Malësia e madhe (FaxWeb)
Duke iu referuar regjistrave të kohës bizantin, sllav, venedikas e katolik del se në mesjetë ekzistonte një krahinë autentike dhe unike e quajtur Pulati, që sot njihet si Malësia e Madhe. Ajo përfshinte 12 fise, ndër të cilat krahina Kelmendi, Hoti, Gruda, Shkreli, Kastrati, Trieshi, Pipri, Kuçi, Vasojeviçi, Krasniqja, Gashi dhe Bytyçi. Emri i Malësisë del nga fjala shqipe Mal-i, me kuptimin gjeografik dhe territorial.
Nëse i referohemi historisë antike, fisi Ilir që jetonte në Malësi quhej Labeat. Por kjo nuk do të thotë se malësorët janë pasardhës të Labeatëve. Ndërkohë shumica e studjuesve mendojne se malësorët e kanë prejardhjen nga Kroacia. Vëndbanimet Ilire më të njohura në Malësi janë Balesi në mes të Rrjollit e Reçit, "Fortesa e Kelmendit" në Selcë, Meduni, Vuksalekajt, Burgu i Grudës (Dushiq), Samoborri, Cinna te Kopliku etj.
Në kohët e lashta nëpër Malësi kalonin rrugë shumë të rëndësishme që të çonin në Europë, siç ishte ajo nga Norona nëpër Dinoshe, Tërgajë, Vërmoshë, Gusi dhe tjetra Noronë, Dinoshë, Tuz, Koplik dhe Shkodër. Albanologët shprehen se deri me ardhjen e turqve, Shqipëria Veriore, pra edhe “Malcia”, ishin të zhvilluara ashtu si e gjithë pjesa tjetër e Europës. Duke iu referuar të dhënave të kohës, Malësia e Madhe deri me 1476 mbante lidhje të mira dhe të ngushta me Venedikun. Në atë kohë Malësia udhëhiqej nga familjet aristokrate Balshajt dhe Cernoviqajt.
Okupimi nga Turqia në shekullin e XV do ta ndante Malësinë e Madhe në krahinat Kuç, Kelmend, Hot dhe Zhabjak. Lufta kundër otomanëve vazhdoi e pandërprerë deri në 11 prill të 1912, kur dhe ajo fitoi pavarsinë. Pjesa malore e Malësisë kurrë nuk do ta pranonte pushtimin turk dhe nuk pagoi taksa e tatime.
Si qendër administrative, Malësia e Madhe është njohur shumë herët, kjo në varësi edhe të mënyrës së organizimit të pushteteve. Edhe gjatë pushtimit turk kjo trevë është përkufizuar si nëndarje administrative më vehte në kuadrin e organizimit të vilajeteve. Në kohën e Mbretit Zog është përcaktuar si nënprefekturë, ndërsa pas vitit 1944 u përcaktua si lokalitet derisa sistemi i kohës i hoqi emrin Malësi e Madhe, duke e cilësuar si zona e Mbishkodrës. Pas ndryshimeve demokratike u cilësua si Rrethi i Malësisë dhe tani nënprefekturë
Bashkia Malësi e Madhe
Kulturë dhe traditë
Malësia e Madhe është një nga zonat më të njohura në Shqipëri në fushën e ruajtjes së traditave folklorike. Eposi i Kreshnikëve me “Këngët e Mujit e Halilit” mund të jenë dhe zanafilla e grumbullimit të folklorit dhe trashëgimisë kulturore të kësaj treve, duke treguar në këtë rast nëpërmjet këngëve dhe zanafillën e kësaj treve. Këngët janë kënduar me lahutë dhe çifteli. Por më origjinale është “Kënga e Majakrahut” për të cilën shkrimtarja britanike Edit Durham do ta cilësonte si: “ këngë tipike shqiptare e pashoqe”.
Të shkruash për kulturën malësore është e pamundur të mos përmendësh kollosin e këngës lirike nga Bajza, basin më të shquar shqiptar, “Artistin e Merituar” Lukë Kaçaj, i vlerësuar pas vdekjes me titullin “Nderi i Kombit”.
