refugjatë hebrenj që erdhën nga vende të tjera. Në Konferencën e Wannsee në vitin 1942, Adolf Eichmann, projektuesi për vrasjen masive të hebrenjve nëpër Evropë, vlerësoi se 200 do të ishte numri i hebrenjve që do të vriteshin në Shqipëri. Megjithatë, kjo nuk ndodhi. Hebrenjtë në Shqipëri u mbajtën dhe u mbrojtën nga popullata vendase dhe kjo mbrojtje vazhdoi edhe pas pushtimit të Shqipërisë nga forcat naziste, pas kapitullimit të Italisë më shtator 1943. Në fund të luftës, Shqipëria kishte një popullsi prej 2.000 hebrenj. Një pjesë e familjeve u kthyen në vendin e tyre, ndërsa një pjesë tjetër u integrua në jetën shqiptare, ku pasardhësit e tyre vazhdojnë të jetojnë.
Neritana Kraja