Kjo kohë pandemie fatkeqësisht po i bën njerëzit të ndahen pa një lamtumirë. Shumë prej miqve të tij do të donin të kishin pirë një kafe të fundit me Guliem Radojën, të luanin të fundit shfaqje me të, të flisnin për projekte, të shkëmbenin batuta apo thjesht t’i dëgjonin zërin….Por Guliem Radoja iku shumë shpejt. Iku pas një muaji lëngatë, ku askush nuk e besonte se do të dilte i mundur nga sëmundja. U nda nga kjo jetë në moshën 75 vjeç. Aktori sharmant i skenës dhe ekranit. Artisti modern, interpret i shkëlqyer i fjalës dhe karaktereve, largmapës, antikonformist, modest, i ndjeshëm dhe gjentil.

Aktori që e nisi rrugën e aktrimit rastësisht, në fakt ishte që në rininë e hershme, një nga djemtë më simpatik, modern dhe rebel të Tiranës.

Në intervistën e fundit televizive një vit më parë, Guljem Radoja do të tregonte se si hyri në profesionin e aktrimit, në mënyrë krejt rastësore, por që nga kjo shkollë do të fitonte profesionin që u shndërrua më pas në pasionin e tij më të madh.

“Në maturë, unë shkollën e mesme e kam bërë te Çajupi, na përjashtuan nja gjashtë djem nga shkolla, na thyen notën në sjellje, na dhanë klasën, por nuk na dhanë të drejtën të hyjmë në provimet e maturës. Dhe qe një emergjencë. Bujar Kapexhiu, më thotë: “Guljem, tek shkolla e aktorëve pranojnë edhe pa diplomën e shkollës. Kështu që me emergjencë shkova takova Prokop Mimën, më pyeti se çfarë mbaja mend se të nesërmen ishte konkursi. I thashë se mbaja mend “Bagëti e bujqësi” të Naimit, “Bukuria që vret” të Migjenit…Por duhej edhe një fabul…Ai më tregoi një fabul shpejt e shpejt, që e mbaj mend edhe tani “Avulli i mishit të pjekur”. Një fabul shumë e bukur. Dhe çuditërisht fitova”.

Kështu e nisi rruëgn e aktrimit Guljem Radoja. Rrugë e cila me vitet do ta afirmonte si një nga aktorët më të mirë të artit të dramës dhe kinemasë në Shqipëri.

Bujar Kapexhiu, mik i hershëm i Radojës bën një portret ekspresiv, plot nostalgji dhe pikëllim të aktorit që nuk është më mes nesh.

“Që në moshën e rinisë kemi qenë të afërt. Ne kishim një avantazh që Guljemin e kishim mikun tonë, se Guljemi ka qenë një nga muzikanët e shquar në Tiranë, që me fizarmonikën e tij organizonte mbrëmje vallëzimi nëpër gjimnazet e Tiranës. Merrni me mend, që edhe ne miqtë e tij përfitonim nga kjo dhe grumbulloheshim në mbrëmje nëpër shkolla të ndryshme. Më vonë ne u takuam së bashku në një bankë, në Institutin e Lartë të Arteve dhe të dy kemi studiuar për aktor. Guljem Radoja ishte një djalë i shkathët. Që në bankat e shkollës ai shquhej për një talent të veçantë. E vija re se edhe pedagogët kishin një konsideratë të madhe për të, sidomos kur ndaheshin rolet në pjesët e ndryshme. Guljemi caktohej gjithmonë në rolet kryesore. Sepse ata ishin të bindur se Guljemi ishte një student për aktor, i cili që në vite të hershme mund ta trajtojë shumë mirë rolin dhe mund ta mbajë shumë mirë spektaklin”.

Por artisti nuk e pati të lehtë rrugën e aktrimit. Martesa e tij me një grua me biografi jo të mirë për kohën, me një violonçeliste të talentuar, u bë shenjestra ndaj artistit. Pas përfundimeve studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve për Dramaturgji në vitin 1972, filloi punën si aktor profesionist në Teatrin e Librazhdit. Më pas largohet nga ky teatër për të punuar si aktor dhe regjisor pranë Teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit dhe më pas si aktor në Teatrin “Aleksandër Mojsiu” në Durrës.