Veshje popullore nga Malësia e Madhe
Ndërkohë ajo që bie në sy është edhe ruajtja e traditave mijëra vjecare deri në ditët tona të veshjeve karakteristike, tipike të kësaj treve si xhamadanët, çakshirët e xhubletat.
Xhubleta e Malësisë së Madhe paraqet një trashëgimi kulturore të mbijetuar në kulturën materiale prej ilirëve te shqiptarët. Sipas studiuesve të mirëfilltë të etnologjisë, kjo veshje paraqitet si një ndër veshjet më të vjetra të Europës, si mbetje e një qytetërimi të lashtë mesdhetar e ruajtur me shekuj në mënyrë besnike dhe autentike në traditën e veshjes popullore. Historia e kësaj veshjeje e ka zanafillën në veshjen ilire.
Ndërsa mikpritja është shumë origjinale për malësorin dhe e ruajtur në çdo brezni. Bujaria e malësorit ka qenë me gjithë shpirt e kjo tregohet edhe në ditët e sotme. Shprehja e dalë nga thellësia e shpirtit “bukë, kripë e zemër” tregon më së miri vlerat e burrërisë, të besës dhe bujarisë së madhe.
Bujtina turistike Vermosh (KultPlus)
Turizëm
Bukuritë natyrore, duke i shtuar edhe atë historike, tradicionale e kulturore e bëjnë rrethin e Malësisë së Madhe, një zonë me potencial të madh turistik. Vetë pozicioni gjeografik i saj e bën këtë treve një ansambël të mahnitshëm, përsa i përket fushës së turizmit, që për nga llojet mund të jetë unikal në Shqipëri dhe rajon.
Malësia e Madhe të jep mundësinë që për 12 muajt e vitit të zhvillohen të gjitha llojet e turizmit, duke filluar me turizmin ujor, ku vend të veçantë zë Liqeni i Shkodrës me një shtrirje gjatësie prej rreth 30 km nga Vraka –Grill e deri në Han të Hotit me një gjatësi prej 31 km.
Ndërkohë turizmi i gjelbër dhe i bardhë, përbën turizmin më atraktiv të kësaj zone, ku pikat më të njohura janë Razma, Boga, Zona e Reçit, Lepusha, Vermoshi, Selca, Fushë-Zeza etj. Në vjeshtë këto zona të servirin një peisazh tërheqës dhe mbresëlënës, ku mjaft vizitorë ngjiten në këto lartësi dhe e shijojnë atë.
Malësia e Madhe
Në këtë krahinë është i zhvilluar dhe turizmi historiko-kulturor. Ky lloj turizmi zë një vend të rëndësishëm në gjithë hapësirën turistike të Malësisë së Madhe. Etnografia e veshjeve të zonës është një befasi më vete. Studiuesi i kulturave Ballkanike, hungarezi Kornidez, që vizitoi këtë krahinë në vitet 1753-1754 është shprehur se: “As palloi as ylberi nuk kanë aq ngjyra sa xhubleta e grave malësore”
Një mrekulli natyrore e kësaj zone janë dhe platacionet me gështenja të Reçit, ku vizitori njihet me historikun e tyre, mënyrën e shfrytëzimit sot dhe sigurisht, emocionohet me peisazhin vjeshtor.
Vetë pozicioni dhe resurset e mëdha natyrore që ka Malësia e Madhe të jep mundësinë e zhvillimit të turizmit sportiv, siç janë sportet e ujit por edhe atyre të apasionuarve pas hiking. Në këtë zonë ka një përshtatshmëri shumë të madhe edhe për zhvillimin e sportit të skive.
Ndërkohë vitet e fundit në këtë zonë po njeh zhvillim edhe turizmi gjeo-arkelogjik, pasi shumë turistë vendas e të huaj shfaqin interes të eksplorojnë shpellat që gjenden në Malësinë e Madhe, të cilat ofrojnë edhe të dhëna jetësore të popullimit mijëvjecar të kësaj treve. Shpellat me të njohura janë në Kelmend, Shkrel, Kastrat e Gruemirë.
Malësia e Madhe mund të vizitohet në çdo stinë të vitit.
Elida Lazi