“Regjizorët përpiqeshin në çfarëdo lloj formash vetëm e vetëm që të merrnin Guljemin në rolet që ata pretendonin. Përpjekjet e tyre ishin kudo që ai ndodhej, në Librazhd, në Fier, pastaj kur erdhi në Tiranë, natyrisht që ishte më e lehtë, por përpjekjet e tyre kanë qenë mjaft të mëdha, sepse çdo regjisor përpiqet që në rolet e filmit të tij të ketë figurat më të shquara. Dhe Guljemi ishte një figurë e tillë. Domethënë që realizonte çdo rol në mënyrë të përkryer. I jepte vlera filmit”.

Në film apo në teatër, Guljem Radoja la karaktere të papërsëritshëm.

Ndër interpretimet e tij në teatër mund të përmendim rolet e tij në dramat “Bourgeois Wedding” e Bertold Brehtit, “Me syrin e një klouni” e Heinrich Bëllit, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit etj.

Por Guljem Radoja është bërë i dashur për publikun veçanërisht në kinematografi, ku ka krijuar 35 role. Sipas optikës së kritikut Josif Papagjoni, “Guljem Radoja spikati me rolin e fotografit në filmin “Shtigje lufte”, 1974, për të shkuar më i qartë drejt një karriere të sigurt me rolin e Tenente Gurabardhit te filmi “Në fillim të verës”, 1975. Plazmoi me mjeshtëri dhe një aktrim elegant të tipit të kinemasë neorealiste figurën dinake prej ideologu dhe tinzari të sipërmarësit fashist te “Gjeneral gramafoni”, 1978; një vit më vonë i dha frymë njërit prej personazheve më sublimë e më të ngrohtë, atij të atdhetarit me penë e pushkë, Stefan Bardhit, në filmin “Mësonjtorja”, 1979, me të cilin u nderua me çmim.

Figura e Petro Nini Luarasit te “Kush vdes në këmbë”, 1984 (me të cilin u nderua me medaljonin e Festivalit të Filmit Shqiptar 1984), erdhi në frymimin e tij aktorial si martiri i vetëdijshëm i gjuhës dhe kombit, njeriu i paepur, burri, prindi, shoku dhe mësuesi i dashur, e gjitha përmes një loje të përmbajtur, në tone dramatike sa edhe tragjike… Nivele të merituara arriti edhe me rolin e priftit te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, 1989; e Luçianos te “Vendimi”, 1984; e Markut te “Flutura në kabinën time”, 1988 si dhe filmat “Vdekja e burrit”, “Dashuria e fundit”, “Era e ngrohtë e thellësive” etj.”

Guljem Radoja ishte mbi të gjitha një njeri me shpirt të madh, gjithmonë i qeshur, i thjeshtë, modest, me një humor brilant prej shkodrani që i bënte njerëzit për vete. Ishte një njëri jashtëzakonisht simpatik, jo vetëm nga pamja, por edhe në shpirt, si një njëri jashtëzakosht i mirë. Ai nuk ishte thjesht një aktor i madh, por një aktor plot virtyte. Një gentelmen i vërtetë që shëtiste me biçikletë, në modestinë dhe realitetin e tij fisnik.

Iku i thjeshtë, siç ishte. I pabujë, por plot emër e famë. Shpesh i tërhequr dhe vetëm në miqësitë e tij, por përherë e gjithkund i respektuar. Një shkodran që u bë durrsak, tiranas, shqiptar. I njohur për shpengimin e tij, për atë cilësi që ai kishte, për ta thënë troç të vërtetën. I drejtëpërdrejtë, pa dredha. I vetëmjaftueshëm.

Modest, sa asnjëherë nuk dëshironte të fliste për punën e tij. Dhe kjo bëhet më e besueshme kur thonte:

“Edhe sot e kësaj dite e kam të vështirë të flas për punët e mia. Punët e mia janë aty!”, thonte ai. Për meritat e tij artistike Guljem Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.

Neritana Kraja